E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha fton opozitën për të bashkëpunuar për miratimin e ligjit për pastërtinë e figurave për zyrtarët në poste publike

Kryeministri Berisha ftoi sot të gjithë forcat politike për të punuar bashkërisht për miratimin e ligjit për pastërtinë e figurave për zyrtarët në poste publike. Duke folur në mbledhjen e grupit të deputetëve të Partisë Demokratike (PD), Kryeministri tha se ky ligj ka lidhje me “pastërtinë e figurave që qeverisin vendin, në raport me lidhjet e tyre të shkuara me sigurimin e shtetit dhe organet e dhunës, me pastërtinë e  zyrtarëve të lartë dhe vendimmarrësve të rëndësishëm të të gjitha pushteteve”.

“E ftoj sërish Partinë Socialiste dhe të gjitha forcat politike të bashkohemi në këtë projekt, i cili duhet të jetë shumë i hapur. Në qoftë se do të kishim parasysh barbaritë e kryera dhe në qoftë se do të proporcionohej me diktaturën komuniste që ka përjetuar Shqipëria, ky projekt është ndër më të butët. Reformat kanë si qëllim dhe synojnë jo të shkuarën, por të ardhmen. Edhe kjo është një reformë. Ndaj uroj dhe dëshiroj që forcat politike të dëshmojnë qëndrimin e tyre të përgjegjshëm e serioz ndaj atyre që kanë shpallur, të ulen në komisionin përkatës e të gjejnë pikat e përbashkëta, ku mund të punojmë bashkërisht dhe ta miratojmë këtë ligj,” u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri e konsideroi befasuese qëndrimin kundërshtues të ligjit nga ana e Partisë Socialiste, një dite më parë.

“Dje, - u shpreh Kryeministri - ata dolën kundër dhe citonin ligjin që, absolutisht, m’u duk sikur po i referoheshin Kushtetutës së Enver Hoxhës, duke thënë se është shkelur Kushtetuta në 14 nene. Vetëm po të jetë shkelur Kushtetuta e vitit '74, me këtë do të isha dakord. Me këto ligje, Kushtetuta e Shqipërisë nuk është shkelur në asnjë nen, madje as edhe ndonjë kushtetutë e vendeve ish komuniste. Përkundrazi, ka një inkurajim të plotë nga Këshilli i Europës dhe ata kanë votuar në unanimitet një rezolutë, në dritën e frymës së rezolutës së Këshillit të Europës. Po ashtu, ka një kërkesë nga Parlamenti Europian. Nuk ka asnjë lidhje me pretendimet e tyre se është shkelur Kushtetuta në 13 nene. Kushtetuta nuk është miratuar një vit më parë, por në vitin 1998. Përfaqësuesit e PS-së që, dy vjet më parë, dorëzuan ligjin, nuk e dorëzuan atë për të shkelur Kushtetutën”.

Duke theksuar rëndësinë e miratimit një ligji të tillë për shoqërinë shqiptare, Kryeministri u shpreh se “ligji i jep një përgjigje të caktuar dhunës së përdorur gjatë diktaturës totalitare nëpërmjet instrumenteve të kësaj diktature, sigurimit famëkeq të shtetit, prokurorive, hetuesive, gjykatave speciale dhe të dëshmive të rreme”.

Kryeministri Berisha tha se në Europën post komuniste, ka një arkiv të pasur lidhur me qëndrimet e adaptuara ndaj kësaj problematike, që ka si pikë të përbashkët, hapjen e dosjeve.

“Këto ligje dhe pika të tjera kanë dallime serioze. Në vende të caktuara si Polonia kjo hapje është shoqëruar me procese gjyqësore për secilin që ka ndikuar në dënimin, ndëshkimin dhe internimin e qytetarit për bindje politike. Ligji polak dënon jo vetëm krimet e komunizmit, por edhe krimet e nazizmit dhe e fillon veprimin e tij nga dita e pushtimit të Polonisë. Vende të tjera kanë preferuar të hapin dosjet e të  bëjnë transparencën dhe të mos shkojnë në vendimmarrje të mëtejshme. Hapjen e dosjeve një seri vendesh të tjera e kanë shoqëruar me largimin nga detyra të funksionarëve, poste të fituara me zgjedhje, emërim apo caktim në administratën publike.”

Kjo çështje është diskutuar dhe trajtuar disa herë edhe në Shqipëri. Megjithatë, - theksoi Kryeministri, ajo nuk duhet të bëhet një çështje midis pozitës dhe opozitës, por forcat politike duhet të bashkohen në këtë projekt që duhet të jetë i hapur.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›