VENDIM PER PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8906, DATË 6.6.2002, “PËR ZONAT E MBROJTURA””
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan një sërë projektlidhesh me vendimesh të rëndësishme:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8906, DATË 6.6.2002, “PËR ZONAT E MBROJTURA””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas teksit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Kuvendi
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8906,
DATË 6.6.2002, “PËR ZONAT E MBROJTURA”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas pikës 19, të nenit 3, shtohen pikat, si më poshtë vijon:
“ 20. “Ruajtja”, nënkupton ndërmarrjen e një sërë masash, për të mbajtur ose rivendosur në një status të favorshëm habitatet natyrore dhe popullatat e llojeve të florës dhe faunës së egër;
21. “Habitatet natyrore”, janë sipërfaqet, tokësore ose detare, të dallueshme për nga tiparet gjeografike, abiotike dhe biotike, natyrore ose gjysmënatyrore;
22. “Tipe habitati natyror, me interes për komunitetin evropian”, janë ato tipe, që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe plotësojnë njërën nga kushtet e mëposhtme:
i) janë në rrezik zhdukjeje në shtrirjen e tyre natyrore;
ii) kanë një shtrirje të vogël natyrore, si pasojë e regresit të tyre ose të sipërfaqes së tyre të kufizuar;
iii) përfaqësojnë shembuj të jashtëzakonshëm të karakteristikave tipike të rajoneve biogjeografike, alpine dhe mesdhetare.
23. “Tipet përparësore të habitateve natyrore”, janë habitate natyrore, me interes për komunitetin evropian, në rrezik zhdukjeje, të cilat ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, për ruajtjen e të cilave Republika e Shqipërisë ka përgjegjësi të veçantë;
24. “Habitat i një lloji”, është një mjedis, që përcaktohet nga faktorë specifikë, biotikë dhe abiotikë, ku lloji jeton në çdo fazë të ciklit biologjik të tij;
25 “Lloje me interes për komunitetin evropian”, janë lloje, që, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, plotësojnë njërën nga kushtet e mëposhtme:
i) janë të rrezikuara, me përjashtim të atyre llojeve, shtrirja natyrore e të cilave është e parëndësishme në territor;
ii) janë të prekshme, që do të thotë se ka të ngjarë të bëhen pjesë e kategorive “të rrezikuara” në një të ardhme të afërt, nëse faktorët shkaktarë vazhdojnë të veprojnë;
iii) janë të rralla, që do të thotë se janë lloje me numër të kufizuar, të cilat, edhe pse për çastin nuk janë të rrezikuara a të prekshme, ndodhen në situatë kritike;
iv) janë endemike dhe kërkojnë vëmendje të posaçme për shkak të natyrës së veçantë të habitatit të tyre dhe/ose ndikimit të mundshëm të shfrytëzimit në habitatin përkatës dhe/ose ndikimit të mundshëm të shfrytëzimit të tyre mbi statusin e ruajtjes.
26. “Lloje përparësore”, janë llojet me interes për komunitetin evropian, të rrezikuara, për ruajtjen e të cilave Republika e Shqipërisë, përsa i përket shtrirjes së tyre natyrore, ka përgjegjësi të veçantë;
27. “Zonë”, është sipërfaqja e përcaktuar gjeografikisht, shtrirja e së cilës përshkruhet me hollësi;
28. “Zonë me interes për komunitetin evropian”, është zona, rajoni a rajonet biogjeografike, të cilave ajo u përket, që ndikojnë dukshëm në mirëmbajtjen apo rivendosjen e tipit të habitatit natyror, me interes për komunitetin evropian, ose të llojeve, me interes për komunitetin evropian, në një status ruajtjeje të favorshëm, ose që ndikon dukshëm në ruajtjen e diversitetit biologjik, brenda rajonit a rajoneve biogjeografike në fjalë.
Për llojet shtazore, që gjenden në sipërfaqe të gjera, zonat me interes për komunitetin evropian përputhen me vendet brenda shtrirjes natyrore të këtyre llojeve, duke përfaqësuar faktorë, fizikë ose biologjikë, thelbësorë për jetën dhe riprodhimin e tyre;
29. “Zona të veçanta ruajtjeje”, janë zona me rëndësi për komunitetin evropian, të përcaktuara të tilla nga Republika e Shqipërisë me një akt normativ, administrativ ose kontraktual, ku përcaktohen masat e nevojshme ruajtëse, për mbajtjen ose rivendosjen në një status të favorshëm ruajtjeje të habitateve natyrore ose të popullatave të llojeve, për të cilat është përcaktuar zona.”.
Neni 2
Pika 3, e nenit 4, shfuqizohet.
Neni 3
Pas nenit 4 shtohen nenet 4/1, 4/2, 4/3 e 4/4, me këtë përmbajtje:
“Neni 4/1
Kriteret
Për shpalljen zonë e mbrojtur, territori duhet të plotësojë, të paktën, njërën prej kritereve të mëposhtme:
a) Të ketë diversitet të lartë të llojeve dhe/ose të habitateve;
b) Të ketë dendësi të ulët të llojeve dhe/ose habitateve;
c) Të ketë përfaqësueshmëri;
ç) Të ketë minimumin kritik të madhësisë së ekosistemit;
d) Të ketë natyralitet, trashëgimi dhe integritet;
dh) Të ketë vlera shkencore;
e) Të karakterizohet nga prekshmëria ekologjike/ llojet e prekshme;
ë) Të karakterizohet nga papërsëritshmëria/ llojet endemike;
f) Të mos rrezikohet nga ndërhyrjet e veprimtarive njerëzore;
g) Të ketë mundësi për ruajtjen e jetës së egër.
Neni 4/2
Zonimi i territorit të zonës së mbrojtur
1. Territori i zonës së mbrojtur ndahet në nënzona, sipas rëndësisë së habitateve dhe të ekosistemeve, që bëjnë pjesë në to.
2. Zonimi i brendshëm mund të përmbajë zonën qendrore, zonën e rekreacionit, zonën e përdorimit tradicional, zonën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe nënzona të tjera, që i përshtaten territorit. Ministri përgjegjës për mjedisin miraton, me udhëzim, kërkesat dhe mënyrën e zonimit të territorit të një zone të mbrojtur.
3. Zonimi përputh shkallën e mbrojtjes me veçoritë e nënzonës, duke mbajtur parasysh natyrën e zonës, llojet e veprimtarive njerëzore, që zhvillohen në të, dhe ndikimin e tyre në natyrë.
4. Vendimi i Këshillit të Ministrave, që shpall zonën e mbrojtur, përcakton emërtimin, sipërfaqen dhe shkallën e mbrojtjes së nënzonave të saj.
Neni 4/3
Përcaktimi i zonave të veçanta të ruajtjes
1. Zonat, ku strehohen tipet e habitateve natyrore, me interes për komunitetin evropian, dhe të habitateve të llojeve, me interes për këtë komunitet, shpallen zona të veçanta ruajtjeje. Këto zona janë pjesë e rrjetit ekologjik kombëtar dhe mund të përfshijnë edhe zona të mbrojtura, brenda rrjetit përfaqësues së zonave të mbrojtura, si dhe ekosisteme, habitate e peizazhe, jasht