E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Ministrave diskuton dhe miraton disa projektligje të rëndësishme

Këshilli i Ministrave mori sot në shqyrtim dhe miratoi disa projektligje  të rëndësishme, njëri që lidhet me tokën bujqësore për të cilin kryeministri u shpreh se do të jetë një ndihmë më shumë për fermerët shqiptarë që duan të zmadhojnë fermat e tyre dhe të rrisin punësimin, si dhe  një projektligj për ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për taksat kombëtare” që përcakton përgjysmimin e plotë të taksave  për makinat e përdorura.

Kryeministri u shpreh se qeveria do të qëndrojë gjithmonë në favor të fermerëve dhe zgjidhjes së problematikave të tyre, në interesin më të mirë për ta dhe zhvillimit të sektorit të bujqësisë.

Më hollësisht, kryeministri Berisha u shpreh:

Sot këtu kemi një seri ligjesh dhe vendimesh, së pari përjashtojmë tokën bujqësore që shitet për qëllime bujqësore nga taksa 10 %. Kjo bëhet në mënyrë që të hapet mundësia e tregut të tokës dhe ky treg të jetë sa më i lirë. Kjo bëhet në përgjigje të kërkesës së fermerëve të cilët janë të vendosur të zmadhojnë fermat e tyre , të rrisin punësimin. Dje ne vizituam një fermë model e tha bukur njëri nga fermerët e tjerë, është identike si në Zvicër dhe në të vërtetë ishte një model. Presidenti i kësaj kompanie kishte 180 ha tokë me të cilët ushqente dhe mbarështronte 500 krerë lopë rrace të cilësisë së lartë. Të tjerë janë të interesuar të zgjerojnë fermat e tyre. Ai punësonte 40 punëtorë dhe në kohë piku 70 të till, por përseri fermerët zoti Bode kanë disa probleme të lidhura me tvsh sepse ne u njohim 6 % tvsh, ndërkohë që ata e shesin me 20 %. Pra midis grumbulluesve, blerësve dhe shitësve dhe blerësve të kompanive qe e tregtojnë në qytet janë krijuar disa probleme, të cilat ne do ti zgjidhim tërësisht në favor të fermerëve. 

Duhet parë se çfarë mund tu njohim ne atyre në mënyrë që ky sektor të inkurajohet sa më shumë. Problemi është se një handikap është krijuar aty dhe qeveria qëndron në anën e fermerit. Me asgjë nuk mund të dëmtohen interesat e tyre. Ku ka disnivel duhet të nivelohet.

Së dyti, një vendim tjetër i rëndësishëm për taksat kombëtare, përgjysmim i plotë i taksave  për makinat e përdorura dhe ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga i cili përfitojnë ata që kanë më pak dhe mendoj se është një vendim shumë i drejtë.

* * *

Kryeministri Berisha bëri të ditur sot vendimin për hapjen e zyrave këshillimore juridike falas në mbështetje të qytetarëve në nevojë, në të gjitha qarqet  e vendit. Kryeministri kërkoi nga ministri i drejtësisë që këto zyra të jenë të lidhura me të gjitha sistemet  e informatizuara që i duhen specialistit të zyrës për të këshilluar qytetarin

“Sot ne vendosim në këtë mbledhje edhe për hapjen e zyrave këshillimore juridike në mbështetje të qytetarëve në nevojë. Qytetarët shqiptarë do të kenë këshillim juridik falas në të gjitha qarqet e vendit. Do të kenë jo vetëm këshillim për çështje specifike, sepse ka prej tyre që nuk i afrohen dot avokatëve për shkak të tarifave që duhet të paguajnë, pasi kështu është rregulli. Ato do të kenë zyrat juridike, ndihmës juridike ku do të marrin këshilla falas. Këto zyra, zoti Halimi, duhet të jenë të lidhura me të gjitha sistemet e informatizuara që i duhen specialistit të zyrës për të këshilluar qytetarin. Pra ngritja e tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme.

* * *

Gjithashtu Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), si dhe të marrëveshjes ndërmjet republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin Trans Adriatik (projekti TAP)

Duke folur për këtë vendim , kryeministri e cilësoi marrëveshjen të një rëndësie shumë të madhe që dëshmon seriozitetin e madh, me të cilin Shqipëria ka përmbushur dhe përmbush çdo detyrim ndaj këtij projekti, më i madhi projekt rajonal i kohës së sotme.

Me këtë rast, kryeministri bëri një përmbledhje të shkurtër të vizitës së bërë në Azerbajxhan gjatë së cilës u takua me personalitete të rëndësishme politike, por edhe të botës ekonomike, të cilat vlerësuan përpjekjet serioze dhe mbështetjen e plotë që qeveria shqiptare ka dëshmuar gjatë gjithë këtyre viteve ndaj këtij projekti të madh rajonal.

“Sot qeveria ratifikon marrëveshjen për gazsjellësin Transadriatik, marrëveshje kjo  një rëndësie shumë të madhe, një marrëveshje që dëshmon seriozitetin e madh me të cilin Shqipëria ka përmbushur dhe përmbush çdo detyrim ndaj këtij projekti, më i madhi projekt rajonal i kohës së sotme.

Unë zotërinj ministra pata një vizitë të shkurtër në Republikën e Azerbajxhanit ku isha i ftuar nga qeveria e Azerbajxhanit dhe presidenti i Forumit Ekonomik Botëror për të marrë pjesë në këtë Forum organizuar në Baku. Gjatë qëndrimit tim në forum u prita nga autoritetet më të larta azere, Presidenti Alyev, kryeministri Razizade, me të cilin firmosa edhe një marrëveshje të bashkëpunimit ekonomik, indrustrial, teknologjik, takova presidentin e Socar, e kompanisë së fuqishme energjetike të Azerbajxhanit, takova konsorciumin  e Shah Deniz 2 që do të investojë 24 miliard dollarë vetëm në nxjerrjen e gazit nga kjo fushë, konsorciumi që përbëhet nga Socar, nga British Petrolium, nga Total Shtatoil. Klima ishte realisht optimiste. TAP është projekti më fizibël dhe koha po afron për vendimmarrjen përfundimtare, po shqyrtohen germë për germë dhe fletë për fletë të gjithë dokumentet e paraqitura pranë konsorciumit  të Shah Deniz 2. U ktheva me një optimizëm real për një vendim pozitiv, vendim i cili ka efekte të mëdha transformuese jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe më gjerë.

Pati një vlerësim shumë të madh për përpjekjet më serioze, mbështetjen e plotë që gjatë gjithë këtyre viteve qeveria shqiptare ka dëshmuar ndaj këtij projekti të madh rajonal. Vendimet e saj, në kohë, lobimi intensiv dhe i shumanshëm kanë vlerësimin më intensiv nga të gjithë ata që përcaktojnë në vendimin që do të merret këto dy muaj që vijnë.


10/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›