E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha diskuton me përfaqësues vendorë të qarkut Dibër, për thellimin e decentralizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Gjatë vizitës në Peshkopi, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të zgjeruar, në Pallatin e Kulturës, me kryetarët e njësive vendore, bashki dhe komuna, të qarkut Dibër, me praninë edhe të deputetëve të qarkut, drejtuesve të administratës shtetërore, përfaqësues të shoqërisë civile që veprojnë në këtë qark. Takimi kishte qëllim diskutimin mbi forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit rajonal dhe decentralizimit. Kryeministri Berisha u fokusua në dy çështje kryesore: thellimin e decentralizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.  

Kryeministri Berisha dëgjoi me vëmendje problematikën e prezantuar dhe kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit vendorë, kryesisht të lidhura me infrastrukturën në tërësi. Kryeministri i siguroi për mbështetjen e plotë dhe pa dallim të qeverisë, për çdo projekt të tyre që lehtëson e përmirëson jetën e banorëve në qarkun e Dibrës, sikundër kudo në vend.

Duke folur për rëndësinë e decentralizimit dhe vendosmërinë e qeverisë për ta thelluar më tej atë, Kryeministri i njohu përfaqësuesit e pushtetit vendor me vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë një hap të madh të në drejtim të decentralizimit fiskal, përmes transferimit të taksave pushtetit vendor. Kështu, nga 27 taksat kombëtare, qeveria do të mbajë vetëm 6 dhe të tjerat do t’ia transferojë pushtetit vendor, po ashtu 25 për qind të çdo rente, do t’i kalojë pushtetit vendor.

“Ne, - tha Kryeministri - do të përpiqemi që të ardhurat kombëtare të ndahen shumë më mirë, sesa janë ndarë deri më sot. Por të gjitha këto kërkojnë që ju të merrni në dorë me përkushtimin më të madh udhëheqjen e zhvillimit të komuniteteve që ju drejtoni.”

Një çështje të një rëndësie jetike për të ardhmen e vendit, Kryeministri konsideroi zhvillimin e qëndrueshëm, duke e përcaktuar zhvillimin e qëndrueshëm “promotor i ndërtimit të së ardhmes” për ata që “vijnë pas nesh.”

“Ne i kemi të gjitha potencialet, si rrallë ndonjë vend tjetër, për të ndërmarrë këtë proces historik për vendin, për të bërë çdo hap në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi Kryeministri.

Në funksion të arritjes së këtij qëllimi, Kryeministri u bëri thirrje drejtuesve vendorë të hartojnë programin dhe strategjinë e zhvillimit të komunës së tyre, ku të përparësojnë burimet e tyre më të mira. Kryeministri vlerësoi si potenciale që mund të përparësohen në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, burimet ujore, turizmi, zhvillimi i projekteve të drurëve frutorë etj..

“Ne - tha Kryeministri - duhet të jemi shumë ambiciozë. Ne jemi në garë dhe nuk duhet të jetojmë asnjë minutë me kompleksin e të shkuarës. Ne ia dalim! Kjo duhet të jetë motoja jonë.”

Kryeministri u ndal edhe në një çështje të mprehtë, pastrimin dhe mbrojtjen e mjedisit, duke u kërkuar drejtuesve vendorë të ndërmarrin çdo lloj veprimi, për një territor të pastër.

