E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha ne Fier: Të votojmë të gjithë sëbashku alternativën e vlerave!

Kryeministri Berisha ka qenë sot i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugëve Strum – Qafa e Marinzës dhe Sheq – Marinëz, në qarkun e Fierit, një investim që kap  vlerën e 436 milion lekë.  Këto dy segmente rrugore, gjatësia e të cilave është 28,3 km, shërbejnë  për të lidhur komunat  Strumë, Zharrëz, Kuman, me akset kombëtare të rrugëve Fier – Berat dhe me qytetin  e Fierit.

Mbi 24 mijë banorë janë përfitues te drejtpërdrejtë  të  këtyre dy segmenteve në fshatrat  Velmish, Strum,  Arapaj, Suk i Poshtëm dhe Suk i Sipërm, Jagodinë, Marinëz, Belinë, Sheqishtë, Frashër dhe Verbas, rikonstruksioni i të cilave do ju vijë në ndihmë këtyre fshatrave që karakterizohen për prodhimet e tyre bujqësore dhe blegtorale.

Gjatë fjalës së mbajtur para banorëve të kësaj zone, kryeministri Berisha më gjerësisht u shpreh:

 Të dashur qytetarë dhe qytetare të komunave, Strumë, Zharrë e Kuman.

Zoti Ministër.

Zotërinj deputetë.

Zotërinj qeveritarë vendore, kryetarë Komunash, drejtues të Prefekturës dhe Qarkut.

Së pari, dëshiroj t’ju  përgëzoj dhe t’ju përshëndes me shumë përzemërsi , ju qytetarëve të komunave Strumë, Zharrës, Kuman, të fshatrave  Velmish,  Arapaj , Suk i Poshtëm, Suk i Sipërm, Jagodinë, Marinëz, Belin, Sheqisht, Frashër dhe Verbas, që përfitoni sot nga inaugurimi i këtij investimi prej 436 milion lekë të reja , në një gjatësi prej 28 kilometrash.  Rruga në dy segmentet e saj të rëndësishme, Strumë-Qafë Marinëz,  Sheq-Marinëz ,  lidh me qytetin e Fierit, por dhe të Beratit, një nga zonat më të fuqishme prodhuese bujqësore të vendit.  Nga kjo rrugë përfitojnë 14 mijë banorë, rruga ka standardet më të mira të një infrastrukture moderne.

Të dashur qytetarë dhe qytetare.

Kam gjithashtu kënaqësi të madhe, sepse ne inaugurojmë këtë rrugë në një vit në të cilin në sëbashku me guxim me vendosmëri  ia dolëm të përmbysim në Shqipëri, diktaturën më të egër që Europa kishte njohur pas lufte.  Ia dolëm me vendosmërinë tonë, mençurinë dhe guximin, të përmbysim Gedafët, Ben Alitë dhe Mubarakët, që po përmbysin sot popujt arabë.

Ia dolëm në 20 vjet me mund, me djersë, me sakrificë, të ndryshojmë këtë vend më shumë se në 20 mijë vite të marra sëbashku.  Ne jemi të vetëdijshëm  se ku e nisëm, në çfarë rrethanash e nisëm ne rrugëtimin e lirisë dhe të demokracisë . Vendi  i vetëm i triskave dhe tollonave, i urisë dhe mjerimit, vendi që kishte më shumë kampe dhe burgje përqendrimi, se stadiume dhe spitale.

Vend,  i cili ishte i rrethuar nga tela me gjemba dhe përjetonte izolimin më të thellë të të gjitha kohërave.  Sot ne shohim njëri -tjetrin drejt e në sy me krenari, sepse ne ia dolëm këto 20 vite ti dëshmojmë njëri –tjetrit, fëmijëve tanë, miqve tanë kudo në botë, se jemi të zotë se jemi të aftë, se jemi të vendosur, se jemi të sakrificës, për të ecur më shpejt  se kushdo tjetër në rrugën e lirisë.

Rruga e lirisë, është rruga e vlerave, është rruga e të ardhmes.  Në këtë kontekst ne arritëm të ndërtojmë në Shqipëri një ekonomi solide tregu, ekonomi e cila prej 3 vitesh qëndron në krye të rritjes ekonomike në Evropë dhe në Botë.  Në këto vite ne ia dolëm të mbi dyfishojmë rrogat dhe pensionet e ulta.  Në këto vite ne ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO, ta bëjmë atë më të sigurtë se në të gjitha kohërat.  Në këto vite, ne ia dolëm të ndryshojmë në mënyrën më rrënjësore  infrastrukturën e prapambetur që trashëguam.

