Kryeministri Berisha takon kryeministrin kroat Zoran Milanoviç

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryeministrin kroat Zoran Milanoviç, i cili ndodhet në Shqipëri, me ftesë të kryeministrit Berisha, për të festuar së bashku jubileun historik të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e kryeministrit kroat, si një kontribut tjetër të rëndësishëm dhe një sinjal të qartë të marrëdhënieve të shkëlqyera, miqësisë tradicionale, vullnetit të palëkundur të dy qeverive dhe popujve për të zgjeruar e forcuar edhe më tej, marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve e qeverive, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin frytdhënës e të suksesshëm që të dy vendet kanë ndërtuar dhe po konsolidojnë çdo ditëe më shumë, gjatë kësaj periudhe.
Kryeministri kroat Milanoviç e falënderoi kryeministrin Berisha për ftesën dhe pritjen e ngrohtë e miqësore dhe u shpreh se ndihej thellësisht i lumtur që ndodhej në Shqipëri në këtë ditë të shënuar për historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, mik të kombit kroat. Ai u shpreh gjithashtu se është një kënaqësi e veçantë që i jepet mundësia që urimet më të mira për popullin shqiptar, për zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë, për begatinë dhe prosperitetin e qytetarëve shqiptarë, t’ia japë personalisht kryeministrit Berisha, në këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët.
Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, vullneti i palëkundur për ti zgjeruar dhe thelluar ato, miqësinë tradicionale mes dy popujve, si dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve e kombeve tona.
Në takim u rikonfrmua gjithashtu vullneti i të dy vendeve për të bashkëpunuar në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe rajonal, si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e dy vendeve dhe popujve tanë.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e lartë dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme të tij, të qeverisë shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve për përparimin që Kroacia mike ka bërë gjatë kësaj periudhe, duke pritur që të bëhet anëtare e 28 e BE-së dhe i rikonfirmoi kryeministrit kroat gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar për të bashkëpunuar me vendin fqinj dhe mik të Kroacisë, në të mirë të integrimit evropian të rajonit, forcimit të bashkëpunimit dhe konsolidimit të paqes dhe të sigurisë në rajonin tonë.
Kryeministri kroat i rikonfirmoi kryeministrit Berisha vendosmërinë dhe angazhimin e plotë, të tij personalisht, të qeverisë kroate, të Kroacisë mike dhe të popullit kroat për të vijuar të mbështesin fuqishëm Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit në BE, duke vlerësuar se Shqipëria dhe populli shqiptar meritojnë anëtarësimin e plotë të BE, në një kohë sa më shpejtë.
Në këtë kontekst, ata ranë dakord që të vijojë bashkëpunimi i ngushtë përmes shkëmbimit të përvojave më të mira dhe në veçanti të përvojës të pasur kroate, në këtë proces. Gjithashtu u shpreh edhe angazhimi për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën ekonomike për tërheqjen e investitorëve të kroatë në Shqipëri për të shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme që Shqipëria ofron, përmes një klime të përshtatshme për biznes dhe investime që ekziston në vend.
Duke e uruar edhe njëherë kryeministrin Berisha dhe popullin shqiptar për ftesën për festën kombëtare, të dy homologët rikonfirmuan se do të vijojnë takimet në nivelet më të larta politike, si një kontribut i rëndësishëm në nxitjen dhe promovimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, në dobi të të dy popujve miq dhe paqes e stabilitetit në rajon.
28/11/2012