E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me biznesmenë dhe sipërmarrës të Pogradecit

Kryeministri Berisha, i cili sot ndodhet në një seri aktivitetesh në qytetin e Pogradecit, bashkëbisedoi me përfaqësues dhe drejtues të bizneseve dhe të sipërmarrjeve të ndryshme në këtë qytetet. Pasi bëri një ekspoze mbi çfarë ka arritur qeverisja demokratike në këto 8 vjet, kryeministri parashtroi disa nga projektet me masat që do të ndërmerren në mandatin në vijim, në mënyrë që biznesi në vend, të gjallojë, në një klimë sa më të favorshme dhe të mirëkompletuar ligjërisht.

Në fjalën e mbajtur në nisje të bashkëbisedimit, kryeministri Berisha u shpreh:

"Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht, ju falënderoj për praninë tuaj sot dhe ju ftoj të shprehni mendimet tuaja, sygjerimet tuaja, vërejtjet tuaja, gjithçka që ju mendoni se do të lehtësonte më shumë biznesin tuaj.

Në thelbin e filozofisë sonë qëndron iniciativa juaj e lirë, forca sipërmarrëse  e njeriut dhe ne si qeveri besojmë se kjo është rruga e zhvillimit, besojmë se do të bëjmë gjithçka për ta lehtësuar këtë iniciativë.

Ne ndërtojmë rrugë, ndërtojmë shkolla, ujësjellësa, ndërtojmë spitale, shtrijmë internetin, që të gjitha këto në funksion të qytetarit, në funksion të iniciativës së tij të lirë. Ne jemi përcaktuar dhe mbetemi forcë politike e taksave të ulëta sepse ne besojmë se paratë në kontot tuaja, janë më të dobishme për shoqërinë, për arsye se ju i investoni ato, ju krijoni vende të tjera pune me to, ju rrisni prodhimin.

Kjo filozofi, kjo praktikë në Shqipëri ka funksionuar në mënyrë të fuqishme. Me këtë politike ne, nga viti 2006 deri në 2012, kemi mbledhur në arkën e shtetit 9,2 miliard dollarë, më shumë se qeveria e mëparshme në 8 vite të marra së bashku. Sigurisht në këto 9,2 miliard dollarë është rritja ekonomike, është lufta kundër korrupsionit, por mbi të gjitha është liria juaj ekonomike.

Ne përgjysmuam taksën e biznesit të vogël , javën e parë, vendosëm nivelin më të ulet në botë. Nuk ka një vend tjetër me taksë 1,5 %. Ne  ulëm 150 % tatim fitimin, ne ulëm 130 % tatimin mbi të ardhurat personale. Ne ulëm 50 % sigurimet shoqërore mbi sipërmarrësit. Ne zhdukëm një seri tarifash të tjera. Ne bëmë gjithçka për të lehtësuar barrën mbi ju dhe kjo dha efektet e veta, duke bërë që bizneset e vogla të ritën me 80 %, bizneset e mesme dhe të mëdha të rritën me 200-300 % . Të ardhurat u dyfishuan, në total janë 9,2 miliard dollarë, të cilat u përdorën për të ndryshuar Shqipërinë, për të ndërtuar 10 kilometra rrugë në të katër anët e vendit dhe këtu  në Pogradec janë ndërtuar shumë e shumë rrugë dhe do të ndërtohen të tjera. Është garantuar kredia dhe do të ndërtohet projekti për rrugën Qukës-Qaf Plloçë, e cila shkurton shumë distancën  dhe ndihmon shumë turizmin e Pogradecit. Unë kam qenë këtu para vitit 2005 dhe turizmi kishte shumë rënie. Tani me ndërtimin e rrugë Korçë-Qafë Plloçë dhe rrugë të tjera , e kanë bërë Pogradecin sërish një nga vendet më të preferuara për shqiptarët dhe botën.

Pra filozofia jonë e taksave të ulëta është në zhvillim, kjo ishte faza e parë dhe  e dyta do të jetë edhe më e fuqishme. Ne hoqëm çdo lloj tarife doganore ose taksë për çdo lloj makinerie apo mall të importuar  që ju përdorni për prodhimin. Shqipëria sot është i vetmi vend që nuk takson më kapitalin e çdo lloji. Në doktrinë kapitali nuk taksohet, taksohet produkti. Në tërësi këtij rregulli nuk i përmbahet kush. Ne morëm një hap të guximshëm. Ne e kemi patur  këtë rregull në 1995, jo në përmasat e sotme, por e kemi patur dhe dha efekt. Ndërsa sot e kemi më të fuqishëm. Ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale për të gjithë punonjësit që marrin pagë nën 30 mijë lekë. Ne hoqëm detyrimet për të tre vjet për të gjithë ata që punësojnë të rinjtë. Çdo emigrant që vjen dhe investon në vendin e tij për një periudhe 3 deri në 5 vjet, investon pa taksa.

Kjo është politika që ndjekim sot, ne i kemi gjërat të përcaktuara dhe të qarta si kristali. Ndërsa në kampin tjetër ka një kaos total, pasi ai deklaroi se “do tua tregojë mirë të pasurve, do tu bëj këtë dhe atë, me taksën progresive”, kur e pa që ajo ishte  një katastrofë ai tha ”epo mirë nuk po tatoj tatim fitimin, por po tatoj të ardhurat personale”. E njëjta gjë është, një qëndrim armiqësor është ndaj atyre që krijojnë të ardhura dhe vende të reja pune.

Tani ai u thotë shqiptarëve 95 % e juaja do të ulen ndjeshëm taksat, nuk do i ndjeni. Po atëherë, ka logjikë ky njeri apo jo. Cili është rregulli i përgjithshëm sot në botë? Rregulli që e ka bërë kapitalizmin popullor. Kapitalizmin popullor e ka bërë baza e gjerë e taksave. Të gjithë janë aksionerë në shtetin e tyre, të gjithë paguajnë diçka për shkollimin e fëmijë ve të tyre , për rrugët, kanalizimet, shkollat, çdo gjë. Dhe nuk thotë fare se sa do i ulë. Ai nuk e thotë këtë. Ku do ti marrësh këto para që do tua ulësh këtyre. Këto para do tua marrë 5 % dhe këta 5 % do të mbajnë mbi supe Shqipërinë. Por në të gjithë vendet e botës, jo më të pasurit por të gjithë të tjerët që përballojnë 80 %, 85 % ,90 % të barrës fiskalë se 5 % sado ti që mund të mendosh se mund ti ngarkosh, ti vetëm do të shkaktosh largimin tyre se ne jemi botë e lirë. Në 2005 kur kemi ardhur në pushtet me dhjetëra e dhjetarë biznesmenë shqiptarë punonin në Bullgari. Ikën nuk punohej aty. Mirë që ti do tua ulësh taksat 95 % të shqiptarëve, por ne nga do ti marrim ato para?

