Eurodeputeti Brok vlerëson reformat e qeverisë shqiptare për integrimin në BE
Kryeministri Berisha priti sot eurodeputetin gjerman, ish-Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, zotin Elmar Brok.
Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Kryeministri i bëri me dije zotit Brok se qeveria shqiptare është fokusuar në dy objektiva madhorë, integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO, dhe se po punon për realizimin e të gjitha reformave të nevojshme që kërkon procesi i integrimit.
Kryeministri njohu eurodeputetin Brok me arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, me klimën e favorshme të biznesit dhe investimeve, lehtësimin e barrës fiskale, luftën kundër informalitetit, rritjen e transparencës dhe eficencën në procedurat administrative, si dhe reformat e ndërmarra në shumë fusha të tjera. Kryeministri theksoi se puna e qeverisë është përqendruar tashmë në reformën në fushën e drejtësisë dhe atë zgjedhore.
Në këtë kontekst, Kryeministri i bëri me dije eurodeputetit se në Shqipëri ekziston një klimë shumë e mirë bashkëpunimi midis forcave politike për këto dy reforma të rëndësishme. Kryeministri Berisha e njohu zotin Brok me rezolutën që Kuvendi i Shqipërisë miratoi për të çuar përpara këto reforma, si dhe miratimin me konsensus të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor.
Kryeministri falënderoi zotin Brok për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në veçanti për sa i përket integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kryeministri siguroi eurodeputetin Brok se Shqipëria po realizon të gjitha reformat e nevojshme për të merituar ftesën në Samitin e Bukureshtit, sikundër i shprehu atij bindjen se shqiptarët e konsdierojnë integrimin në Bashkimin Europian si të ardhmen më të mirë për Shqipërinë dhe rajonin.Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Gjermanisë.
Nga ana e tij, eurodeputeti Elmar Brok e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu vlerësimin e tij për arritjet e reformave në të gjitha fushat, veçanërisht për reformat lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian. Duke folur për zhvillimet në rajon zoti Brok u shpreh se njohja e pavarësisë së Kosovës është shumë e rëndësishme për arritjen e stabilitetit dhe paqes në rajon. Dy personalitetet diskutuan gjithashtu dhe për zhvillimet e tjera në rajon, si dhe për çështje të lidhura me procesin e zgjerimit të BE-së.