Kryeministri Berisha fton për një darkë të ngrohtë familjare artisten e mirënjohur, Anna Oxa

Gjatë mbrëmjes së djeshme Kryeministri Berisha dhe zonja e tij Liri Berisha kishin të ftuar për një darkë të ngrohtë dhe miqësore artisten dhe këngëtaren e mirënjohur italiane me origjinë shqiptare, Anna Oxa.
Këngëtarja, moderatorja, prezantuesja e mirënjohur italiane me origjinë shqiptare, Anna Oxa e cila është dhe një avokate e shkëlqyer e Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi në Itali dhe kudo në Europë, shoqërohej gjatë kësaj darke nga dy fëmijët e saj, vajza Francesca dhe djali Qazim.
Anna Oxa dhe fëmijët e saj ndodhen në Shqipëri për të kaluar pushimet e shkurtra disa ditore në bregdetin tonë, por gjithashtu edhe në qytetin e Krujës, qytet ku ka lindur babai i saj dhe me të cilin ajo ka një lidhje shumë të fortë shpirtërore.
Gjatë kësaj darke që u zhvillua në një atmosferë mjaft të përzemërt dhe familjare Anna Oxa shprehu kënaqësinë e madhe të saj dhe të fëmijëve të saj për ditët e mrekullueshme që ata kaluan në Shqipëri.
Ajo falenderoi Kryeministrin Berisha dhe shprehu vlerësimet maksimale për punën e tij për të ndryshuar kaq shumë vendin e saj të origjinës, ndryshim rrënjësor për të cilin ajo u shpreh se e konstatoi gjatë kësaj vizite krahasuar me vizitën e saj të fundit në vendin tonë, ndryshime këto të cilat e gëzonin pa masë duke qenë se e konsideronte dhe donte Shqipërinë si vendin e saj.
Në këtë darkë Anna Oxa dhe fëmijët e saj shoqëroheshin nga këngëtari i mirënjohur i panoramës shqiptare të muzikës Ardit Gjebrea, bashkëshortja e tij Anila, të cilët ishin dhe mikpritësit e këngëtares së shquar italiane në pushimet e saj në vendin tonë.
Ajo tha se ndryshimin dhe zhvillimin e Shqipërisë në vitet e fundit e gjente të pasqyruar edhe në zhvillimin e kulturës , spektaklit, botës muzikore në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo shqiptarët jetojnë.
Anna Oxa u shpreh gjatë darkës se ndihej shumë mirë dhe shumë e mirëpritur në Shqipëri dhe se do të vinte përsëri këtu këtë radhë për të qëndruar më gjatë.