Presioni i Ndërkombëtarëve detyron Ruçin dhe falangat socialiste të zhbllokojnë procesin në KZAZ-në nr. 20 në Fier

Gramoz Ruçi dhe falangat e tjera socialiste, të etura për dhunë verbale dhe fizike ndaj komisionerëve të numërimit të votave në KZAZ-në e Fierit, kanë marrë dje një shuplakë të rëndë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, që ndjekin nga afër procesin zgjedhor në Shqipëri nëpërmjet vëzhguesve të tyre. Situata në KZAZ-në e Fierit, u acarua së tepërmi, kur xhaketat e vjetra si Gramoz Ruçi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani bënë thirrje anarshiste, kundër dërgimit të kutive të numërimit të votave në KQZ, për të bërë numërimin e plotë të votave.
Të urdhëruar nga Edvini, falangat socialiste tentuan të prishin standardin e zgjedhjeve në qarkun e Fierit, duke ndërhyrë me dhunë në komisionet e numërimit të votave dhe thirrjet anarshiste drejtuar masave të popullsisë, për të penguar zbatimin e vendimit të KQZ-së, për të numëruar në Tiranë kutitë e mbetura. Procesi i bllokuar prej disa orësh dhe që u diskreditua në përplasje fizike, u ndoq nga afër edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri, të cilët i tërhoqën vërejtjen Edi Ramës dhe e paralajmëruan të tërheqë menjëherë nga Fieri, falangat e krimit si Harasani, Ruçi dhe Islami.
Tre kutitë e votimit të zonës zgjedhore 20 në Fier, për të cilat komisionerët e Partisë Demokratike dhe ata të Partisë Socialiste nuk ranë dakord për numërimin, u nisën mesditën e djeshme drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Të shoqëruara nga forcat e policisë si dhe kryetari, nënkryetari dhe sekretari i kësaj KZAZ-je ato do t’i nënshtrohen rishqyrtimit në këtë komision.
Pas tensionimit të situatës një natë më parë, paraditen e djeshme gjithçka ka qenë e qetë, falë ndërhyrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Procesi i numërimit mbetet ende i bllokuar në zonën zgjedhore 18 në bashkinë e Fierit dhe në atë 19 në Patos, ku janë pa u hapur 5 kuti. Komisionerët e këtyre qendrave janë në pritje të një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërimin ose transferimin e tyre drejt Tiranës. KZAZ 18 në Patos është vizituar paraditen e djeshme nga vëzhgues të OSBE-ODHIR-it.
...