Kryeministri Berisha dënon dhunën e ushtruar gjatë procesit të numërimit në Fier e Rrogozhinë

Rezultati i votimeve nuk mund të ndryshohet me dhunën e Edvinit dhe të emisarëve të tij nga Peza
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe njëherazi kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë një deklarate për shtyp dje në selinë e PD-së , i cilësoi akte të shëmtuara ngjarjet e një nate më parë në Fier dhe i bëri thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste të respektojë ligjin dhe të presë me durim verdiktin e sovranit.
“Përkundrejt një trendi, një drejtimi thellësisht të qytetëruar, paqësor të procesit zgjedhor, 24 orët e fundit falangat e krimit të Partisë Socialiste, të udhëhequra nga Edi Rama bënë çdo përpjekje për të bllokuar këtë proces. Dje në orët e para të mëngjesit pas mesnate Andis Harasani deputeti i PS-së, me sjelljen e një banditi ordiner sulmoi me karrige njeriun e ligjit, komisionerin e PD-së në Rrogozhinë, para kamerave të lokalit, ku numëroheshin votat për fajin e vetëm se ky komisioner po zbatonte ligjin. Dje gjatë ditës Edi Rama përmes emisarëve të tij më komunikoi se ai kishte vendosur të mos njohë rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe se kishte vendosur të nxirrte popullin në protesta. Përgjigja ime ishte se ky është një vend i lirë dhe se qytetarët mundet lirisht të protestojnë. Është një standard i demokracisë shqiptare, i konsoliduar, por natyrisht rezultat zgjedhjesh me protesta nuk mund të ndryshojë. Me protesta do të mund të zhurmosh apo të mbrohesh nga humbja, apo nga rezultati i këtyre zgjedhjeve, por nuk mund ta ndryshosh”, tha kryeministri.
Berisha u shpreh se Rama dërgoi në Fier emisarë dhe njerëz të biznesmenit Koço Kokëdhima.
“Për koincidencë pikërisht emisarë, të cilët u dërguan për të komunikuar vendimin e Ramës për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe që kërcënuan se do të organizonin protestat më të fuqishme popullore që ka njohur vendi, rastisi të jenë biznesmenë në Tiranë dhe në Fier dhe ky është Koço Kokëdhima. Nuk mund të them se pashë ndokund Koçon në mes të protestuesve në Fier, por ajo që ishte e sigurt, aty ishte dërguar policia bashkiake e Ramës në Tiranë dhe disa punëtorë mjeranë të Koço Kokëdhimës, të udhëhequr nga Gramoz Ruçi”, shtoi kryeministri.
Kreu i qeverisë cilësoi se ai ishte një akt i ulët, një akt i shëmtuar. Berisha theksoi se Rama ka frikë nga rezultati i vërtetë, dhe ndaj tentoi që në Fier të përcaktonte rezultatin me hunj dhe me dhunë.
“Arsyeja e vetme është se donin të përcaktonin rezultatin me policët e bashkisë së Edi Ramës dhe me menaxherët apo kryepunëtorët e Koço Kokëdhimës. Akt i shëmtuar, mbajtën peng për orë të tëra komisionerët. U detyrova të dërgoj, për të mos acaruar situatën dy tre zonja, kandidate për deputete për t’u shprehur solidaritetin komisionerëve të mbajtur peng. Erdha këtu së pari për të kërkuar nga të gjithë qytetarët, mbështetësit, aktivistët e PD-së, një gjakftohtësi qytetare, për t’i bërë të ditur z. Rama se mund të protestojë, mund të organizojë çdo lloj proteste që të dojë, ky është vend i lirë. Por në mënyrë absolute nuk mund të ndryshojë as edhe me një votë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Pra i bëj thirrje të ndjek ligjin, të zbatojë ligjin. Askush nuk mundet që në këtë proces transparent të cenojë qoftë edhe një votë të vetme. Pra ai që mendon se mund të nxjerrë rezultate me dajak, ai është Don Kishot, një qesharak.
E ftoj zotin Rama të ruajë gjakftohtësinë, ishte një akt i shëmtuar, jashtëzakonisht i shëmtuar. U nis apo nuk u nis për në Fier nuk e di sepse mediat qenë kontradiktore, por që të krijonte skena të atilla për vendin, vetëm për të diktuar një rezultat me dajak, është një gjë e turpshme, shumë e turpshme”, u shpreh më tej kryeministri Berisha, ndërsa ju përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve.
Ngjarjet e djeshme risollën në kujtesë bllokimet që kanë ndodhur në proceset e kaluara zgjedhore. A po i prishim standardet edhe këtë herë?
Ngjarja e djeshme ishte tepër e shëmtuar. Ai ishte standardi i Edi Ramës, nuk ishte standardi i kësaj mazhorance dhe i qeverisë. Natyrisht zgjedhjet janë në proces shumë faktorial, por mendoj se ngjarjet e djeshme dhe ngjarja e shëmtuar në Rrogozhinë, kur Andis Harasani përdori imunitetin për të sulmuar si kafshë me karrige të tjerët para kamerës i regjistruar, do të shkojë në gjyq. Nuk mund të sulmojë njeriun e ligjit në orën tre të natës. Një njeri të thjeshtë, të panjohur, një deputet shkon dhe e sulmon në atë mënyrë. Kam besim se drejtësia do të japë verdiktin e vet ndaj tij. Ka pasur raste të largimit të komisionerëve, qoftë socialistë dhe demokratë, absolutisht në shumicën e rasteve kanë qenë nga lodhja, sepse ishte një punë me shumë tension dhe lodhje. Nuk mund t’i fajësoj ishin dy netë pa gjumë. Përgjithësisht ka qenë një proces shumë i mirë, me përjashtim të këtyre dy rasteve. Dhe në Bushat dihet që Famozi, përfaqësuesi i Ramës, e ka atë problem të fushatës. Ai është diku afër nga Trushi dhe do që të dalë vet në krye, por nuk e votoi as komuna e vet. As fshati i vet nuk e ka votuar, por s’ka asnjë rendësi për mua, pasi aty procesi po ecën normalisht dhe është mbyllur.
Procesi i numërimit zgjati jashtë parashikimeve, a do të rishikohet kjo porcedurë në proceset e ardhshme?
Po, ajo që ishte e paparashikuar, pra kohëzgjatja e numërimit me kamera do të korrigjohet. Në zgjedhjet e tjera do të përcaktohen qendra më të shumta numërimi, jo 64 sa janë, por mund të përcaktohen 128. Nuk do të hiqet dorë nga elektronika, është arritje e madhe. Fakti që këto qendra janë on-line është fantastike. Çdo votë zoti Rama mund të shkojë ta kontrollojë nga KQZ-ja. Mund të çojë të gjithë bashkinë e Tiranës të numërojë votat në KQZ, po të dojë çdo votë. Filmohen votat, por u filmua edhe Harasani, i cili i vërsulej si kafshë një njeriu në orën 3 të natës me karrige për t’i thyer kokën.
A shpresoni të merrni të tjera mandate në këto zona ende të pa numëruara?
Absolutisht nuk kam për t’u shprehur as shpresoj dhe as nuk shpresoj, vetëm do të pranoj atë numërim për të cilin nuk kam asnjë arsye të dyshoj. Po pata dyshim edhe unë mund të dërgoj stafin tim në KQZ dhe të rrijë aty para kamerave dhe të numërojë. S’ka dyshim kjo. Është numërimi më transparent që është bërë në ndonjë vend ndonjëherë. Çfarë rezultati do të dalë do të them po.
...