Gjerësisht lidhur me këto çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh falënderimin dhe vlerësimin tim të madh për punën me përkushtim që keni bërë e bëni, në projektin më të mirë për qytetarët e Dibrës dhe banorët e këtij qarku, zhvillimin e tij. E vërteta është se ne, shqiptarët, kemi trashëguar një prapambetje të theksuar që ka rënduar e rëndon edhe sot mbi supet tona. Deri në 2004, edhe Peshkopia ka trashëguar sistemin më të shkatërruar rrugor dhe përveç rrugës kombëtare, nuk ka pasur asnjë kilometër rrugë tjetër të standardeve të mira, të asfaltuara. Por kjo nuk ka qenë vetëm në Peshkopi. Pesë vjet më parë, në Peqin, që është fare pranë Tiranës, me prefektin kemi inauguruar rrugën e parë të asfaltuar në të gjithë rrethin e Peqinit, përveç aksit kombëtar. Solla në vëmendje Peqinin, për të mos thënë Tropoja apo vende të tjera, sepse Peqini është ngjitur me Tiranën dhe e mora këtë shembull për të theksuar atë trashëgimi që kemi. Ajo çka na inkurajon shumë është ndryshimi i shpejtë që ne sëbashku ia kemi dalë. Të mos harrojmë se absolutisht ajo që kemi bërë ne nuk është as 1/10 e asaj që kanë bërë shqiptarët për veten e tyre. Shqipëria tjetër është sot, vepër e mundit dhe djersës së tyre, por ne qëndrojmë fuqishëm për të mbështetur suksesin e çdo familjeje shqiptare. Në këtë kontekst, ne jemi marrë në mënyrë intensive me shollat, me shtrirjen e internetit, jemi marrë me prioritet me rrugët e ujësjellësit, vetëm sot kemi inauguruar rrugë automobilistike për mbi 30 mijë banorë, çka ndryshon jetën e tyre në mënyrë thelbësore. Në të gjithë qarkun kemi ndërtuar e asfaltuar rreth 395 kilometra rrugë, mbi 200 kilometra janë në ndërtim e sipër nga Qafë Studel, në kalanë e Dodës, në Skurraj, në Komsi e kudo. Ne do t’i japim Dibrës e mbarë Shqipërisë infrastrukturën më moderne, me të cilën çdo qytetar dibran, çdo qytetar shqiptar të kursejë 60 për qind të kohës për të kapur metropolin dhe tregun e madh të vendit.

Miq të mi, ka një moment historik për ne dhe ky moment është të përqendrohemi e të projektojmë zhvillimin e qëndrueshëm. Njëri aspekt është zhvillimi, por detyrimi ynë është zhvillim i qëndrueshëm. Kjo nënkupton zhvillimin për të ardhmen e atyre që vijnë pas nesh. Një zhvillim, që ata që vijnë pas nesh të mos kenë nevojë të bëjnë prapaktheu, por ta kenë si trashëgiminë më të mirë këtë që bëjmë ne, sot dhe ta çojnë më përpara për ata që vijnë. Një zhvillim, promotor i ndërtimit të së ardhmes dhe jo një zhvillim që komprometon të ardhmen. Ky është zhvillimi i qëndrueshëm. Ne i kemi të gjitha potencialet, si rrallë ndonjë vend tjetër, për të ndërmarrë këtë proces historik për vendin, për të bërë çdo hap në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm. Ne jemi ndër vendet më të pasura në ujëra. Me shndërrimi i këtyre ujërave në energji, pasi energjia është një nga shtyllat më kryesore e më përcaktuese në karakterin e llojin e zhvillimit, kemi mundësi të shndërrohemi në vendin e parë prodhuese të energjisë së rinovueshme dhe eksportuese të saj, çka do të thotë një mjedis më i pastër për shqiptarët. Ndaj duhet të përpiqemi të shfrytëzojmë në mënyrë racionale të gjithë potencialet ujore që kemi, në funksion të zhvillimit dhe kjo është në dorën tuaj. Çdo njëri prej jush ka fjalën e tij në këtë zhvillim. Në zhvillimin e qëndrueshëm, ne kemi edhe një potencial tjetër shumë të madh. Ne kemi sipërfaqe të gjelbra. Por duhet të dalim nga ajo që kemi trashëguar. Ne duhet të imagjinojmë të paimagjinueshmen. Pak kohë më parë, unë isha në OKB dhe aty, ish guvernatori i Kalifornisë Schwarzenegger u tha të pranishme se përgëzonte Ban Ki Moon, i cili në vitin 2007 kishte parashikuar mbjelljen e 1 miliardë drurëve, pyje. Unë e informova OKB-në se ne kemi parashikuar 250 milionë drurë frutorë dhe këtë e them kudo. Por, për ta bërë këtë, ne duhet të mendojmë të paimagjinueshmen dhe secili prej jush e ka të qartë, si drita e diellit, se mund ta realizojë. Në qoftë se ne vendosim të nxisim mbjelljen e arrës dhe të gjithë e dimë se ku rritet arra, në tokën e askujt, që ne duhet ta ndajmë, t’ua japim dhe ta bëjmë me zot. Për këtë do të bëjmë të gjitha ligjet dhe do t’ua japim juve kompetencën. Kudo në këto territore edhe aty ku ka shkurre, ne duhet të qëndrojmë e të mbjellim dru frutorë. Ne mund të rrisim e dhjetërafishojmë zhvillimin industrial, por nuk është e mjaftueshme. Për të pasur zhvillim të qëndrueshëm duhet të ecim me vendosmërinë më të madhe drejt pyllëzimit me dru frutorë. Shqipëria tjetër do të jetë një Shqipëri me një mjedis shumë të përmirësuar.