Vetëm në rrethin e Fierit  pesë vitet e fundit janë ndërtuar dhe asfaltuar 410 kilometra rrugë, nga të cilat 220 kilometra janë rrugë rurale dhe dytësore.  Vetëm në qarkun e Fierit  gjatë pesë  viteve të fundit,  janë ndërtuar dhe rindërtuar  72 shkolla,  68 sisteme kanalizimesh, janë ndërtuar me dhjetëra qendra shëndetësore.  Vetëm në rrethin tuaj  janë subvencionuar nga qeveria  rreth 190 hektarë ullishte dhe dru frutorë te tjerë, por të gjitha këto janë bërë të mundura me mbështetjen tuaj të madhe dhe me djersën tuaj.  Ju ia dolët,  që vitin që shkoi të dyfishoni eksportet dhe ky  është viti i rritjes së Shqipërisë.

Ju jeni fermerët e vetëm , që brenda një viti keni dyfishuar eksportet tuaja, çka do të thotë se keni dyfishuar prodhimet tuaja, dhe kjo është dëshmi e një vullneti   të hekurt për të ndërtuar mirëqenien tuaj, për të ndërtuar të ardhmen tuaj, këtu në Fier dhe në Shqipëri.  Ky është rezultat i reformave të thella të qeverisë i  ndryshimeve të  mëdha të arritura gjatë këtyre viteve.  Vetëm në infrastrukturë janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 7 mijë kilometra rrugë dhe 13 mijë do të finalizohen brenda tre viteve që vijnë.  

Qytetarë dhe qytetare të Fierit.

Ne ia kemi dalë të shndërrojmë në realitet ëndrrat tona të mëdha dhe të fëmijëve tanë. Por në qoftë se ne kemi arritur sot të transformojmë infrastrukturën e këtij vendi, të dyfishojmë dhe mbi dyfishojmë rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermiereve, të dyfishojmë pensionet e ulta të fshatit dhe të qytetit, në rast se ne, ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO, të gjitha këto u bënë të mundura dhe kanë në bazë  luftën tonë të vendosur kundër korrupsionit .

Ky është faktori më vendimtarë i sukseseve të kësaj qeverie. Për ju të dashur qytetarë dhe qytetare të mbarë  vendit, sigurisht që korrupsioni përbën  një të keqe të vërtetë.  Por  në këtë vend dhe kjo mazhorancë ka zhvilluar dhe zhvillon një luftë të vendosur  ndër më të suksesshmet , kundër kësaj sëmundje, kundër këtij kanceri social. Kjo luftë ka bërë të mundur  që ne sot të jemi i vetmi vend që në harkun kohor katër vjeçar,  kemi dyfishuar të ardhurat buxhetore.  97 milion lekë kanë inkasuar në vitin e fundit  paraardhësit tanë, 188 milion lekë kemi inkasuar ne në vitin 2009 dhe nuk po marr dy vitet e fundit 2010 dhe 2011, sepse janë shumë më të mëdha.

Një sukses ishte vendosja e sistemit elektronik në prokurime, ishte krijimi i sistemit të sportelit të vetëm për regjistrimin e biznesit , i Qendrës Kombëtarë te Investimeve, ato të cilat bënë të mundur  që Shqipëria të behët një ndër vendet më tërheqëse  për investimet e huaja.

Ishin këto përpjekje ato që bënë të mundur , që Shqipëria dhe shqiptarët të ndërmarrin projektet ndërtimore më të mëdhatë në historinë e tyre, ndër më të mëdhatë në rajon.  Ishin këto përpjekje dhe suksesi i tyre, ato që bënë të mundur që Shqipëria të rrisë pesë herë në pesë vite investimet e huaja në mbarë vendin. Ishin këto suksese, ato të cilat bënë të mundur që ju sot  qytetarët dhe qytetaret e Fierit dhe të mbarë Shqipërisë , të lëvizni të lirë pa viza në mbarë Europën.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të komunave  Strumë, Zharrës, Kuman, por dhe të Fierit dhe mbarë Shqipërisë.

Ne po ecim drejt një zhvillimi të ri, drejt zgjedhjeve të ardhshme të 8 Majit.  Këto zgjedhje janë provë e madhe e qëndrimit tonë, e respektit tonë ndaj  lirive tona. Këto zgjedhje janë provë e madhe e qëndrimit tonë ndaj interesave tona .  Mazhoranca aktuale ka vendosur që këto zgjedhje, këtë fushatë tua përkushtojë totalisht  ju dhe vetëm ju, interesave truaja dhe të fëmijëve e komuniteteve tuaja.  Ne jemi të vendosur të dëgjojmë zërin tuaj, të dëgjojmë hallet dhe dertet tuaja, preokupimet dhe interesat tuaja dhe ju garantoj se të gjitha projektet sikundër deri më sot , që i kemi shndërruar në realitete do ti shndërrojmë në realitete edhe katër vitet që vijnë.  

