Kryeministri Berisha dhe Nathaniel Rothchild diskutojnë konkretizimin e projekteve turistike në Shqipëri

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në Davos një takim me Nathaniel Rothchild, pjesëtar i familjes së Lordit Rothchschild, ky i fundit anëtar i Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe dhe nga përfaqësuesit prestigjioz të botës financiare në Britaninë e Madhe.
Biseda u përqendrua në bashkëpunimin në fushën e turizmit në Shqipëri, ku zoti Rothchild shprehu interes të madh për bregdetin shqiptar, veçanërisht atë jonian. Kryeministri Beriha dhe Nathaniel Rothchild diskutuan gjithashtu për koordinimin e investimeve me synim lidhjen midis disa zonave të rëndësishme turistike të vendit, Finiqit, Butrintit dhe Fushës së Dropullit dhe mbi mundësitë e financimit të një pakete turistike rajonale.
Duke i bërë një panoramë të zhvillimeve në vend, reformave ekonomike dhe fiskale që ka ndërmarrë qeveria, si dhe të luftës së pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Kryeministri theksoi se të gjitha këto synojnë shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja dhe turizmi është një nga fushat ku potencialet që ofron vendi ynë janë të jashtëzakonshme. Kryeministri u shpreh se turizmi ka shënuar rritje të madhe gjatë këtyre dy viteve në Shqipëri dhe janë hedhur bazat për një bum turistik në vitet në vijim. Në vitin 2007, theksoi Kryeministri, nuk u shënua asnjë incident me turistët në Shqipëri.
Zoti Rothchild u shpreh se Shqipëria ka një bregdet të mrekullueshëm dhe së bashku me një grup ekspertësh do ta vizitojë atë për të parë nga afër potencialet turistike që ofron bregdeti shqiptar.