Ne duhet të jemi shumë ambiciozë. Ne jemi në garë dhe nuk duhet të jetojmë asnjë minutë me kompleksin e të shkuarës. Ne ia dalim! Kjo duhet të jetë motoja jonë. Atë që kemi bërë në 20 vjet, ju garantoj se nuk e ka bërë asnjë komb tjetër. Ne jemi njerëz punëtorë. Vuajtja, mundimi, të gjitha kanë qenë stimul për ne, për ta ndryshuar më mirë këtë vend. Por ne kemi potenciale të jashtëzakonshme, qoftë turistike, të cilat kanë qenë të gjitha të ngrira, pasi kur nuk ke rrugë, e ke të ngrirë edhe turizmin, potenciale të tjera shumë të mëdha dhe zhvillimi i tyre bëhet i mundur vetëm me angazhimin e përkushtimin tuaj. Le të bëjë qeveria qendrore çdo përpjekje, por këto ndodhin në territorin, ku ju jeni administratorë të tij, territor që ju e njihni me të gjitha potencialet e tij, dhjetë herë më mirë, se qeveria qendrore. Ndaj ju bëj thirrje që të hartoni programin, strategjinë e zhvillimit të komunës, ku të përparësoni atë që keni më të mirën. Mos mendoni sot për sot a nesër, por sot për më tutje, pasi Peshkopia, Mati, ju siguroj, pas dy vjetësh do të jenë krejtësisht tjetër, do të jenë pjesë unike e tregut të Tiranës e më gjerë, pjesë unike e tregut të Kosovës e më gjerë. Sot për sot nuk them se është e tillë, pengojnë rrugët, transporti, ka një seri pengesash, por këto do t’i eliminojmë me shpejtësi. Ndaj në çdo fshat e komunë përparësoni atë që keni më të zhvilluar e të avancuar. Prodhimet e kësaj treve janë ndër më të shkëlqyerat. Vitin që vjen, do të financojmë, do të kreditojmë cilindo që do të ngrejë industri përpunuese, ftohëse për frutikulturën. Këtu, në Peshkopi, është krijuar një vështirësi që nuk ekziston në Korçë, për shkak të impiante ftohëse gjatë gjithë vitit dhe këtu do të jetë përqendrimi, mbi bazën e iniciativës private. Le të persistojmë në planet e zhvillimit në zonat turistike, të hartojmë planin urbanistik, në mënyrë që t’i zhvillojmë në kushtet më njerëzore, më të përshtatshme.

