Kryeministri Berisha: Komunat përreth do të kenë zhvillim harmonik me qytetin e Tiranës
Kryeministri Berisha deklaroi sot në mbledhjen e KRRTRSH-së se do t`i jepet një zhvillim harmonik qytetit të Tiranës me komunat përreth. Gjatë shqyrtimit të studimit urbanistik pjesor për komunën e Farkës, Kryeministri theksoi se do të vendoset një rregull i rreptë në zhvillimin e komunave që ndikojnë në jetën e qytetit të Tiranës.
Më tej Kryeministri theksoi se këto studime pjesore nuk mund të përdoren për t`i konsideruar këto komuna si qytete të veçanta pasi ato janë një kompleks harmonik me gjithë qytetin.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij u shpreh:
“Kodrat e Tiranës nuk do të vishen me pallate dhe mendoj që të gjitha këto të shkojnë në KRRT e Tiranës të marrin dhe atje një visto dhe pastaj të vijnë këtu sepse do t`i japim një harmonizim zhvillimit të Tiranës . Ne duhet të vëmë një rregull të rreptë në zhvillimin e komunave përreth, të cilat ndikojnë thellësisht në jetën e këtij qyteti. Qesaraka nuk mund të përsëritet më, prandaj ne duhet të kemi një vetëdije për këtë. Do të ketë një zhvillim krejtësisht të ndryshëm nga ajo që dikton babëzia. Nuk mund të pranojmë miratimin e një plani, në të cilin parashikohet ndërtim i i pallateve 8 katëshe. Këto studime pjesore dhe këto zona nuk do të mund të përdoren si qytete të veçanta sepse janë një kompleks harmonik me gjithë qytetin. Komuna e Farkës është e banorëve të Tiranës , është e gjithë qytetarëve të vendit. Të ndërtohen në kodra pallate tetë katëshe është e papranueshmë. Unë mendoj që KRRTRSH duhet të vendosë që të gjitha projektet e komunave përreth duhet t`i nënshtrohen edhe një mendimi nga qarku dhe nga KRRT-ja e qytetit, të cilët duhet të sjellin një mendim para se KRRTRSH të vendosë sepse janë bërë batërdira në komunat përreth që në fund të fundit është gjëja më e bukur e këtij qyteti. Po i shkëtërruam edhe këto, atëherë asgjë nuk i mbetet Tiranës. Të paktën Farkën kemi mundësi ta ruajmë sepse kemi një studim arkitektësh.
Standardet do të jenë të shfrytëzimit më minimal, nëse do të vendosim të ndërtojmë. Duhet të ketë një bashkërendim pavarësisht se kryetari i Bashkisë nuk ka bërë as planin e Tiranës, por një mendim duhet ta japë dhe një diskutim më i gjerë duhet të bëhet sepse ajo që ka ngelur në këtë qytet është Farka. Nëse do të vendoset për ndërtime do të vendoset shfrytëzimi 20-25 %. Babëzia nuk do të mund të na mposhtë, ne do t`i qëndrojmë një shfrytëzimi racional dhe ajo është një zonë pa infrastrukturë.
Nuk do të ketë një qindarkë investim në rast se ato para nuk dalin nga zhvillimi asaj zone, dhe kjo do të zbatohet për çdo zonë në Shqipëri.
Qytetarët e tjerë paguajnë taksa për të zhvilluar zonën e vilave, apo zona në bregdet kurse pronari apo zhvilluesi të gjitha paratë i fusin në xhepat e tyre. Kjo nuk do të ndodhë më. E kam kërkuar në mënyrë të përsëritur ligjin e ri të urbanistikës i cili do të përcaktojë kushte të qarta mes taksapaguesve. Vendi është në një situatë të padrejtë të trashëguar dhe duhet t`i vëmë një fre dhe nuk mund të ecim verbërisht. Do të ndërtohen raporte të reja sepse përndryshe nuk do të mund të investohet. Duhet të përcaktojmë me shpejtësi rregulla të tjera sepse kështu vetëm sa e polirazojmë shoqërinë dhe krijojmë hendeqe të mëdha.
Taksa për ndërtimin e infrastrukturës do të vendoset dhe do të jetëthelbësore do të vendoset për zhvilluesin dhe pronarin ndryshe nuk do të ketë rrugë pasi shteti nuk mund ti përqëndrojë investimet vetëm në një vend. Kështu po krijojmë një çarje të madhe në shoqëri.
E domosdoshme është të paraqitet çdo lloj ndryshimi që i bëhet planit të miratuar. Mund të ndryshojë, por kërkon argumentim.
Është domosdoshmëri dhe është në detyrimin e komunës së Farkës të ballafaqojë gjithçka me Planin e Përgjithshëm. Është në detyrimin e qarkut të ballafaqojë çdo gjë me Planin e Përgjithshëm, dhe është në detyrimin moral që kjo të konsultohet edhe me hartuesit e planit kur është e mundur. Është shumë shqetësues fakti që plani ka ndryshuar. Të gjithë ishim shumë të kënaqur që miratuam këtë Plan të Përgjithshëm për këtë pjesë shumë të bukur të Tiranës. Këshilli i komunës duhet të tërhiqen menjëherë nëse ka marrë vendime që dalin jashtë këtij plani.
Është gjëja më e papranueshme që të zhvillohen në mënyrën më dis-harmonike zonat përbërëse të kryeqytetit. Ne nuk bëjmë politikë në këto çështje. Ne shohim interesat e qytetarëve.
Prandaj ne do të përcaktojmë rregulla të reja mes zhvilluesve apo pronarëve dhe shoqërisë shqiptare.