Sot shqiptarët kanë taksat më të ulëta në Evropë. Është e vërtete që një infermiere që merr 40 mijë lekë paguan 10 % të tyre taksë, por kjo infermiere para vendosjes së kësaj taksë merrte 14 mijë lekë dhe sot në vit kjo merr 18 rroga më shumë se sa cmirrte në vit 6 vjet më parë. Kjo erdhi sepse taksa e sheshtë lehtësoi biznesin, i cili dy dhe trefishoi të ardhurat e veta dhe taksat e paguara. Pra kemi të bëjmë me një qëndrim kryekëput kaotik. Mirëpo, ky qëndrim kaotik ka një çmim të tmerrshëm të shtrenjtë për vendin dhe ju e dini mjaft mirë këtë.

Në pamje të parë ekonomia është më e pavarura  nga vendimet, ligjet, në fakt është me e varura. Ekonomia më shumë se çdo degë tjetër ndikohet thellësisht, nga ligjet, vendimet, reformat e qeverisë, nga platforma që ajo ndjek. Taksa të ulëta, taksa të larta, sektor privat, sektor publik , kështu që në këto vite ne kemi arritur shumë dhe Shqipëria nuk është ajo që ishte më parë , por në 4 vitet që vijnë ne do të arrimë shumë më tepër. Unë jam këtu për tu dëgjuar ju dhe ju falënderoj shumë.

Përshëndetje zoti kryeministër, ju falënderoj që me këtë ngarkesë kaq të madhe që keni, keni gjetur për të biseduar me biznesin korçar. Së pari kot ju akuzon pala tjetër se jeni plakur, pasi ju jeni më i ri se sa keni qënë. Jam përfaqësues i një biznesi. Çfarë do të bëni ju në këtë mandat në raport me çmimet e referencave. Unë jam një biznesmen që fus një produkt nga Gjermania dhe paguaj referencë.

Kryeministri Berisha: Lidhur me çështjen e parë, shoku është shumë obsesiv, ai vuan nga fiksimet. Unë jam mjek dhe  e kuptoj. Njëherë thoshte se unë fluturoj me helikopter në të gjithë Shqipërinë, ndërsa unë eci me një makinë të marrë me qera se në këtë periudhë fushate elektorale , unë kam nxjerr një urdhër që çdo zyrtar i administratës, përfshi edhe kryeministrin të mos përdorë mjetet publike për fushatë. Unë kam marrë një makinë me qera nga një kompani dhe  e paguan PD.

Së dyti për problemin tjetër, njëherë ai kishte ditëlindjen dhe unë i çova një  urim ”Zoti i shtoftë rini, viteve tuaja!” ia bëra me dashamirësi , por edhe i duhej ajo që i thashë.

Së treti për referencat, nuk do të ketë asnjë referencë për të gjithë mallrat që importohen nga zona e BE. I kemi gjetur këto çmime 36 % , ki kemi zbritur në 4 % dhe do të hiqet çdo referencë për mallrat që ju importoni nga BE. Referenca në mënyrë absolute ka qëllim mbrojtjen tuaj dhe kjo arkën tonë. Taksat doganore që kanë qenë 6 % , janë zero sot. Duke sjellë mallra dhe duke shpallur çmime shumë të ulëta, për një arsye ose një tjetër cilësi ose mashtrim, ai që shpall çmimin që bie, ai ndëshkohet. Megjithatë nga vendet e BE transparenca është e madhe. Ne do i heqim ato një për një, asnjë preferencë. Nga çdo vend anëtar i BE, referenca do të hiqet, do të mbetet shumë e vogël.

-Në radhë të parë dua tu falënderoj që na jep mundësinë për tu shprehu. Vij nga biznesi i bujqësisë, dega e fidanëve, dru frutorë , tashmë dhe arrorë. Kam  një biznes i cili ka filluar nga viti 2003 dhe ky biznes është rritur vit pas viti, si sipërfaqja  e mbjellë, ashtu dhe numri i bimëve të mbjella. Dua të ndalem pak tek shkolla profesionale. Dua të ndalem tek grantet dhe rritja  e tyre. Mendoj se duhet të hartojmë disa ligje që ne të mos hasim vështirësi për të eksportuar fidanët në BE, pasi kemi mundësi shumë të mira konkurruese.

Kryeministri Berisha:  Unë, së pari dua të përgëzoj shumë përzemërsisht për suksesin që ke arritur, pasi kjo ëhstë histori suksesi, e ke nisur me 20 mijë rrënjë dhe sot ke atritur në 200 mijë fidanë, pra ke dhjetëfishuar prodhimin dhe ndërmarrjen. Jam i bindur se taksat e ulëta janë një faktor i rëndësishëm për të zgjeruar hapësirat e lirisë dhe i japin jetë një sipërmarrjeje.

