E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Komisionerin e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut z.Thomas Hammarberg

Kryeministri Berisha mirëpriti pasditen e së shtunës Komisionerin e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, zotin Thomas Hammarberg.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Hammaberg diskutuan për zhvillimet më të fundit në vend,  duke u përqëndruar në mënyrë të veçantë në  respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Shqipëri.

Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha e njohu komisionerin Hammarberg me standartet e jetesës së minoriteteve në Shqipëri, të cilat janë përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme. Kryeministri u shpreh se janë arritur standartet e OSBE-së, në arsimimin fëmijëve të minoritetteve, si tek fëmijët romë, ashtu dhe ato të minoriteteve  të tjera. Kryeministri theksoi se qeveria do të vazhdojë përpjekjet, nëpërmjet hartimit të programeve të posaçme për punësimin, arsimimin, si dhe strehimin e tyre. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në minoritetin grek që jeton në Shqipëri, Kryeministri u shpreh se tashmë përfaqësues të tyre janë pjesë përbërëse e qeverisë shqiptare.

Më pas, Kryeministri Berisha e njohu zotin Hammberg me  masat e ndërrmarra nga qeveria për garantimin e lirisë së mediave, ku u ndal në mënyrë të veçantë në vendimin për disa ndryshime në Kodin Penal , vendim ky që dekriminalizon shpifjen dhe u garanton gazetarëve mbrojtje penale në ushtrimin  e fjalës së lirë.

Gjatë takimit, Kryeministri e njohu zotin Hammaberg me thellimin e reformave të ndërrmarra nga qeveria shqiptare në fusha të rëndësishme si në ekonomi, drejtësi, arsim, shëndetsi etj. Kryeministri theksoi se vendosja e standardeve të reja  nëpërmjet reformave,  synon zhvillimin me ritme të shpejta të ekonomisë së vendit, luftën kundër informalitetit dhe ekstralegalitet, konsolidimin dhe forcimin  e mëtejshëm të shtetit ligjor, si dhe një arsimim më të mirë dhe cilësor për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë.

Nga ana e tij, Komisioneri i Këshillit të Evropës, zoti Hammaberg, duke falenderuar për mikpritjen, inkurajoi zhvillimet pozitive në drejtim të garantimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe u shpreh i vendosur për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Delegacioni i KE-së gjatë qëndrimit disaditor në Shqipëri do të vizitojë disa qytete të vendit dhe do të hartojë një raport lidhur me respektimin  e lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›