Kryeministri Berisha takon përfaqësues të firmës gjermane APENSA. AG

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me përfaqësues të kompanisë gjermane APENSA. AG, të kryesuar nga zoti Fritz Schaff, të cilët prezantuan projektin për ndërtimin e një impianti të nxjerrjes, përpunimit dhe ambalazhimit të ujit të pijshëm për konsum vendi dhe eksport, si dhe të një porti kontenierësh në zonën e Bunecit, investime të cilat arrijnë vlerën 400 milion euro.
Gjatë këtij takimi, përfaqësuesi i kompanisë gjermane Schaff, në emër të kompanisë shprehu vlerësimin për arritjet e viteve të fundit në ekonominë shqiptare, si dhe përmirësimin e ndjeshëm të klimës ndaj biznesit në tërësi dhe investimeve të huaja në veçanti. Janë pikërisht këto ndryshime, u shpreh zoti Schaff, të cilat e bindën kompaninë të përzgjedhë Shqipërinë ndër vendet e tjera të rajonit, për të zbatuar këtë projekt.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i njohu investitorët me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit, si dhe përpjekjet e vazhdueshme në përkrahje të investimeve të huaja dhe nxitjes së tyre. Duke mbështetur këto projekte, kryeministri Berisha i garantoi investitorët gjermanë se institucionet përkatëse do të mbështesin investimet e tyre, duke u shërbyer në kohë dhe me cilësi.