Ke kapur një problem shumë nevralgjik, çështjen e  arsimit profesional, e cila është një çështje shume e rëndësishme, jo siç pretendon zoti Rama në mënyrë nihiliste se ne nuk kemi përgatitur asnjë kuadër në fushën e bujqësisë, pasi sot universitet bujqësor është më numerik se kurrë dhe me më shumë degë se kurrë ndonjëherë, ka mbi 12 mijë studentë. Sot janë 8 mijë nxënës në shkollat e mesme, por absolutisht këto janë pak dhe shumë pak. Bujqësia, nga një sektor që pak vite më parë kishte shumë pak interes dhe i kishin kthyer shpinën, tani ky sektor po vjen në rrafshin që duhet të vijë. Bujqësia tani po krijon me dhjetëra, mijëra biznese, po funksionon mbi bazën e bizneseve dhe në këtë kontekst specialistët janë jetikë, ndaj dhe unë ju garantoj ju se do të bëjmë gjithçka për shkollimin  e tyre, fëmijëve te tyre kushtet më të mira për shkollimin e mesëm profesional, të lartë profesional. Këtu ne kemi një avantazh shumë të madh, në Korcë kemi një universitet me një profil të qartë bujqësor dhe rektori e trupa pedagogjike janë të gatshëm për të bërë gjithçka për rritjen e  numri të nxënësve në shkollat e mesme bujqësore. JU folët për zhvillimin rural. Në fillimin e 2006 është e paimagjinueshme shkalla e rrënimit rural që ekzistonte në Shqipëri, në kuptimin që në rrethe të tëra  të vendit, për të mos thënë në shumicën e tyre, përveç aksit kombëtar nuk gjeje një kilometër rrugë të asfaltuar dhe këtu nuk e kam fjalën për Tropojën, për Hasin, për Kukësin, e kam fjalën për Peqini , për Lushnjën, për Pogradecin , për Divjakën , për kudo. Pra ky ishte një rrënim. Shqipëria në inventarin e saj ka 18300 kilometra rrugë, sepse Shqipëria ka një reliev me kodra, brigje  e male, dhe pak fusha. Kishte gjithsej 2400 kilometra rrugë të asfaltuara. Ne atëherë shpallëm rrugë moderne, kudo, sepse pa rrugë nuk ka zhvillim , pa energji nuk ka zhvillim , pa shkollë  nuk ka zhvillim . Ne, 60 % të buxhetit e kemi investuar në Shqipërinë rurale, sepse Shqipëria rurale ishte Shqipëria në baltë, ishte Shqipëria  e gropave, pa infrastrukturë.

Unë para dy ditësh inaugurova rrugën që lidh Kukësin me Peshkopinë. Ju the të drejtën se rrugë malore më të bukur nuk mund të behej sepse është shpati rrëzë Korabit dhe njerëz më punëtorë nuk ka. Banorët e Kalasë së Dodës janë të famshëm si njerëz me një vullnet të jashtëzakonshëm për të punuar. Disa miq austriakë që kishin shkuar për të bërë ski në Korab, dimrin që kaloi, ishin kënaqur shumë nga ajo çka kishte ofruar Korabi, por shprehën habinë dhe keqardhjen  e tyre se si kishte mundësi që njerëzit me ato bukuri përrallore të kishin atë gjendje të vështirë ekonomike. Ata janë njerëz shumë punëtorë, por ata nuk kishin rrugën. Ata për të ardhur në Tiranë bënin 8 orë e gjysëm. Pra, ne po ndërtojmë rrugë kudo dhe ne jemi shumë afër atij projekti që dukej i paimagjinueshëm, projektit për të ndërtuar rrugë në çdo skaj të vendit.

Kështu që ne do të vazhdojmë rindërtimin e plotë të rrjetit të energjisë elektrike. Tani në zonat rurale ka biznese nga më modernet. Unë vizitova një serë në Cërrik, e cila prodhonte 6 milionë fidanë zarzavatesh, me 4 punëtorë, me teknologjinë më të lartë izraelite, hollandeze dhe spanjolle. Pra janë krijuar dhjetëra mijëra biznese në bujqësi dhe ne do të ndërtojmë rrjetin e tërë të energjisë, në mënyrë që parametrat e energjisë në fshat të jenë identike me qytetin.

Përsa i përket granteve , ne jemi të vendosur ti trefishojmë. Fatmirësisht ky projekt i cili në pamje të parë nuk është se nuk ka objeksione, pasi ky jep para falas, por ky është një histori e vërtetë suksesi. Ne ia u kemi dhënë 42 mijë fermerëve. Fermerët vetë, me ne ose pa ne, kanë investuar tre dhe katërfishin. Në fakt sot, drurët frutorë të mbjellë në Shqipëri, në qoftë se janë mbjelle me fondet tona 8000 ha ullinj, 30 mijë të tjerë janë mbjelle me fondet e fermerëve vetë. Kështu që ne bazuar në këtë praktikë nuk do të jenë më 56 milionë dollarë për fermerët, por do të jenë 160 milionë dollarë. 10 mijë projektet janë bërë këtë vit. Ky mekanizëm financon projekte dhe projektet janë sipas fazave. Ka një sistem që funksionon shumë mirë. Janë 10 mijë fermerë dhe këtë e them se para disa vitesh në qarqe të tëra nuk kishte aplikime, ndërsa tani ecën shumë mirë dhe ne do i trefishojmë. Gjitahshtu ne do i rimbursojmë me para në dorë, fermerëve të gjitha mjete që ato i përdorin në prodhimin e tyre si makineritë, plehrat, kimikatet etj, pra besoj se kësaj here ne i kemi dhënë një mbështetje totale bujqësisë dhe një mbështetje të merituar sepse kemi potenciale të mëdha. Ju thatë një gjë të bukur që mund të konkurroni me fidanët dhe kjo është e vërtetë. Ne do të bëjmë gjithçka për certifikimin, por dy janë drejtimet se ne nuk kemi tokë shumë. Ne kemi tokë për frymë, më pak se çdo vend tjetër në Evropë, vetëm 1800 m2 për frymë. Toka jonë me këto mbjellje që po bëhen të ullinjve , vreshtave , qershive po zgjerohet prapë, por prapë sipërfaqe është kjo.

Ne do të synojmë BIO, ne duket të inkurajojmë prodhimet BIO që të marrim fitimet më të larta me prodhimet tona. Ne edhe mund ta bëjmë këtë gjë dhe ne duhet të gjemë rrugët se si duhet të përballemi ne me tregun gjigand bujqësore evropian dhe deri ta i po përballemi me sukses. Deei tani eksportet bujqësore në perime, zarzavate  e disa fusha janë trefishura dhe lë të vazhdojmë edhe në fusha të tjera.

Unë ju falënderoj ju dhe të gjithë fermerët dhe ftesa ime miqësore është të mbjellim sa më shumë dru frutorë, aty ku është një shkurre të mbjellim një dru frutor, kjo është rruga më  e sigurtë e rritjes së të ardhurave tona. Ne do ti mbështesim, sot të financojmë , por ky vullnet duhet të jetë tek të gjithë. Po ecet shumë në këtë drejtim dhe kjo është e vërtetë por mund të bëhet më shumë. Kështu buzë çdo përroi mund të mbillet, ara, mund të mbillet lajthi, apo çdo gjë.

