Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë në Bushat

“Të dashur banorë të Bushatit.
Vëllezër dhe motra.
Zonja dhe zotërinj.
Përshëndetjet më vëllazërore juve dhe të gjithë banorëve të kësaj komune. Mirënjohjen e pakufishme për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme gjatë gjithë këtyre viteve. Jam tek ju këtu për t'ju garantuar se sëbashku me deputetët e Shkodrës, me deputetin e zonës suaj Gjok Uldedaj, dhe deputetët e tjerë do të bëjmë gjithçka që projektet e këtij burri që ju drejton juve me aq përkushtim, me aq vendosmëri ti shndërrojmë në realitet dhe Bushatin ta shpallim një nga bashkitë e zhvilluara të vendit.
Bushati, këto vite ka njohur zhvillim të madh, po ndërtojmë një infrastrukturë ndër më modernet, rrugë, ujësjellësa, kanalizime. Fermerët e Bushatit, janë njerëzit më punëtorë e të mençur, që po ndërtojnë dhe lulëzojnë çdo ditë e më shumë fermat e tyre. Jam sot për t’ju garantuar juve në emër të qeverisë se katër vitet që vijnë, se ne do të trefishojmë grandet për fermerët e Bushatit. Se katër vitet që vijnë ne do të finalizojmë në Bushat infrastrukturën më moderne do të ndërtojmë rrugën Bushat-Velipojë, do të ndërtojmë çdo rrugë të kësaj komune, e cila ka merituar me kohë, që të jetë një bashki e nderuar midis bashkive të veriut dhe të Shqipërisë. Preokupimi ynë i madh në projektin tonë, është se ne synojmë të bëjmë gjithçka për të mbështetur suksesin tuaj. Mundi, djersa juaj të jetë më frytdhënëse, të begatoni më shumë familjen tuaj, komunitetin Bushatin dhe Shqipërinë.
Qytetarë dhe qytetare të Bushatit
Një seri projektesh të mëdha, të rëndësishme për rajonin dhe vendin, janë zbatuar këtu në Bushat. Hidrocentrali i Ashtës një kryevepër e vërtetë e prodhimit të energjisë me teknologji më të avancuar me ruajtjen më të madhe të mjedisit u përfundua dhe këtu ju banorët dhe drejtuesit e Bushatit keni meritën e madhe për marrëdhëniet e shkëlqyera që vendosët me këto kompani. Në Bushat ushtrojnë veprimtarinë 350 biznese. Me paketën e re fiskale me të cilën ne heqim taksat, tarifat për çdo makineri që ju nevojitet bizneseve të cilitdo lloj dhe materialeve të tjera për prodhim. Ne i japim një shtytje të madhe punësimit, biznesit, prodhimit në komunën e Bushatit. Ne do të shumëfishojmë kredinë e butë për agro-biznesin, do të trefishojmë grandet për fermerët, do të investojmë në një sistem modern vaditës.
Vëllezër dhe motra.
Unë mbetem borxhli i madh ndaj jush, fisnikërisë suaj dhe të gjithë banorëve të kësaj zone. Keni përjetuar përmbytje dhe jam dëshmitarë që me çfarë burrërie, më çfarë gjakftohtësie, me çfarë vendosmërie ju i keni kapërcyer ato. Jam këtu prapë për tu thënë se në mënyrë absolute do merrni qindarkë për qindarkë ato që ju takojnë dhe për këtë është garant qeveria dhe Sali Berisha. Nëqoftëse ato u shtynë, u shtynë sepse ligji përcakton se duhet ti paguajë KESH-i dhe sapo KESH-i erdhi në gjendje, qeveria nuk i mori, por përkundrazi i kërkoi asaj që paratë t’jua kthejë juve dhe do t’jua kthejë qindarkë për qindarkë. Alternativa jonë është alternativa e mundit e djersës , është alternativa e begatimit, e dinjitetit e ecjes përpara. Ju ftoj juve me 23 qershore të bëni gjithçka me një vendim solemn për ti dhënë Shkodrës, Shqipërisë mandatin e artë, mandatin e tetë për të sjelle Gjok Uldedën në parlamentin Shqiptarë. Gjok Uldedaj përfaqëson juve, vlerat tuaj. Deputetët e Shkodrës, përfaqësojnë juve, vlerat tuaja, interesat tuaja. Përballë nesh alternativa e mashtrimit tepër e rrezikshme për fermerët e Bushatit, fermerët e Shqipërisë.