Ne kemi ndërmend të ndërmarrim një hap të madh të decentralizimit, në taksa, në kompetenca e çdo gjë. Ju jeni ata, të cilët mund të ndërtoni, por edhe të zbatoni politika zhvillimore të komunave e fshatrave tuaja. Ne do të ndërtojmë rrugë, ujësjellës, shkolla, të tjerat janë e duhet të jenë tërësisht atribut i juaji dhe komuniteteve ku jetoni. Ne kemi bërë shumë për decentralizimin dhe më shumë do të bëjmë. Nga 27 taksat kombëtare, qeveria do të mbajë vetëm 6, të tjerat do t’ua transferojë juve, kudo që ka rentë, 25 për qind do ta keni ju. Ne do të përpiqemi që të ardhurat kombëtare të ndahen shumë më mirë, sesa janë ndarë deri më sot. Por të gjitha këto kërkojnë që ju të merrni në dorë me përkushtimin më të madh udhëheqjen e zhvillimit të komuniteteve që ju drejtoni. Këtu jeni përfaqësues të një spektri politik, të majtë, të djathtë etj.. Kjo qeveri, në mënyrë absolute, nuk do të bëjë asnjë dallim dhe këtë mund t’ua faktoj. Por ka një gjë, që nuk e kemi sekret, ne përpiqemi që fillimisht t’u shkojmë në ndihmë atyre që kanë më shumë banorë. Nëse ndërton pesë kilometra rrugë, natyrisht, do ta ndërtosh më parë aty ku janë 20 mijë banorë dhe më pas aty ku janë 2 mijë banorë. Ne nuk braktisim asnjë zonë. Ky është parimi ynë. Nëse përpara ka ekzistuar koncepti se nuk ke pse investon diku, këtë ne nuk e pranojmë. Ne do të investojmë kudo, sigurisht sipas një rendi. Nuk mund të themi se është e mirë rruga e Zerqanit, 7 kilometra, për 4 mijë banorë, por edhe ata që janë në Zall Dardhë e meritojnë plotësisht rrugën, vetëm se do të shkojë sipas një rendi të caktuar.

Një kërkesë të veçantë kam për secilin prej jush dhe është çështja e pastërtisë së mjedisit, një çështje themelore. Këtë problem e kemi, sepse ne vinim nga një periudhë vuajtjesh e mundimesh. Unë kam qenë këtu në vitin ’86 dhe kam qëndruar tre muaj. Gjatë kësaj kohe, më ka rënë rasti të shkoj në fshatra dhe nuk kam gjetur shtëpi më të pastra se shtëpitë e familjet ku unë kam pirë kafe apo kam ushtruar detyrën. Por tani janë miliona turistë që vijnë në Shqipëri, shohin rrugët e rrugicat tona dhe sa shohin plehrat, mendojnë keq për ne. Dua t’ju them haptas se gjëja më e zakonshme që më ngrenë të huajt në zyrë janë plehrat dhe kanë shumë të drejtë. Është faktuar gjithashtu se 40 për qind e vdekjeve vijnë nga ndotjet e ujit, ajrit dhe tokës. Ndaj ju, si të zotët e shtëpive të komunave, është në detyrën tuaj më parësore që të merrni çdo lloj veprimi, për një territor të pastër. Në qoftë se ne nuk e ndryshojmë me shpejtësi këtë gjë, ne i bëjmë vetes një dëm, të cilin, së paku, një dekadë do të na duhet ta riparojmë. Ne na duhen turistët dhe unë ju them se jemi në kohë kritike. Nuk ka gjë më të rëndësishme, ndaj nuk duhet ta injorojmë. Qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për t’ju ndihmuar, por qeveria nuk mund të bëjë kurrë atë që mund të bëni ju. Atyre që ju hedhin ambalazhet dhe mbeturat në rrugë, vëruni dyllin. Kemi shumë respekt për ta, kemi vendosur kuadrin ligjor më të favorshëm, ju u merrni taksë 1.5 për qind të xhiros dhe ata abuzojnë dhe hedhin në rrugë ambalazhin që konsumojnë. Ndaj duhet ta marrim këtë me seriozitetin më absolut.

Edhe një herë, dua t’ju përshëndes e t’ju siguroj se bashkërisht do të çojmë përpara decentralizimin, shumë më thellë, ju siguroj se qeveria do të bëjë çdo gjë t’ju mbështesë në çdo projekt, në mënyrë që të lehtësojë e të përmirësojë jetën e banorëve në qarkun e Dibrës, kudo që ata ndodhen.”


23/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›