Kam një sugjerim për ligjin e prokurimeve publike. Dua të them se janë tre kapituj, i pari është ligjot, i dyti kapaciteti financiar. Përsa i përket kapitullit të kapacitetit  teknik  ka mangësi të mëdha. Unë jam vetë specialist

Kryeministri Berisha: Kur erdhëm në pushtet 70 % e të gjithë prokurimeve ishin direkte, pa tendera,  e pabesueshme, por kështu ishte. E para gjë që bëra, ndalova prokurimet direkte, pastaj ndërmorëm hapa të tjera. U bë vendi i parë në botë me prokurim elektronik. Unë nuk kam pse ta fsheh. Unë jam avokat i çmimit më të ulët , sepse ai është interesi publik, por jo gjithnjë është e drejtë kjo që them unë dhe jo gjithnjë kjo qëndron. Cfarë kemi bërë ne për ta përmirësuar? Ne kemi krijuar një komision tjetër i cili shqyrton çdo ankesë. Përveç këtij komisioni i cili është autoritet ligjor më i lartë, është komisioni i Kontrollit të ankesave, pranë Këshillit të Ministrave dhe përveç këtyre dy komisioneve është gjykata. Unë nuk përjashtoj në asnjë rast subjektivizmin, nuk përjashtoj ngurtësinë ligjore të pamerituar. Ligji ka një gjë, ka pjesën parësore dhe ka pjesën dytësore dhe në çdo ligj interesi publik është interes publik, i cili duhet parë. Pra janë bërë ndryshime të mëdha, krahasuar me cishte më parë. Dua tu them një gjë, në vitin 2005 kanë marrë pjesë në tenderat e Shqipërisë 8500 kompani, në vitin 2011 kanë marrë pjesë në tenderët e Shqipërisë 56 mijë kompani. Megjithatë ne do të bëjmë gjithçka drejt standardizimeve më të mira. Edhe qëndrime janë mbajtur kur është vërejtur mungesë objektiviteti. Edhe krijimi i Gjykatës administrative është një lehtësim për ju sepse do të shqyrtojë në një kohë shumë më të shpejtë ankesat tuaja.

Jam një përfaqësues i biznesit të vogël dhe me këtë shqetësim që kam përfaqësoj edhe shumë të tjerë nga biznesi i vogël. Nga ana tjetër po dëgjojmë që po i mëshohet shumë çështjes së taksave të biznesit të vogël. Biznesi i vogël është deri në 20 milion lekë të vjetra dhe taksimi që na bëhet nga ana  e bashkisë është për 40 milionë lekë të vjetra që nuk arrihet nga ana jonë. Kjo është një padrejtësi që na bëhet. Jemi ankuar në bashki dhe nuk është marrë as një masë në këtë drejtim  dhe ne gjendemi në të njëjtin nivel taksimi nga ana e bashkisë.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj që keni shtruar një çështje shumë të rëndësishme. Ligji biznesin e vogël e takson me 1.5 % të xhiros dhe lejon bashkinë ta ulë ose ta ngre këtë nivel 10 %. E kishim 30 % dhe pikërisht në Tiranë ky 30 % i bë 120 %, u bë 200 % , u bë deri në marrëzi dhe atëherë u detyrova të bëj ligjin që nuk u lejoj më tepër hapësirë se sa plus, minus 10 %. Këta zotërinj nuk zbatojnë ligjin. Këta bashkëpunëtorë të kryetarit të bashkisë nuk zbatojnë ligjin. Çfarë ndodhi në Durrës? Këshilltarët e PD kanë dhënë për ndjekje penale kryetarin e bashkisë sepse ka rritur taksat jashtë çdo logjike dhe pa pyetur këshillin. Kryetari i bashkisë dhe kryeministri nuk mund të vendosin kurrë asnjë taksë në asnjë nivel pa u miratuar në parlament ose në këshillin lokal. Për këtë unë do u kërkoj këshilltarëve të PD të ndërmarrin nismën ligjore për të vënë në ndjekje penale autorin e këtij abuzimi absurd. Unë thotë ai do e heqë këtë 1,5 % po cfarë do të bëjë? Për  ata që me mbi 1500 dollarë të ardhura në vit, ata futen në taksën progresive të të ardhurave personale, të cilën ai nuk e thotë se sa do të jetë. Nuk tregon kërrkund se sa do të jetë taksa e të ardhurave personale. Mirë ai i fali ata që kanë të ardhura vjetore nën 1500 dollarë, por të tjerët me 1800, 2000, atyre nuk e tregon se sa do e kënë nivelin, sepse niveli do të jetë fillimisht tek 25 e pastaj do të fluturojë  siç kërkonte Marksi në Manifestin e tij, të taksohen rëndë të pasurit dhe kapitalistët. Dje zoti Rama ishte në Vlorë dhe para gjithë shqiptarëve denoncoi qeverinë lokale socialiste se nuk ka bërë asgjë për Vlorën. E vërteta është se  Shpëtim Gjika, që e ka mandatin e tretë, e ka shndërruar bashkinë në sipërmarrje partie. Ne i kemi dyfishuar grantet dhe ju mund t’i kontrolloni se janë të botuara. Për çdo bashki, edhe për bashkinë e Tiranës, ne trefishuam grantet për t’i përdorur për rrugë, ujë, kanalizime, kopshte e çerdhe, por grantet tona ata i kthejnë në rroga. Jo vetëm i kthejnë në rroga, por rrisin taksat dhe paguajnë partinë, shtojnë  numrin e punonjësve. Edhe ne dimë të punësojmë me qindra mijëra në administratë, por do t’ju rëndonim juve, pasi do t’ju marrim taksa për të paguar rrogat. Ndaj edhe ne jemi një nga dhjetë administratat më të vogla në botë, në proporcion. Ne i qëndrojmë kësaj. Kështu që unë do t’u kërkoj këshilltarëve të ndjekin kryetarin tuaj të bashkisë për abuzivitetin e tij në vendosjen e taksave.

