E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon biznesmenin e njohur Shafik Gabr, drejtor menaxher i shoqërisë ARTOC Group për Investim dhe Zhvillim

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim në  mjediset e Forumit Botëror Ekonomik me M. Shafik Gabr, drejtor menaxher i shoqërisë ARTOC Group për Investim dhe  Zhvillim.

Kryeministri Berisha e njohu biznesmenin Gabr me masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për tërheqjen e sa më shumë investitorëve të huaj në Shqipëri. Në këtë kontekst, Kryeministri prezantoi dhe një sërë reformash në sektorin ekonomik, të cilat do t'i shërbejnë këtij qëllimi. Duke theksuar se tashmë Shqipëria renditet si vendi me sistemin e taksave më të ulta në Evropë, Kryeministri i bëri të ditur zotit Gabr rezultatet e arritura në sajë të ndërmarrjes së një revolucioni fiskal.

Kryeministri Berisha e njohu, ndër të tjera, biznesmenin Shafik Gabr, me projektet e rëndësishme, të cilat do të realizohen në bashkëpunim me firma të njohura ndërkombëtare, për fuqizimin e infrastrukturës rrugore, si dhe ndërtimit të aeroporteve të reja në vend.

Nga ana e tij, zoti Shafik Gabr, i cili së shpejti do të vizitojë Shqipërinë, shprehu interes të veçantë për nismën e ndërmarrë nga qeveria “Shqipëria 1 euro”, si dhe për ecurinë e platformës për zhvillimin e turizmit, pjesë e rëndësishme e programeve të qeverisë. Zoti Gabr u interesua në mënyrë të veçantë për mundësinë e investimeve në  bregdetin shqiptar, si dhe në industrinë e rëndë dhe infrastrukturë.

Biznesmeni Gabr u shpreh se masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e sistemit fiskal si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka bërë që Shqipëria të jetë një ndër vendet më atraktive për investime te huaja në rajon. Zoti Shafik Gabr u shpreh se shoqëria që ai përfaqëson në një kohë shumë të afërt do të jetë e pranishme në Shqipëri për paraqitjen e projekteve për investim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›