Kryeministri Berisha pret delegacionin e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer
Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion të fondacionit të mirënjohur gjerman Konrad Adenauer, i përfaqësuar nga Drejtori për Evropën dhe Amerikën e Veriut, te këtij fondacioni, Dr. Thomas Kunze.
Pasi iu uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Z. Kunze mirënjohjen për rolin e rëndësishëm që Fondacioni Kondrad Adenauer ka dhënë në transformimin dhe në forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri e në rajonin e Europës Juglindore. Kryeministri theksoi mirënjohjen e thellë të shqiptarëve dhe qeverisë shqiptare për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer, që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë për ndihmën gjermane për frymë në botë.
Z. Kunze e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre tri viteve të fundit në të gjitha aspektet. Ai vlerësoi ftesën që Shqipëria mori për anëtarësim në NATO, si një arritje madhore të Shqipërisë, dhe një sukses të madh të qeverisë shqiptare.
Kryeministri e njohu delegacionin e fondacionit Konrad Adenauer me reformat e ndërmarra dhe arritjet e qeverisë shqiptare, në fushat e luftës kundër krimit, korrupsionit, krijimit të klimës së favorshme për biznesin, zhvillimin e ekonomik me ritme të shpejta, sjelljen e Shqipërisë në moshën digjitale. “Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, u shpreh Kryeministri Berisha, dhe investitorët gjermanë do të gjejnë mbështetjen maksimale per investimet e tyre në Shqipëri”.
Duke shprehur vlerësimin e tij për arritjet e mëdha te qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe trevjeçare, Z. Kunze i shprehu Kryeministrit Berisha dëshirën dhe gatishmërinë e fondacionit Konrad Adenauer për të intensifikuar aktivitetin e tyre në Shqipëri, dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në shumë fusha. “Gjatë këtyre viteve të fundit Shqipëria është shndërruar tërësisht dhe gjithnjë e më shumë ofron pamjen e një vendi perëndimor, prandaj ne dëshirojmë të jemi shumë më aktivë në vendin tuaj”, u shpreh z. Kunze.
Z. Kunze theksoi se po e presin me kënaqësi të veçantë vizitën e Kryeministrit Berisha në Gjermani, dhe takimin që ai do të ketë me Kancelaren Merkel, si një ngjarje të rëndësishme që do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet midis dy qeverive dhe te dy vendeve.