Ju siguroj ju banorëve të fshatrave të këtyre komunave ,se në çdo fshat, në çdo lagje tuajën, ne do të ndërtojmë atë infrastrukturë që ekziston në qytetin e Fierit dhe në çdo qytet tjetër.  Vendosmëria  jonë është e madhe, sikundër garantoj fermerët e Fierit dhe të mbarë Shqipërisë se qeveria do të shumëfishojë mbështetjen dhe investimet në bujqësi, se fillimi i qëndrueshëm rural, përbën një nga përparësitë më madhor të kësaj qeverie.  Në konceptin tonë nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri  të zhvilluar pa fshat të zhvilluar, ndaj dhe ne jemi të vendosur të investojmë dy herë më shumë se katër vitet që shkuan në mbarë komunat dhe fshatrat e këtij vendi.  Ne jemi të vendosur të subvencionojmë tu mbështesim në prodhimet tuaja dhe të krijojmë tregje në të cilat ju ti shisni ato, por në rast se ju vitin e kaluar fermerët e Fierit dhe të mbarë Shqipërisë keni dyfishuar eksportet tuaja, mos harroni se vitin e kaluar për herë të parë në historinë  e këtij vendi popullata juaj u dyfishua, ne kemi marrë vitin e kaluar 3.5 milion turistë, kemi dyfishuar dhe mbi dyfishuar tregun e vendit.

Vëllezër dhe motra.

Kjo është alternativa jonë, alternativa  e vlerave , politika  bazuar në vlera.  Për ne, vlerë jeni ju, janë familjet tuaja, janë fëmijët tuaj, vlera më e çmuar.  Për ne vlerë e madhe është liria juaj, është përpjekja juaj për të ndërtuar një jetë më të mirë.

Unë ju garantoj ju se kjo alternativë do të jetë alternativë e gjithsecilit prej jush, paralel me këtë alternative është politika e shkatërrimit, është politika e mohimit, është politika e mashtrimit, është politika, e cila sillet si një hije. 20 vite me radhë në trojet e këtij vendi.  Në rast se ju keni zgjuar sërish kjo politikë shpall se këto zgjedhje janë politike, këto nuk janë zgjedhje për ju, këto nuk janë zgjedhje për qytetarin, por janë zgjedhje sipas tyre, për beteja destruktive fantazmagorike.  

Çfarë duan të thonë me këtë zotërinj apo shokët socialistë?!  Duan t’ju thonë juve shqiptarëve se zgjedhjet nuk janë për ju, nuk janë për fëmijët tuja, nuk janë për shkollat e fëmijëve tuaj, nuk janë për infrastrukturën e fshatrave tuaj apo qyteteve tuaja, por zgjedhjet  janë për karrigen e kryetarit.

Karrige të cilën e vërteta  është  mesa duket se do ti duhet shumë kohë të presë , se  do të humbasë dhe këtë që ka në Bashkinë e Tiranës, dhe do të rrije pa karrige për një periudhe shumë të gjatë.  Natyrisht nuk mund të ketë karrige me politikën e mashtrimit, nuk mund të ketë karrige me politiken e mohimit nuk mund të ketë karrige me politiken e shkatërrimit.  Këto ditë në 20 vjetorin  e rënies së diktaturës, mazhoranca vendosi të amnistojë bizneset, të cilat janë gjeneratori kryesorë  i mirëqenies,  i punësimit i zhvillimit.

Në traditën e tyre të mohimit edhe këtu  gjetën forcë dhe kurajën  ta  kundërshtonin.  Kundërshtuan siç e dini ju me të gjitha format dhe të gjitha forcat, heqjen e vizave, kundërshtuan me të gjitha format dhe forcat reformën në drejtësi, kundërshtuan në mënyrën më absurde heqjen e imunitetit për deputetët, sepse nuk e heqin dot, ata janë SHPK, ata nuk janë deputete dhe keni të drejtë, ne kemi respekt për SHPK që punojnë , por jo për SHPK e parlamentit.

Qytetarë dhe qytetare të Strumë, Zharrës, Kuman, por dhe të Fierit dhe mbarë Shqipërisë

Duke  përfunduar ju bëj një apel vëllazëror, një thirrje vëllazërore.  Le të bëjmë ne, gjithçka që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme . Të shndërrisin para nesh para botës si drita e diellit sot. Të respektojmë ne vullnetin e njeri –tjetrit, të votojmë të gjithë sëbashku alternativën e vlerave , të ndjekim ne politikën e vlerave, politikën e interesave  tona fisnike,të fëmijëve tanë të komunitetit ku jetojmë.

Zotërinj qeveritarë vendore.

Ju garantoj se mbështetja e mazhorancës për vitet që vijnë, do të jetë shumë më e madhe, se me ju qeveritarë vendore, ne do të ndërtojmë Shqipërinë Europiane, shtëpinë më të bukur që meritojmë ne vete dhe fëmijët tanë.

Faleminderit.


12/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›