Kryeministri Berisha pret në takim delegacionin e kompanisë së Gazsjellësit Trans Adriatik, kryesuar nga Z.Kjetil Tungland

Sot, Kryeministri priti në takim delegacionin e kompania TAP kryesuar nga Menaxheri i Përgjithshëm Z.Kjetil Tungland. Takimi u zhvillua në kuadrin e firmosjes së Marrëveshjes Pritëse Qeveritare ndërmjet Republikës së Shqipërisë e TAP AG, sot, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Z.Tungland shprehu mirënjohjen e tij për progresin e arritur në negocimin e Marrëveshjes Pritëse Qeveritare si një dokument i rëndësishëm që rregullon marrëdhëniet e Shqipërisë me kompaninë TAP AG për përmbushjen e projektit të gazsjellësit TAP. Marrëveshja, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së projektit, përfshin parashikimet ligjore rreth aspekteve rregullatore e të lejeve, trajtimit ekonomik-fiskale, si dhe aspekteve mjedisore e sociale të projektit në territorin shqiptar. Z.Tungland shprehu mirënjohjen edhe për ratifikimin në Parlament të Marrëveshjes Ndërqeveritare mes Italisë, Shqipërisë e Greqisë rreth projektit të TAP-it. Të dyja marrëveshjet e arritura janë pjesë themeltare të paketës në mbështetje të aplikimit të TAP pranë Konsorciumit të Shah Deniz-it.
Kryeministri ritheksoi angazhimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të plotë të projektit të TAP- it. Nënshkrimi i marrëveshjeve në fjalë është shprehje e seriozitetit maksimal të qeverisë shqiptare përkushtuar negocimit me kompaninë TAP. Ai shprehu bindjen se projekti TAP është projekti më fizibël i plotësuar më të gjithë kuadrin dokumentar të një cilësie të lartë, i nevojshëm për shqyrtim nga Konsorciumi i Shah Deniz-it.
Konsorciumi i Shah Deniz-it pritet të japë vendimin përfundimtar për përzgjedhjen mes projekteve TAP e Nabucco brenda qershorit 2013.
05/04/2013