E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe Shefi i Delegacionit të KE-së në Shqipëri, Ambasadori Lohan nënshkruajnë marrëveshje financiare

Ministrja e Integrimit Evropian, Znj. Majlinda Bregu dhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri,  Ambasadori Helmuth Lohan, nënshkruan sot marrëveshjen financiare mes qeverisë shqiptare dhe Komisionit Evropian për vënien në jetë të ndihmës financiare të Bashkimit Evropian nën Intrumentin e Ndihmës së Para Anëtarësimit (IPA) 2007 Programi Kombëtar.

Ky instrument është një vazhdimësi e Programit CARDS që ka mbështetur Shqipërinë gjatë periudhës 2000-2006, me një fond prej 279.4 milion Euro.

Pas nënshkrimit të Marrveshjes Financiare, Mininstrja e Integrimit theksoi se në kuadrin e Programit IPA 2007, nga ana e Komunitetit Evropian jepet një grant me një shumë totale prej 50 milionë euro, për përfitimin e të cilit është i nevojshëm nënshkrimi i kësaj marrëveshje financimi ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Evropiane. Mbështetja financiare do të jetë në tri akse kryesore: mbështetje për përmbushjen e kërkesave politike, atyre social ekonomike dhe standarteve evropiane.

Ajo çka vlen të përmendet është se një pjesë e madhe e këtyre fondeve reth 35.5 milion euro do të mbështesin investime në infrastrukturë. Në këtë kuadër, theksohen ndërtimi i dy qendrave të reja të paraburgimit, në Fier dhe në Elbasan. Këto projekte do të adresojnë kështu çështjen e mbipopullimit të mjediseve të paraburgimit dhe përmirësimin e respektimin e të drejtave dhe të kushteve të jetesës të të parandaluarve.

Gjithashtu, një shumë prej 24 milion Euro do të mbështesë ndërhyrje në përmirësimin e Sistemeve të Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri. Ky projekt do të financojë rehabilitimin dhe ndërtimin e sistemeve ekzistuese të kanalizimeve në qytetin e Shkodrës, ndërtimin e një Sistemi Kanalizimesh të ri dhe Impianti për Trajtimin e Ujërave në qytezën e Velipojës, dhe ndërtimin e një Sistemi Kanalizimesh në qytezën e Shëngjinit dhe në zonën e plazhit në Golem, Durrës.

Por fondet e IPA 2007, do të mbështesin dhe forcimin institucional të vendit tonë me qëllim përballimin e detyrimeve në rrugën e integrimit të vendit. Si të tillë mund të përmendim vazhdimin e projektit PAMECA III, i cili synon përmirësimin e funksionimit të Policisë së Shtetit; mbështetje për harmonizimin e Statistikave Shqiptare me standardet e BE-së dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave; mbështetje për SME-të për t’u bërë më konkurruese në Tregun e BE-së duke siguruar shërbime të cilësisë së lartë në menaxhimin modern, novacionin dhe transferimin e teknologjisë. Duke qënë se përgjegjësia për implementimin e IPAs në vitet në vijim do të transferohet tek autoritetet kombëtare, IPA 2007 do të mbështesë dhe përgatitjen e Autoriteteve Shqiptare për Decentralizimin e Menaxhimit të Asistencës së BE-së.

Në fund të takimit, Ambasadori Lohan theksoi se “me programin e Parë Kombëtar IPA, Komisioni Evropian tregon mbështetjen e tij të vazhdueshme për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›