Lexojeni programin e tij. Nuk përmend kund, nivel taksash. Zotëri, taksat janë nivele dhe jo fjalë në hava. Taksat janë gërshërë, të cilat po i keqpërdore shkatërron biznese e mijëra vende pune. Në Vlorë, ai tha se qeveria dhe Shpëtimi që e kishte në krah nuk kanë bërë asgjë për Vlorën. Natyrisht, Saliu nuk e do Vlorën, tha. Në një kohë kur shoku, nga ura e Mifolit deri në pikën e kalimit të kufirit në Konispol, me autobusin e tij mavi ecën në rrugë të re, ecën në autostradë me katër korsi për në Vlorë, ecën në rrugën e Bregut të rindërtuar tërësisht pas 80 vitesh, ecën në rrugë të gjerë e shumë të bukur Sarandë-Konispol. Nuk është bërë asgjë, ai nuk ju do juve, u tha vlonjatëve, pasi kujton se duke përçarë fiton vota. Për taksat, me platformën e tij obskure, kaotike është absolutisht i rrezikshëm.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Jam me profesion mësues. Dua ta lidh biznesin me sportin, mbasi një biznes i fuqishëm do që të ketë edhe një sport të zhvilluar. Cili do të jetë programi i PD-së për katër vitet e ardhshme, për zhvillimin e sportit në Shqipëri.

Së dyti, sëbashku me shokët kemi menduar t’ju pyesim, a do të jeni prezent në ndeshjen me Norvegjinë?

Kryeministri Berisha: Unë kam bindjen se një plan kombëtar për sportin është jetik e i domosdoshëm. Them plan kombëtar, sepse nëpërmjet tij synohet t’i kushtohet vëmendje më e madhe këtij sektori shumë të rëndësishëm. Unë vetë jam i bindur se edukata fizike duhet të jetë një nga katër lëndët bazë të sistemit tonë shkollor dhe ne duhet ta fillojmë aty. Në qoftë se ka një vend në botë ku mund të marrim shembull, janë Shtetet e Bashkuara. Atë vend e ka ngritur aty ku është liria dhe sistemi shkollor. Për shembull në gjeometri, nëse je i zoti, e jep lëndën brenda javës dhe mësuesi të thotë e shleve lëndën. Të më falin mësuesit e gjeometrisë, por kjo është reale. Por nuk mund ta marrësh dot, kurrë, fizkulturën, pasi duhet ta ndjeksh çdo javë, dy herë në javë, me programin rigoroz dhe nuk e kalon dot programin e vitit të parë, pa përmbushur të gjitha detyrimet që ke. Shtetet e Bashkuara kanë një sistem më të lirë, pasi lejojnë kalimin e dy klasave për një herë. Një sistem i mrekullueshëm. Ndaj në katër vitet që vijnë do ta fillojmë me edukatën fizike, ta vendosim si shtyllë themelore në shkollë. Ne do të investojmë shumë, qoftë ne si sektor publik, qoftë me sektorin privat, në terrenet sportive në çdo komunë e zonë të vendit. Duhet të krijojmë terrenet sportive. Ne do të nxisim shkollat sportive, sikundër do të bëjmë gjithçka, për sportin elitar. Sporti ka nevojë të marrë një mbështetje shumë më të madhe sesa sot dhe ne do t’ia japim atë.

A do të shkoj në ndeshje? Pyetja më e vështirë që më ke bërë, pasi ju e dini rregullin tim me fituesin. Por këtë herë do të shkoj në ndeshje dhe do të fitojmë.

Përshëndetje zoti Kryeministër, jam mësues dhe ju falënderoj për këtë takim dhe politikat që ka ndjekur PD-ja ën sektorin e arsimit që e njohim shumë mirë, por edhe në sektorë të tjerë. Ju falënderoj për çeljen e fondit të shkollës që është në proces tenderimi, pavarësisht se komuna jonë është e majtë, por kjo është Partia Demokratike, që nuk merr parasysh kush ka pushtetin, por i shërben komunitetit. Unë kam pasur edhe një biznes ambulant tek bashkia dhe në 6-7 vjet që kam punuar në verë, sivjet taksat e biznesit të vogël janë dyfishuar dhe mua e disa të tjerëve që jemi në strukturat e PD-së, kryetari i bashkisë na ka penalizuar duke mos na rinovuar lejen. Unë ju falënderoj për investimet, qoftë për rrugën Qukës-Qafë Plloçë dhe Lin-Pogradec, por në zonën ku unë punoj nuk ka asnjë akses në këto investime, sepse ne kemi dalje në Përrenjas. Jemi tre fshatra dhe segmenti është rreth 14 kilometra, ku 5 kilometra janë të asfaltuar dhe rreth 10 kilometra janë paasfaltuar. Kjo është një kërkesë e zonës ndaj qeverisë për këtë zonë.

 Kryeministri Berisha: Ju falënderoj për çështjen që ngritët. Së pari dua t’ju siguroj ju dhe gjithë mësuesit se në katër vitet që vijnë, rrogat tuaja do të jenë 700 dollarë, si dhe do të rriten të gjitha rrogat e tjera. Por them rrogat e mësuesve, sepse nëse administrata ka 75 mijë punonjës, 45 mijë janë mësuesit. Unë vlerësoj shumë punën e rolin tuaj.

Lidhur me biznesin e taksat, cilido që lexon do të gjejë vetëm një gjë: socialist baras rritje taksash. Socialistët e kanë absolutisht në doktrinë këtë, sepse është filozofi: merrja të pasurve. Por kjo filozofi nuk ka funksionuar, ka qenë rrënuese. Nuk ndihmohen të varfrit duke shkatërruar të pasurit. Absolutisht jo. Ka një studim të Universitetit të Oksfordit, të bërë në 800 mijë ndërmarrje europiane dhe botërore. Një studim dhjetëvjeçar. Dhe kanë gjetur se për çdo dollar të uljes së tatim fitimit dhe tatimit për të ardhurat personale nuk është sipërmarrësi ai që fiton më shumë, por punonjësit. Domethënë për çdo dollarë, 0.54 përqind e tij shkon për rritje rrogash, zgjerim të biznesit, krijim të vendeve të punës dhe përmirësim të kushteve të punës. Kjo është e vërteta dhe kjo ka funksionuar në Shqipëri. Nëse ulëm taksat dhe hymë në NATO, ne arritëm të marrim në kulmin e krizës europiane, 4.2 miliardë dollarë investime të huaja. Ne arritëm të bëjmë të zbarkojnë në Shqipëri jo një, por shumë e shumë kompani të mëdha botërore. Padiskutim që ulja e taksave ishte një faktor i rëndësishëm. Nuk ka turist, sado i pasur të jetë, të dojë të shpenzoj shumë, nuk ka biznesmen, kushdo që të jetë ai, që të dojë të  paguajë taksa më të larta. Ai preferon taksa më të ulëta dhe kjo është gjëja më normale. Përse nuk u thotë zoti Rama kryetarëve të bashkive të ulin taksat? Por këtë nuk e bën dot, pasi ata ndjekin modelin Rama dhe modeli Rama është modeli i trefishimit të paligjshëm të taksave. Vërtetë, ata duke bërë këto arbitraritete fusin më shumë në arkën e bashkisë dhe japin më shumë rroga, por do të krijonin shumë më tepër vende pune, në qoftë se do t’i linin taksat në nivelin ligjor.

