Kryeministri Berisha pret grupin e investitorëve nga Dubai dhe Katari

Kryeministri Berisha priti sot në një takim grupin OMNIX nga Dubai dhe Katari, të cilët paraqitën projektin e përfunduar në fushën e turizmit, për ndërtimin e një kompleksi turistik në gjirin e Lalsit.
Investimi me vlerë rreth 1 miliard dollarë, i parashikuar për tu përfunduar në 4 vjet, konsiston në ndërtimin e një rezidence turistike, akuapark-marine, qendrës relaksuese dhe kuruese, si dhe të një qendre trajnimi për konferencat si dhe të shkollës së turizmit. Ky projekt e parashikon këtë zonë, si një qytezë bregdetare me të gjitha llojet e infrastrukturës, duke përfshirë hotele, kinema, qendra argëtimi, kurimi, etj.
Duke e vlerësuar këtë projekt shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në vendin tonë, Kryeministri Berisha përgëzoi grupin nga Dubai dhe i garantoi ata se strukturat qeveritare do të mbështesin ndërtimin e këtij projekti, duke i siguruar investitorëve të gjitha lehtësitë e nevojshme.