Kryeministri Berisha vlerëson të domosdoshme ngritjen e një Instituti për studimin e krimeve dhe pasojave të diktaturës
- “Shoqëria dhe qytetarët shqiptare duhet të njihen me pasojat e tmerrshme të sistemit monist 45 vjeçar, me ekzekutimin, burgosjen, internimin e dhjetëra mijërave qytetarë të pafajshëm, burra, gra e fëmijë”.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha vlerësoi të domosdoshme ngritjen e një Instituti për studimin e pasojave të krimeve të diktaturës.
“Shoqëria dhe qytetarët shqiptare, - tha Kryeministri - duhet të njihen me pasojat e tmerrshme të sistemit monist 45 vjeçar, me ekzekutimin, burgosjen, internimin e dhjetëra mijërave qytetarëve të pafajshëm, burra, gra dhe fëmijë vetëm e vetëm për besimin tek liria, tek Zoti, vendi dhe kombi i tyre.”
Kryeministri theksoi se pasojat e sistemit totalitar kanë qenë të tmerrshme për mbarë vendin.
“Pas gulagëve, kampeve të përqendrimit dhe burgjeve, fshatarësia iu nënshtrua një sistemi të vërtetë skllavopronar, ku pronar ishte shteti monist dhe robër të vërtetë ishin 70 për qind e shqiptarëve që punonin në kooperativat bujqësore dhe ushqeheshin apo keq ushqeheshin në mënyrë të tillë sa me qindra e mijëra prej tyre gjetën vdekjen nga uria e pjesshme, apo për shkak të sëmundjeve që sillte mosushqyerja dhe kequshqyerja e tyre. Mijëra jetë fëmijësh të këputur nga mjerimi. Mbi 36 për qind e buxhetit të vendit ishte i destinuar për bunkerë dhe tunele, si në asnjë vend tjetër, që nga koha e faraonëve e deri më sot. Shqipëria përjetoi izolimin më të tmerrshëm në tërë jetëgjatësinë e saj. Lufta e klasave ishte parimi më çnjerëzor e barbar, që u kushtoi shqiptarëve më shumë viktima, terror e persekutim se çdo pushtim tjetër në historinë e tyre,” tha Kryeministri.
Zbardhja e plotë e këtyre krimeve dhe pasojave të tyre, - tha Kryeministri, mund të bëhet nga një Institut studimor, i përbërë nga studiues dhe historianë.
“Qeveria ka pasur një projekt për të ngritur një Institut studimor mbi pasojat e sistemit totalitar, i përbërë nga historianë dhe studiues, të cilët do të mund të studiojnë dhe të nxjerrin në pah të gjithë shëmtinë dhe pasojat tmerrësisht të rënda të atij sistemi, që Bernard Henri Levi e quan “barbari me fytyrë njerëzore”. Mendoj se ky institut duhet të ngrihet nga parlamenti dhe jo nga qeveria”.
Duke nënvizuar se ngritja e këtij Instituti do të bëhet mbi bazën e një ligji, Kryeministri tha se ai po përgatitet duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera dhe më pas do të paraqitet në parlament.