Sa i përket tendencës partiake, ajo është jashtëzakonisht e dënueshme. Në mënyrë absolute nuk i kemi parë e shohim kurrë bizneset me ngjyrë partiake. Ju thatë shkollën, por dje unë e inaugurova rrugën e Kalasë së Dodës me një kryetar socialist, një njeri me integritet, që për hir të banorëve bëri vlerësimin më të madh të rrugës. U shkëput nga autobusi i shokut Rama dhe mbajti anën e banorëve të Kalasë së Dodës.

Përsa i përket rrugës, do të sigurosh banorët se do ta asfaltojmë. Do t’i kërkoj Fondit Shqiptar të Zhvillimit të plotësojë projektin dhe rrugën këtyre tre fshatrave do ta asfaltojmë.

Faleminderit për mbështetjen që po i jepni biznesit dhe për përpjekjet tuaja në 20 vite të tranzicionit të vështirë shqiptar. Sot drejtoj një biznes të ngritur në Hudënisht, një linjë të përpunimit të produkteve të liqenit të Ohrit, 15 produkte bio shqiptare. Unë kam një kërkesë, pasi kemi një vështirësi për përpunimin e produktit të liqenit të Ohrit, që është një liqen nga më i veçanti dhe pasuri kombëtare. Me mënyrën si kjo kompani ka nisur t’i përpunojë këto produkte, flamuri shqiptar do të ngrihet në të gjitha vendet e komunitetit europian dhe do kemi të drejtën e një tregtie globale. I kërkoj qeverisë që ju drejtoni, të ngrihet institucioni i mbrojtjes ë liqenit dhe brenda tij të aderojnë edhe biologë që të njohin mirë varietet, që liqeni të jetë i mbrojtur, të ketë fazat e tij kur të përpunohet dhe kur të bëhet vjelja e produktit. Një mendim të përgjithshëm, nga përvoja 20 vjeçare për qarkun  Korçës, një mundësi reale që qeveria duhet ta marrë parasysh në strategjinë e saj të zhvillimit janë resurset industria ushqimore dhe agroturizmi fushor e malor. Qeveria në politikat e saj të zhvillimit duhet të shohë që krahas zhvillimit intensiv të bujqësisë, paralel të jenë edhe linjat e agropërpunimit. Uroj që reformat në vazhdim të flasin Berishë, për faktin se ju jeni një reformator, hero kombëtar. Në qoftë se ka pikë të nacionalizmit dhe shqiptarizmit, ajo e ka emrin Sali Berisha. Shpresojmë që PD me ju në krye, më falni zotëri, po ju nuk jeni plakur, por jeni më i ri sesa keni qenë, keni edhe mbështetjen tonë dhe me reformat që keni ndërmarrë e me kurajë, ne do të arrijmë që në 3-4 vjet, Shqipëria të integrohet denjësisht dhe para Europës të shkojmë krenarë e jo kokulur.

Kryeministri Berisha: Çështjet që ngritët janë shumë serioze. Liqeni është pasuri përrallore e Pogradecit dhe Shqipërisë, por në bindjen time është një nga pasuritë më të mëdha të llojit të vet në Europë e më gjerë. Natyra, Zoti i ka dhënë gjithçka këtij liqeni. Jam plotësisht dakord me ju, që një autoritet për mbrojtjen e tij si pasuri e jashtëzakonshme natyrore është i domosdoshëm dhe do ta shqyrtojmë. Ndjehem shumë mirë, kur sot ujërat e tij janë më të pastrat, falë investimeve të bëra, investime që do të kompletohen. Ne do ta bëjmë këtë gjatë gjithë gjatësisë së tij dhe në pjesën shqiptare nuk do të derdhet asnjë pikë ujë të ndotur në liqen. Ne kemi vendosur që liqenin ta marrë në shfrytëzim shoqata e peshkatarëve. Kjo është e drejtë. Urojmë që ata të zbatojnë parime të drejta të gjuajtjes së peshkut dhe të mbrojtjes së liqenit. Sikundër edhe një autoritet mbikëqyrës është i domosdoshëm. Do të shtojmë gjithashtu përpjekjet tona për popullimin e peshqve, me rasatet e peshqve më të përhapur.

Ju shtruat një çështje shumë të rëndësishme. Agrobiznesi është jetik dhe shumë i rëndësishëm për t’i paraprirë rritjes së madhe që ne kemi në kohë të shkurtër, në prodhimin bujqësor. Po ju jap vetëm një shifër. Në vitin 2007 janë prodhuar gjithsej 3400 tonë ullinj, në vitin  2012 janë prodhuar 13 mijë tonë ullinj. Pra, një rritje shumë e madhe. Dhe kjo shifër është vetëm për rrethin e Vlorës. Berati prodhon më shumë, ai jep 27 përqind të prodhimit kombëtar të ullinjve. Në këtë mënyrë po ecin edhe prodhimet e tjera. Ndaj është jetike t’i paraprijmë këtij prodhimi. Ne do japim e po japim kredi të buta me përparësi absolute për agrobiznesin. Në qoftë se e konsiderojmë të domosdoshme, do të shkojmë drejt krijimit të bankës së zhvillimit, që do të ketë si synim kryesor ndihmën e biznesit shqiptar, me përparësi agrobiznesin. Kudo ku shkoj ka një kërkesë në rritje për këtë. Isha në Mat dhe atje kërkuan rritje të kapaciteteve ftohëse, për përpunim të lëngjeve, pasi pasioni për drurët frutorë po rritet gjithnjë e më shumë. Ndaj, ju siguroj se do të bëjmë çdo gjë, për të mbështetur agrobiznesin. Sikundër do të mbështesim edhe turizmin. Ne do të përgjysmojmë taksën për industrinë turistike. Çdo taksë e qeverisë që paguan sektori i turizmit do të jetë 50 përqind më e ulët.  

