E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha drekon me të moshuarit me rastin e festave të fundvitit

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një drekë, me rastin e festave të fundvitit, një grup të moshuarish, nga shtëpia e të moshuarve në Tiranë. Duke shprehur kënaqësinë që u mblodhën së bashku, në mjediset e vilës 31, Kryeministri Berisha u shpreh se nderimi ndaj moshës së thyer është një detyrim madhor jo vetëm i qeverisë, por i të gjithë shoqërisë shqiptare.
Duke i uruar të pranishmit nga zemra një vit të mbarë, me shëndet, gëzime e lumturinë që meritojnë, Kryeministri i garantoi  të moshuarit se qeveria do të jetë gjithmonë pranë tyre për ta lehtësuar dhe për ta bërë më cilësore jetesën e tyre.
Në urimin e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur nëna e baballarë, të pranishëm sot këtu në këtë drekë. Kam shumë kënaqësi të drekojmë sot së bashku për të festuar Vitin e Ri, për t'u nderuar ju,që në çdo ditë, çdo vit, të jetës suaj mbartni një sakrificë të madhe të shqiptarëve. Për t'u nderuar ju është një detyrim madhor, i qeverisë dhe mbarë shoqërisë, për t'u patur ju në vëmendje të vazhdueshme, për të bërë çdo përpjekje që vitet t'i jetoni me gëzim, me shëndet dhe të gëzoni të gjithë shërbimet që ju meritoni dhe për të cilat ju keni nevojë.
Kam kënaqësinë që sot festojmë së bashku këtu në këtë vilë. Mendova një herë të vij tek ju dhe të drekoj në rezidencën tuaj, por pastaj mendova më mirë t'u ftoj, në xhestin e nderimit që ju meritoni, të drekojmë së bashku dhe t'u uroj ju, të gjithë të dashurve tuaj, një vit të mbarë, një vit me shëndet, gëzime dhe çfarë t'u dëshirojë  zemra. Tu garantoj se qeveria do të gjendet pranë jush dhe do të bëjë çdo përpjekje që ta bëjë më të mirë dhe të lehtësojë më shumë jetën tuaj.
Katër vjet më parë unë vizitova një nga shtëpitë ku ju rrini. Më shprehët  ankesat tuaja se ju mbanin një pjesë të madhe të pensionit. Qeveria e ndryshoi këtë gjë dhe prapë ajo është e gatshme ta rishqyrtojë , sikundër të jeni të sigurtë se do të bëjmë çdo gjë për kushtet më të përshtatshme, të mundshme dhe shërbimet më cilësore që meritoni aty ku qëndroni, në mënyrë që të ndjeni vazhdimisht ngrohtësinë njerëzore, ngrohtësinë shoqërore që ju meritoni.
Dua ta ngre këtë shëndet për secilin prej jush, për njerëzit tuaj kudo që i keni. Ta ngre këtë shëndet për të gjithë punonjësit e shtëpisë ku jetoni, tu shpreh atyre nderimin dhe respektin tim më të madh, pasi në përkushtimin e tyre është dhe zemra e fytyra e mbarë shoqërisë shqiptare. Gëzuar”30/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›