Kryeministri Berisha pret Hans Dietrich Genscher, anëtar i Bordit të projektit TAP
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në takim Hans Dietrich Genscher, anëtar i Bordit të projektit TAP për ndërtimin e një gazsjellësi që kalon nga Shqipëria.
Kryeministri Berisha i shprehu zotit Genscher, ish ministër i Jashtëm i Gjermanisë në vitet 1974-1992, mirënjohjen për kontributin dhe përkrahjen e tij për zhvillimin e demokracisë dhe vlerave të saj në vendin tonë, duke e konsideruar atë një mik të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha dhe zoti Genscher kujtuan së bashku përpjekjet dhe mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në OSBE, si dhe vizitën e parë të tij në Shqipëri, në detyrën e ministrit të Jashtëm.
Zoti Genscher u shpreh i impresionuar për progresin që vendi ynë ka bërë dhe shprehu vlerësimet për rolin e kontributin e Kryeministrit Berisha në zhvillimin e konsolidimin e demokracisë. Ai theksoi se kësaj radhe ndodhej në Shqipëri për të dhënë mbështetjen e tij për të çuar përpara një projekt strategjik për Shqipërinë dhe zhvillimin e saj ekonomik.
Përfaqësuesit e projektit TAP prezantuan zhvillimet e reja dhe të dhënat teknike në kuadër të këtij projekti. Zoti Genscher shprehu mbështetjen e tij për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për Shqipërinë.
Kryeministri Berisha falënderoi ngrohtësisht zotin Genscher për këtë angazhim të tij dhe e siguroi atë dhe përfaqësuesit e projektit se qeveria shqiptare do të punonte me këmbëngulje për mundësitë dhe suksesin e këtij projekti.