Kryeministri Berisha feston në Vlorë ngritjen e Flamurit në ditën e shënuar të 100 vjetorit të pavarësisë

Sot, më 28 nëntor 2012, 100 vjet më pas nga dita, kur në Vlorë u shpall pavarësia e Shqipërisë, Kryeministri Berisha dhe personalitetet më të larta të vendit, Presidenti i Republikës zoti Bujar Nishani, Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, Kryetari i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama, personalitetet më të larta politike nga trevat shqiptare, midis të cilëve Presidentja e Kosovës, zonja Ahtifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës, zoti Hashim Thaçi, diplomatë të huaj, drejtues dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora e mbarë bota, si dhe miq dhe dashamirës të Shqipërisë u mblodhën në Vlorë, qytetin simbol të flamurit dhe qëndresës për liri e pavarësi, ku u pritën nga kryetari i Bashkisë së qytetit, zoti Shpëtim Gjika dhe autoritetet e tjera lokale.
Ceremonia solemne u zhvillua në Sheshin e Flamurit, pranë Monumentit të Pavarësisë, ku mijëra qytetarë vlonjatë dhe nga mbarë trojet shqiptare ndoqën aktin e ngritjes se Flamurit dhe homazhet e vendosjen e kurorave me lule në varrin e Ismail Qemalit.
Më pas, Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, zoti Shpëtim Gjika iu drejtuan të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse.
28/11/2012