Në emër të qytetarëve të Pogradecin të vazhdojë me të njëjtën intensitet ndërtimi i shëtitores së qytetit, pale se dikujt i duket palo rrugë, por jo qytetarëve të Pogradecit. Lidhur me pyetjen time, me të drejtë qeveria shqiptare para dy vjetësh bëri ndalesën për dhënien e lejeve së ndërtimit, pushteteve lokale, pa miratuar studimet urbanistike. Por realisht ka një kolaps. Kërkesa ka në mënyrë marramendëse nga investitorë të ndryshëm, që duan të ndërtojnë objekte prodhime, kryesisht në fushën e agrobiznesit, por diku nga pamundësia e pushtetit lokal, në shumicën e rasteve nga mosdashje e tyre, studimet nuk janë miratuar dhe ndërtimi i objekteve të ndërtimit ka ngecur. Duhet gjetur një zgjidhje, pasi pengohet ndërtimi i tyre.

Kryeministri Berisha: Së pari, për shëtitoren jam shumë i gëzuar që po e bëjmë. Ajo do të jetë me ndriçim dhe do të llamburitë në të gjithë gjatësinë e saj. Ajo do të jetë një nga rrugët më të bukura, por ju e dini edhe vetë se nuk është e thjeshtë si rrugë. Në anën tjetër, ajo ka hekurudhën dhe kjo e kufizon mjaft, por ajo do të marrë gjerësinë që meriton dhe projekti është me trotuar e ndriçim, nga Lini në Tushemisht.

Çështja e dytë është shumë e rëndësishme, por asaj i kemi dhënë zgjidhje përfundimtare me dy vendimet e një muajve më parë. Mbi bazën e tyre, autoritet vendore kanë të drejtë të japin çdo leje për prodhim. Unë i kam kërkuar Ministrit të Brendshëm, përveç fletores zyrtare, t’ia nisë në zarf, këto dy vendime, çdo kryetari të qeverive vendore. Është e vërtetë se ligji i ri krijoi një lloj bllokimi dhe ky u bë një problem shqetësues. Këtë çështje ma kanë ngritur kudo. Isha në Hajmel në  Shkodër dhe kryetari i komunës më tha se me këto dy vendime ishte zgjidhur ky problem dhe se ata kishin tani të gjithë autoritetin për të ndërmarrë politika zhvillimore. Kështu që i është dhënë përgjigje e plotë kësaj çështjeje. Kryetari i komunës, kryetari i bashkisë ka autoritet të plotë për të dhënë leje.

Jam banor i Pogradecit prej disa vitesh. Interesi im është për gjuhën shqipe. Prej shumë vitesh merrem me studime në këtë fushë dhe sjell diçka të re. Teoria ime është se gjuha shqipe është gjuha e prodhimit të mjeteve të gjuhës për të gjitha gjuhët indoeuropiane dhe për këtë arsye vazhdoj studimet part time në universitetin e Korçës, por aty nuk kam mundësi të bisedoj me pedagogët, u bëj me qindra pyetje, por nuk marr përgjigje, u jap studimet e mia, por nuk marr përgjigje. Kam botuar edhe një artikull “Eqerem Çabej, shenjtori apo djalli i gjuhës shqipe” dhe për shkak të këtij artikulli, sivjet jam përjashtuar nga shkolla dhe pedagogët u thonë studentëve mos rrini me Agronin se është antikombëtar. Gjuha shqipe është simbolike dhe gjuhët që na rrethojnë janë konceptuale, të cilat kanë marrë si model gjuhën shqipe. Kërkoj nga ju zoti Kryeministër që të ketë liri më të madhe shkencore në universitete dhe studentët të kenë të drejtën e anketimit për personelin akademik. Nuk është e lejueshme që pedagogët të vijnë nga Tirana, të pyeten në auditore e të rrinë të heshtur si statuja. Për këtë i kam bërë dy letra rektorit dhe si përgjigje mora përjashtimin nga shkolla. Faleminderit.

Kryeministri Berisha: Zoti Agron, duke shprehur admirimin tim më të madh për përkushtimin tuaj ndaj gjuhës, e cila për të gjitha kombet është element themelor, por për ne është element kryesor identiteti. Duhet ta pranojmë këtë dhe kjo na ndihmon shumë, pasi identitetin nuk e kemi të bazuar në doktrina të tjera, por, në radhë të parë, tek gjuha e kultura jonë. Kjo përbën një avantazh të jashtëzakonshëm të këtij kombi, që bën thelbin e shumë virtyteve të tjera të tij. Nuk mund të them mbi çështjen që ju mbroni, është e njohur që gjërat e mëdha dhe gjërat e reja jo gjithnjë e kanë rrugën të hapur. Unë do ta përcjell çështjen tuaj tek autoritetet përkatëse, por unë besoj se njeriu ka për detyrë të mbrojë ato që beson dhe që i quan të drejta. Jo gjithnjë arrin në qëllimin që ka përcaktuar, por lufta për çështje të drejta është çështje e drejtë. Nuk mund të shprehem për vërtetësinë, por admirimi im për gjuhën shqipe është i pakufishëm. E vërteta është se kjo gjuhë ka nevojë të jashtëzakonshme edhe për t’u mbrojtur nga një agresion neologjizmash të pavend, ndonëse neologjizmat janë të pashmangshme, por të pavend dhe ka nevojë të thellohen studimet në doktrinë. Sot, kushtet e studimeve janë shumë më të mira e më të mëdha në të gjitha bibliotekat e botës. Kështu që unë do t’ia përcjell autoriteteve të arsimit problemin tuaj.

Zoti Kryeministër, vij nga emigracioni në Greqi dhe atje jemi në situatë të vështirë. Më pëlqeu shumë ajo që emigrantët do të ndihmohen për biznesin e tyre. Ne do të mbështetemi tek dokumentet që kishim në Greqi, apo do të kemi ndonjë lëshim? Së dyti, e kam për të majtët, se mos u ngjan si në Greqi me Papandreun që vajtën në vendin e katërt. 

