Kryeministri Berisha feston Ditën e Verës në Elbasan
Kryeministri Berisha ishte për të festuar Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, së bashku me nipin dhe mbesat. Kryeministri përshkoi në këmbë bulevardin qendror të këtij qyteti, përgjatë të cilit u takua dhe u përshëndet nga qytetarë të shumtë.
Më pas, Kryeministri u ndal në Panairin “Dita e Verës 2011”, i çelur me rastin e kësaj feste, ku vizitoi stendat e tij dhe bashkëbisedoi me tregtarë e biznesmenë që ekspozonin produktet e tyre.
Duke u shprehur për festimet e Ditës së Verës, Kryeministri Berisha theksoi se “shqiptarët e festojnë Ditën e Verës në të gjitha trojet ku ata ndodhen, por festa kulmon këtu në Elbasan”.
Pasi vizitoi Panairin “Dita e Verës 2011”, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të medias:
“Urimet më të mira për ju dhe nëpërmjet jush të gjithë qytetarëve të mrekullueshëm të Elbasanit dhe qytetarëve shqiptarë!
Elbasani është sot kryeqyteti i gëzimit, i festës, i mirësisë, i bukurisë së shqiptarëve. Shqiptarët e festojnë Ditën e Verës në të gjitha trojet ky ata ndodhen, por festa e Ditës së Verës kulmon këtu në Elbasan. Kjo festë ka këtu edhe legjendën, edhe traditën më të konsoliduar. Pra, në rast se do të flisnim me fjalë të tjera - tempulli i Ditës së Verës ndodhet në Elbasan. Ajo nuk është një ndërtesë me kolona, por është një fole në zemrën e qytetarëve të këtij qyteti, të cilët e festojnë në mënyrën më të bukur, e festojnë si qytetarë, e festojnë si familje, e festojnë kolektivisht. Në Elbasan vërshojnë qytetarë nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për të ndarë gëzimin e kësaj dite. Unë jam jashtëzakonisht i nderuar që ndodhem si një prej tyre, një mik në këtë qytet sot.
Gjithashtu, kam kënaqësinë e veçantë që vizitova këtë Panair, dëshmi e vitalitetit, e gjallërisë së shpirti të lirë të qytetarëve të Elbasanit, e gjinisë së tyre krijuese. Ky qytet ka një treg të fuqishëm. Natyrisht përballet me problematikë jo të vogël, por, absolutisht, qeveria është e vendosur të bëj gjithçka në mënyrë që Elbasani të njohë nivele të reja zhvillimi.
Unë kam kënaqësi të madhe që sot festoj Ditën e Verës me miq të mijtë në Elbasan, pasi ata presin me padurim të përurohet fillimi i punimeve të një prej veprave më monumentale në historinë e këtij vendi. Them më monumentale, sepse në rast se ka pasur tre ëndrra në transport, njëra ka qenë rruga Durrës – Morinë, tjetra është autostrada Tiranë – Elbasan me tunel në Qafë Kërrabe dhe e treta është rruga e Arbrit me tunelin e Qafës së Murrizit. Kam kënaqësi të madhe që shumë shpejt ne inaugurojnë fillimin e punimeve. Rruga përfundon pas 18 muajsh dhe inaugurojmë përfundimin e punimeve.
Sikundër dua të theksoj se ne jemi shumë të vendosur të mbështesim fuqishëm biznesin e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë. Kam shumë kënaqësi që do të bëhet një amnisti e gjerë, e thellë, një amnisti plotësisht e merituar për biznesmenët shqiptarë. Në memorien time premtimin e parë për të përgjysmuar taksat e biznesit të vogël e kam bërë në një nga rrugët e Elbasanit tek disa biznesmenë dhe ai premtim është mbajtur javën e parë të mandatit. Premtimi im dhe vendimi i qeverisë për të bërë një amnisti të plotë të biznesit, përveç atyre dy përjashtimeve që janë logjike, edhe ky është një bonus, një vlerësim i madh ndaj kontributit thelbësor të biznesit në jetën e vendit. Kam bindjen se kjo amnisti do të gjenerojë jo vetëm paratë, që ekonomistët i llogarisin në disa miliarda, por për mua kjo amnisti mbi të gjitha kjo do të gjenerojë energji të fuqishme, entuziazëm të madh tek biznesi i Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë për të shpejtuar investimet dhe zhvillimin në tërësi.
Unë mbeta shumë i impresionuar nga prodhimet e ekspozuara dhe me këtë rast, duke i përgëzuar të gjithë, dua të garantoj Dhomën e Tregtisë së qytetit dhe pjesëmarrësit në këtë Panair se do të qëndrojmë në mbështetje të plotë prapa çdo lloj biznesi, në mënyrë që të krijojmë sa më shumë vende pune, të punësojmë sa më shumë njerëz, të rrisim prosperitetin, mirëqenien, të zhvillohemi.
Të mos harrojmë se autostrada Tiranë – Elbasan, e cila është edhe segmenti kryesor i Boshtit të Jugut, fuqizon në mënyrë thelbësore tregun e Shqipërisë. Faktikisht, ajo bashkon dy qytetet më të mëdha të vendit. Ajo krijon një treg ndër më të fuqishmit në Shqipëri dhe në rajon. Imagjinoni se çfarë vlerash fitojnë asetet e Elbasanit pasi distanca me qendrën e Tiranës të jetë 25 minuta. një distancë, pothuajse, sa shkojmë nga Kinostudio në Kombinat. Prej saj nuk merr vlerë të re vetëm qyteti i Elbasanit, por valorizohet Gramshi, valorizohet Librazhdi. Të gjitha zonat marrin një vlerë të re në kushtet e kësaj autostrade.
Edhe një herë gëzuar Ditën e Verës!
- Pyetje: Zoti Berisha, do të festoni dhe në Tiranë?
Kryeministri Berisha: Vitin tjetër kryebashkiaku i ri i Tiranës dhe kryebashkiaku i ri i Elbasanit do të bëjnë një axhendë të përbashkët për të festuar Ditën e Verës.
- Pyetje: Do të jetë zoti Basha?
Kryeministri Berisha: Kush tjetër."
14/03/2011