Kryeministri Berisha firmos Deklaratën e Londrës
Në ditën e dytë të qëndrimit në Paris, Kryeministri Berisha mori pjesë në Seancën plenare të Lidërve të partive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, ku ndër të tjera liderët e partive, të cilat u pranuan me të drejta të plota në IDU firmosën Deklaratën e Londrës të vitit 1983. Pas firmosjes së kësaj deklarate, Kryeministri Berisha mbajti një fjalë në të cilën i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në Shqipëri në fushën ekonomike, politike, vlerësimi i të cilave i solli Shqipërisë ftesën për anëtarësim në NATO, një ngjarje madhore historike për të gjithë kombin shqiptar.
Kryeministri Berisha u shpreh se shekulli i 20 që kaloi ka qenë një shekull i vështirë jo vetëm për Shqipërinë , por për të gjithë Ballkanin, duke patur konflikte dhe diktatura të egra, ndërsa shekulli i ri theksoi kryeministri është një shekull ku liritë dhe demokracia në Ballkan dhe në Shqipëri po forcohen gjithnjë e më shumë, konform parimeve të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar.
Në këtë seancë, e cila u zhvillua nën tematikën “Axhenda e Qendrës së djathtë në shekullin e 21, e morën fjalën kryeministri francez Fillon, Kryeministri kroat Ivo Sanader, Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë Pier Ferdinand Casini, si dhe personalitete të tjera.
Më poshtë, vijon fjala e plotë e Kryeministrit në Seancën plenare të Liderëve të partive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar:
“Së pari, dua t’ju falënderoj të gjithëve që vendosët të pranoni Partinë Demokratike të Shqipërisë si anëtarë të IDU dhe të falënderoj gjithashtu Partinë Popullore të Austrisë dhe Partinë Moderatore Suedeze për sponsorizimin e partisë sime.
Partia Demokratike e Shqipërisë do të ndjekë parimet e IDU-së, si parimet më të mira për të ardhmen e vendit tim. Nëse shohim në të kaluarën, Shqipëria ishte një vend i kohës së humbur. Diktaturat janë regjime të kohës së humbur. Tashmë janë të nevojshme përpjekje të mëdha për të kapur kohën e humbur. Partia ime u themelua në Dhjetor 1990, në periudhën më të vështirë. Ne iu përmbajtëm parimeve të lirisë. Shumë prej partive tuaja e ndihmuan partinë time në atë kohë.
Ne kaluam, nga vend më i kolektivizuar, në vendin me 80 për qind të prodhimit nga sektori privat. Më pas, u krijuan skemat piramidale, një fenomen totalisht i panjohur. Në atë periudhë, unë isha President i Republikës, Socialistët arritën të bindin njerëzit se paratë që humbën në skemat piramidale u grabitën nga qeveria ime dhe premtuan të kthenin çdo gjë. Ne vazhduam me rrugën e zgjedhjeve. Ne humbëm dhe lamë pushtetin. Ata që erdhën në pushtet premtuan të qartësonin se çfarë ndodhi me paratë e qytetarëve. Dy vjet më vonë, qeveria e tyre bëri të ditur se qeveria ime nuk ishte e përfshirë në skemat piramidale. Më pas, shumica e zgjedhësve votuan për Partinë Demokratike, por manipulimet nuk më lejuan të vija në pushtet. Por, unë u tregova i duruar.
Unë ndoqa parimet demokratike dhe fitova zgjedhjet e vitit 2005. Isha shumë i vendosur të vazhdoja punën time. Kështu, vendosa ta bëja Shqipërinë vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë. Dhe kështu është tashmë. I premtova vendit tim një qeveri të vogël dhe tani ne kemi një qeveri të vogël. Ne kemi reduktuar 36 për qind të shpenzimeve administrative. Shpenzimet operative janë 2.5 për qind e GDP, ndërkohë që ishin 3.1 për qind e GDP. Ne kemi krijuar shumë facilitete për biznesin. Unë u them njerëzve të mi; çdo hap drejt standardeve liberale është një hap drejt lirisë. Dhe nuk ka asgjë më të çmuar se liria. Koha ndërton parimet demokratike dhe sigurisht, që kjo nuk është e lehtë. Por, në fund ne do dalim te fituar.
Unë ju jam shumë mirënjohës dhe falënderoj të gjithë ju, si dhe zotohem t’u përmbahem këtyre parimeve.
Faleminderit!”