E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha shtron drekë zyrtare për të ftuarit në kremtimet për 100 vjetorin e pavarësisë

Kryeministri Berisha shtroi sot një dreke zyrtare, për nder të  350 të ftuarve të huaj dhe nga vendi, të pranishëm në kremtimet për 28 nëntorin që shënon 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Në drekë ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, Presidentja, Kryetari i Kuvendit  dhe Kryeministri i Kosovës, Presidenti i Malit të Zi, Kryeministri i Hungarisë dhe ai Kroacisë, Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë, Zëvendëskancelari i Austrisë, Zëvendëskryeministri i Turqisë, Presidenti i PPE, si dhe ministra e zyrtarë të tjerë të lartë të një numri të madh shtetesh, përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, politikanë, përfaqësues të medias, miq të shquar dhe me kontribut në zhvillimin e Shqipërisë ndër vite.

Në nisje të drekës, Kryeministri Berisha i falenderoi ata për pjesëmarrjen dhe shprehu mirënjohjen e thellë ndaj të gjitha vendeve e kombeve mike për mbështetjen dhe ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh. 

“Të dashur miq, përfaqësues delegatë të dërguar të vendeve mikë, është një nder i veçantë t’ju përshëndes përzemërsisht, për praninë tuaj në këtë ditë historike të kombit shqiptar, të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj jush, që na keni nderuar kaq shumë me ardhjen tuaj, ndaj vendeve dhe kombeve tuaja mike, ndaj të cilave ndihemi  në këtë ditë më shumë se kurrë të detyruar.

Të dashur miq,

Sot, ne kremtojmë 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ka qenë një ndër lindjet më të vështira në Europë. 100 vjet më pare, kur Ismail Qemal  Vlora dhe burrat e tjerë të kombit shpallën pavarësinë e Shqipërisë, njëkohësisht kombi im u përball me aleanca, të cilat synonin copëtimin përfundimtar të trojeve të tij. Më pas u përball me luftëra, pushtime dhe diktatura të egra. 

Historia 100 vjeçare e shqiptarëve në një mënyrë apo në një tjetër riprodhon historinë  tyre  mijëravjeçare. Kushdo që vështron në këtë histori gjen një ngjashmëri të madhe me Feniksin. Në kohëra të shkuara, kombi shpesh herë është gjetur para alternativës të jetë apo të mos jetë dhe ndoshta të shumtë kanë qenë ata që kanë menduar se nuk do të mund të ishte më tutje, por ai është ngritur si Feniksi mbi hirin e tij, falë armëve të tij dhe ka mbijetuar. Në këtë shekull të vështirë, në të gjitha momentet, kombi im ka pasur  mbështetjen e madhe të kombeve tuaja më të vjetra. Kjo është e vërtete në përpjekjet e tij për t’u çliruar nga pushtimet. Kjo është e vërtetë në përpjekjet e tij për të dalë nga diktatura. Kjo është e vërtetë për të ndërtuar lirinë, vlerat e saj në sistemin demokratik. Kjo është e vërtete për t’u çliruar nga të tjerët, në trojet e tij etnike. Kështu që ne takohemi dhe mblidhemi sot, këtu, me miq të mëdhenj dhe të vërtetë, që kanë kontribuar kaq shumë në lirinë e kombit tim, kanë mbështetur aspiratat e shqiptarëve për liri, dinjitet dhe integrim. Kjo mbështetje ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për çlirimin e Kosovës, për  përpjekjen e shqiptarëve për integrim Europian.

22 vjet më parë kombi shqiptar jetonte në një mjerim të paimagjinueshëm për Europën.  Ai erdhi në agun e lirisë me vetëm 204 dollarë të ardhura për frymë. Sot, ai renditet  në kombet më të ardhura të mesme të larta. Në një hark kohor të shkurtër, ai ka rritur me rreth 30 herë të ardhurat e tij për frymë. Në çdo rritje janë mundi, djersa, paratë e taksapaguesve tuaj, të  dashur miq, është ndihma juaj bujare, ndihma bujare e  Shteteve të  Bashkuara të Amerikës   dhe vendeve të mëdha të Bashkimit Europian,  vendeve të tjera mike nga Europa, Azia dhe mbarë bota.

Ndaj edhe unë, në këtë ditë dhe në këtë moment dua të ngre këtë shëndet për ju, të dashur miq të pranishëm në këtë sallë, familjet tuaja, qeveritë dhe kombet tuaja, të uroj një miqësi e bashkëpunim me vendin dhe kombin tim qindra dhe mijëravjeçar. Gëzuar.”


28/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›