E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e qendrës tregtare ORTI, në Elbasan

Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Elbasanit, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm edhe në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e qendrës tregtare ORTI. Qendra tregtare, me sipërfaqe ndërtimi 5900 metra katror, është një investim privat me vlerë 2 milion euro. 

Duke i përgëzuar drejtuesit e kompanisë ORTI për këtë investim, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria nuk do të ndërpresë përpjekjet e saj të vazhdueshme për të bërë Shqipërinë vendin me klimën më të mirë të biznesit dhe të investimeve.

Kryeministri u ndal dhe në shpalljen e amnistisë fiskale nga qeveria, ku i ftoi të gjitha forcat politike të rikonsiderojnë qëndrimin e tyre dhe të mbështesin amnistinë.

Në këtë ceremoni Kryeministri shoqërohej edhe nga deputetë të qarkut të Elbasanit.

Përshëndetja e Kryeministrit Berisha drejtuar të pranishmëve në këtë inaugurim:

“Së pari ju falënderoj me mirënjohje për nderimin që më bëtë për të inauguruar së bashku fillimin e punimeve të kësaj qendre të rëndësishme tregtare për qytetin e Elbasanit, një investim me vlerë 2 milionë euro, që i jep një frymëmarrje të re tregut dhe zhvillimit në këtë qytet të rëndësishëm.

Ju keni zgjedhur një ditë të bekuar për qytetarët e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, një ditë që frymëzon shpresë të madhe, frymëzon mirësi njerëzore, frymëzon respekt dhe dashuri. Në këtë ditë qytetarët e të Elbasanit ia kanë dalë të shndërrojnë qytetin e tyre në kryeqendrën e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë, pasi ata kanë këtu festën më të lashtë dhe më të bukur popullore, Ditën e Verës.

Të dashur investitorë dhe drejtues të kompanisë ORTI-s,

Unë dua t’ju garantoj ju qeveria do të bëjë gjithçka për të lehtësuar, për të mbështetur, për të kontribuar në suksesin tuaj, të biznesmenëve të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Kjo qendër e madhe tregtare, që siç ramë dakord do ta inaugurojmë duke qenë klient i parë i saj në Ditën e Verës së ardhshme, përbën një zhvillim të madh dhe të rëndësishëm për prodhuesit e mrekullueshëm të këtij qyteti. Unë vij këtu nga Panairi i Ditës së Verës dhe mbeta shumë i impresionuar nga cilësia, shumëllojshmëria e prodhimeve të këtij qyteti. Prodhimet po rriten çdo vit, ekonomia shqiptare çdo vit kap një horizont të ri.

Tri ditë më parë unë isha në Myzeqe. Fermerët e Zharrez dhe Strumës më pohuan se kanë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme prodhimet e tyre dhe se po eksportojnë fuqishëm në Kosovë e tregje të tjera. E vërteta është se nga viti 2009 në vitin 2010 eksportet bujqësore kanë njohur dyfishim. Dyfishim kanë njohur të gjitha eksportet “Made in Albania”, të prodhuara në Shqipëri. Kjo përbën një meritë të jashtëzakonshme të sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj, të cilët po nxisin prodhimin, punësimin dhe mirëqenien më shpejt se në çdo vend tjetër.

Nga viti 2004 deri në vitin 2010 ka ndodhur një zhvillim tjetër që askush nuk kishte guxim ta imagjinonte pesë apo gjashtë vite më parë, numri i vizitorëve e turistëve në vend është rritur me mbi 11 herë. Nga 300 mijë që ishin në vitin 2004 të gjithë ata që shkelën në tokën e Shqipërisë, 3.5 milionë ishin në vitin 2010. Pra ishin aq sa banorë ka vendi. Pra një treg jo më për 3.5 milionë, por një treg për 7 milionë, një treg më një kërkesë të brendshme nga më të fuqishmet, një treg me një vitalitet ndër më të mëdhenjtë. Qeveria ka vendosur në Shqipëri regjimin fiskal më të ulët në Europë. Qeveria ka vendosur në regjistrimin e bizneseve, në investime, standarde ndër më të mirat në Europë dhe në botë. Qeveria do të vendosë së shpejti standardet më të mira në inspektime. Qeveria nuk do të ndërpresë përpjekjet e saj të vazhdueshme për të bërë Shqipërinë me klimën e biznesit, të investimeve dhe të tregut më të mirë se në çdo vend tjetër.

Qeveria ka shpallur amnistinë fiskale. Unë kam kënaqësi të siguroj biznesin e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë se kjo do të jetë amnistia më e plotë që është realizuar në ndonjë vend, përveç dy përjashtimeve, dhe se kjo amnisti jo vetëm çliron miliarda euro të fjetura e të strukura në konto e llogari bankare, brenda dhe jashtë vendit, por mbi të gjitha kjo amnisti çliron energji të mëdha, besim të madh, entuziazëm të madh tek tregu.

Duke i garantuar biznesmenët se ajo do të jetë në fuqi sa më shpejtë dhe se 22 marsi është disa në të cilën amnistia duhet të jetë e plotë dhe totale, përveç dy përjashtimeve të shprehura, ftoj të gjitha forcat politike të rikonsiderojnë qëndrimin e tyre dhe të mbështesin amnistinë.

Le të mbyllim sytë për një moment e të mendojmë se ku ishim ne 20 vjet më parë dhe ku jemi sot; se cili ishte tregu i Elbasanit dhe i Shqipërisë 20 vite më parë dhe ku është sot. Kjo është vepër e iniciativës së lirë të qytetarëve të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Ky është krijim i madh i tyre, me të cilin ata në sajë dhe të reformave të thella nxorën Shqipërinë me shpejtësi nga mjerimi dhe bënë që në Shqipëri, si në ansjë vend tjetër të planetit, në 20 vjet të ardhurat të rriten 35 herë; bënë që Shqipëria, e cila renditej e 3 apo 4 në botë për mjerimin dhe varfërinë më të lartë, sot të vendoset në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta; bënë të mundur që ne bashkërisht të projektojmë Shqipërinë vend i zhvilluar në vitin 2017.

Edhe një herë, zoti Mhalla dhe drejtues të tjerë të kompanisë ORTI, urimet më të përzemërta për investimin dhe dhuratën e shkëlqyer që po i bëni qytetit tuaj.

Më lejoni t’ju garantoj se me kryebashkiakun e ri, ne jemi të taksave të ulëta. Ne jemi dhe do të mbetemi qeveri e taksave të ulëta, sepse ne besojmë se në kontot tuaja bankare paratë janë më vlefshme se kudo tjetër për tu shndërruar në mirësi për familjet tuaja, për punonjësit tuaj, komunitetin ku jetoni, për  qytetin dhe mbarë Shqipërinë.

Gëzuar!”


14/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›