Vëllezër
Shoku i autobusit që endet si Nastradini nëpër rrugët e Shqipërisë, ju deklaroi dje qytetarëve të Delvinës që do të heqim TVSH, do të heqim taksën e vlerës së shtuar për pesë produkte bujqësore. Kjo do të thotë t’ju kalbësh në ara grurin, kjo do të thotë t’jua falimentosh fermat e lopëve, sepse TVSH është mbrojtja që shoqëria shqiptare ju bën fermerëve shqiptarë nga ushqimet e importuara. Të heqësh TVSH e miellit, të grurit apo të bukës do të thotë që mielli, gruri që vjen nga Ukraina e Argjentina të fshijë çdo kalli gruri në Shqipëri. Të heqsh TVSH për qumështin apo vezën do të thotë që qumështi i lopëve të Bashkimit Europian, që marrin subvencion çdo ditë 3.5 euro, i juaji të mos mund konkurrojë kurrë me të dhe qumështi në shtëpitë tuaja të mbetet për tu derdhur. Të heqësh TVSH për vezët e pularive gjigande të Europës, do të thotë që pularitë tuaja të falimentojnë brenda gjashtë muajve. Të heqsh TVSH e ushqimeve do të thotë të godasësh në mënyrë fatale përpjekjen tuaja titanike për të ngritur në Shqipëri fermat konkurruese, për të prosperuar veten për të zhvilluar Shqipërinë.
Të heqsh TVSH për ushqimet do të thotë të rrëzosh përtokë fermat shqiptare, mundin dhe djersën e fermerëve shqiptar, sepse ajo është e vetmja mburojë që ju mbron juve nga një vërshim i gjithanshëm i prodhuesve gjigant të vendeve të tjera që marrin subvencione kolosale.
Qytetarë dhe qytetare të Bushatit
Nga autobusi i tij mavi, Nastradini, përpiqet t’ju mashtrojë ju dhe thotë se taksa e sheshtë është e pandershme. Lexoni Biblën, lexoni Kuranin të dhjetat janë taksa më e ndershme kësaj toke. Të dhjetat, janë taksa e Zotit , taksa e kohërave. Të gjitha taksat e tjera mbi të dhjetat janë shtypëse, shfrytëzuese dhe kurrë nuk duhet ti pranoni. Ky mashtrues, ky Nastradin që kalon me autobusin e tij mavi ju servir juve matematikën e mashtrimit dhe ju thotë juve se, me këtë taksë, deputeti dhe infermieri paguajnë të njëjtën taksë. Mashtrim i pa skrupullt. Deputeti me rrogën e tij 140 mijë lekë paguan me këtë taksë 14 mijë lekë, infermierja me rrogën e saj 40 mijë lekë, paguan me këtë taksë 4 mijë lek, paguan me këtë taksë tre herë më pak sesa deputeti. Kjo është taksa e ndershme, sepse ata që marrin më pak paguajnë më pak, ata që marrin më shumë paguajnë më shumë dhe sa herë më shumë marrin aq herë më shumë paguajnë. Ndaj dhe shoku i autobusit do t’ju paraqesë ju për të ndershme taksën e Marksit, taksën e Spiro Kolekës, taksën me të cilat rrënohen bizneset, rrënohet e ardhmja.
Qytetarë dhe qytetare të Bushatit
Me 23 qershor mandati juaj i tetë është mandati i artë. Është mandati i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave të vendosur, për të marrë statusin e vendit kandidat. Të vendosur për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Europian, të vendosur për krijimin e mijëra vendeve pune në Shkodër në Shqipëri dhe kudo. Të vendosur për rritje rrogash dhe pensionesh. Për zhvillimin e Bushatit, për zhvillimin e Shkodrës. Për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë Europiane.
Përpara, votoni numrin 44 Partinë Demokratike, votoni për punësimin.
Përpara, votoni numrin 44 Partinë Demokratike, votoni për Integrimin
Rroftë Bushati.
Rroftë Shkodra
Rroftë Shqipëria.”
03/06/2013