Kryeministri Berisha: Së pari dua të bëj një shpjegim përse do të bëhet ky përjashtim për emigrantët. Përjashtimi do të bëhet, sepse emigrantët janë aksionarë ndër më kryesorët në zhvillimin e këtij vendi, me mbështetjen që ata u kanë bërë familjeve të tyre. Të mos harrojmë vëllezër se ne kemi kaluar në një proces shumë të vështirë,nga një skamje ekstreme dhe ata kanë qenë një faktor shumë i rëndësishëm, duke mbështetur me të ardhurat e tyre, qindra e mijëra familje, për të përballuar kushtet, tregun. Tani ata janë në vështirësi dhe në mirënjohje të asaj që kanë dhënë dhe në detyrim për t’i mbështetur, cilido prej tyre që vjen për të investuar në Shqipëri, do të jetë tre deri në pesë vjet pa asnjë taksë. Kuadri ligjor do të përpunohet, por fjala është fjalë dhe nuk lëvizet. Nuk do të ketë asnjë mëdyshje. Fushat do të klasifikohen, do të jenë tre, katër apo pesë.

Së dyti, ka një çështje themelore, e majta dhe çështja e saj. Në qoftë se vështroni këtë krizë, unë jam i bindur se çdo biznesmen e ka të qartë se një nga zhvillimet më pozitive të këtij vendi, pas anëtarësimit në NATO, ka qenë mundësia që ne i rezistuam krizës pa rënë në recesion. Dhe recesion do të thotë falimentim i dhjetëra mijërave bizneseve, do të thotë shkatërrim i dhjetëra mijërave të vendeve të punës, do të thotë zhytje e shoqërisë gjithnjë  e më poshtë e kthim i saj mbrapa. E majta me programin e saj është absolutisht e pashpresë. Çfarë bëri ai zotëria, që ky thotë se mori programin e tij? E katandisi vendin në çdo aspekt. Kudo e majta është totalisht e paaftë të përballet me këtë krizë dhe qeveritë e majta ikën njëra pas tjetrës, në Spanjë, Portugali. Shqipëria nuk ra në recesion vetëm e vetëm për shkak të politikës pro biznes dhe ishte biznesi shqiptar që e mbajti Shqipërinë jashtë recesionit, me sakrifica, me vështirësi, me borxhe, me detyrime. Këto janë realitete, por ky është realitet europian. Para dhjetë ditësh po bisedoja me një biznesmen fierak të suksesshëm, i cili prodhon xhinse të cilësisë më të lartë. Më tha se tregu i vendit po ecën dhe se kishte fiksuar si objektiv të prodhonte 40 mijë palë xhinse në vit ose 10 mijë pakë në muaj, por kishte vështirësi në tregun e jashtëm, pasi nuk ka likuidet. Blerësi i parë më thotë se blerësi i dytë që ishte në një vend të kapur jo dhe aq nga kriza, nuk më likuidon, - më tha. Pra, kriza krijon një zinxhir global problematikash, por, me gjithë këtë zinxhir, Shqipëria ruajti rritjen, se shqiptarët u treguan shumë të fortë në iniciativën e tyre të lirë. Ky zotëria tani thotë do të rris taksat, në mënyrë që edhe kjo rezistencë heroike e biznesit shqiptar ndaj krizës të shuhet. Ndaj e majta nuk ka platformë. E vërteta është se pas rënies së perdes së hekurt, përveçse ata që përdorën praktika të djathta, të tjerët të gjithë dështuan. Nuk ka perspektivë. Është një rrugë e rrejshme, është një rrugë që ka frymëzim të gabuar. Lexoni Manifestin e Partisë Komuniste, neni dy, taksa progresive. Por ajo rrugë është eksperimentuar. Nga kanali i Korfuzit në Kamçatka u bënë socialistë dhe falimentuan. Falimentoi edhe komunizmi e në radhë të parë nga ekonomia. Kjo është e njohur. Ai falimentoi ekonomikisht, ndaj u largua.  

Si mikpritës i këtij takimi dhe në emër të biznesit hotelier në Pogradec ju falënderoj. Ne kemi mundësi punësimi dhe jemi të prirur për të punësuar, por kemi nevojë për mbështetje në stafet profesionale  që të prezantohemi me stafe sa më dinjitoze, pasi dihet se qyteti i Pogradecit është bërë destinacion turistik dhe vizitohet nga turistë vendas e të huaj dhe ne duhet të japim maksimumin tonë në shërbime e t’i përcjellim sa më të kënaqur.

Kryeministri Berisha: Faleminderit për mikpritjen dhe për këtë organizim të shkëlqyer. Ne kemi krijuar një model të shkëlqyer në Durrës. Një fakultetet i Universitetit të Durrësit, FASTIP, është ngritur i tëri mbi bazën e partneritetit publik privat. Kjo do të thotë që kompanitë private rekrutojnë personelin e  tyre, e dërgojnë dhe e shkollojnë në këtë fakultet. Ç’është e vërteta, ky fakultet është  i vogël, por aty vijnë për të dhënë mësim, personalitete ndër më të shquarat e Europës. Ky shembull është i shkëlqyer për t’u ndjekur kudo. Ti ke hotelin dhe fare mirë mund përzgjedhësh menaxherin tënd të ardhshëm dhe  ai mund të shkollohet dhe të punojë ose të shkollohet e më pas të kthehet. Ne përgatisim punonjës për fushën e turizmit edhe në zona të tjetra si në Sarandë, Pogradec, por ky fakultet është më konkreti. Aty i gjeta të gjithë të punësuar. Studentët në atë fakultet më treguan se ku ishin punësuar, ose se me cilën sipërmarrje kishin kontratë për t’u punësuar. Nuk ka diskutim se formimi profesional për tregun  e punës do të jetë një nga drejtimet më themelore tona.

Edhe një herë ju falenderoj shumë përzemërsisht dhe ju siguroj se sëbashku do të bëjmë gjithçka që potencialet e jashtëzakonshme njerëzore, turistike, të biznesit dhe të bujqësisë të rrethi të Pogradecit të zhvillohen me shpejtësinë më të madhe, të bëjmë gjithçka, për punësimin e qytetarëve të Pogradecit, rritjen e mirëqenies së tyre, për Pogradecin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar, për integrimin tonë në Bashkimin Europian, ëndrra jonë.


02/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›