Kryeministri Berisha u kthye nga vizita në Kroaci ku mori pjesë në Samitin e nivelit të lartë të zhvilluar në Dubrovnik të Kroacisë
Në këtë takim u trajtuan çështjet kryesore mbi procesin e zgjerimit pas Traktatit të Lisbonës dhe referendumit në Irlandë, si dhe zhvillimet në Europën Juglindore në fushat e sigurisë, zhvillimit dhe prosperitetit të këtyre vendeve.
Në Samitin e Kroacisë merrnin pjesë Kryeministri i Kroacisë, zoti Ivo Sanader, Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, zoti Luka Bebic, Kryeministri i Hungarisë, zoti Ferenc Gyurcsany, Kryeministri i Sllovakise, zoti Robert Fico, Kryeministri i Malit te Zi, zoti Milo Dukanovic, Kryeministri i Shqiperise, zoti Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës, zoti Hashim Thaçi, Ndihmës Sekretari i Zyrës për Çështjet e Europës dhe Euroazisë në Departamentin e Shtetit, zoti Daniel Fried, Sekretari i Shtetit të Kanadasë, Zv.Kryeministri i Cekisë, zoti Alexander Vondra, Ministri i Jashtëm i Suedisë, zoti Karl Bildt, Drejtori i Zgjerimit në Komisionin Europian zoti David Daly si dhe ministra, ambasadorë, përfaqësues të lartë të strukturave të NATO-s dhe BE-së etj.
Në fjalën e tij gjatë këtij samiti, Kryeministri Berisha tha se zhvillimet pas Traktatit të Lisbonës për Shqipërinë dhe rajonin nënkuptojnë përpjekje të mëdha dhe performancë më të mirë në projektet e tyre madhore, integrimin në NATO dhe BE. Kryeministri theksoi se këto projekte përbëjnë planin e vërtetë të masave, në të cilin është fokusuar qeveria Berisha.
Duke falenderuar përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së për ndihmën dhe mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në integrimin euro-atlantik të saj, Kryeministri Berisha vlerësoi se marrja e ftesës në Samitin e Bukureshtit ishte një gjest vlerësimi për reformat e realizuara nga qeveria e tij.
Kryeministri e vuri theksin në reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, informalitetit dhe evazionit fiskal, duke u shprehur se në Shqipëri, klima e biznesit është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Lidhur me këtë ai ka theksuar se ekonomia shqiptare është një ekonomi e re, e vogël, dinamike dhe entuziaste. Ajo po ecën tani me ritmet më të larta të zhvillimit ekonomik në rajon e vazhdon të zhvillohet në një mjedis makroekonomik të qëndrueshëm
Lidhur me situatën në rajon Kryeministri Berisha vlerësoi se pavarësia e Kosovës dhe pavarësia e Malit të Zi kishin një rëndësi thelbësore për ta bërë rajonin e Ballkanit më të lirë se kurrë më parë.
Gjatë samitit u theksua nga të gjithë pjesëmarrësit ideja se që zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk duhet të lidhet me referendumin për Traktatin e Lisbonës, ndërsa u vlerësua se ky proces është një arritje e madhe dhe e shpejtë e sukseseve të BE-së. Pjesëmarrësit në panel vlerësuan gjithashtu suksesin e reformave në vendet e Ballkanit dhe nënvizuan se vazhdimi i tyre është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit europian.
Kryeministri zhvilloi takime të veçanta me Ndihmës Sekretarin e Zyrës për Çështjet e Europës dhe Euroazisë në Departamentin e Shtetit, Daniel Fried, me Ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt, Kryeministrin e Kroacisë, Ivo Sanader, Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç si dhe ministra, ambasadorë dhe personalitete të tjera të larta që merrnin pjesë në këtë samit.