E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha hap fushaten e PD-se ne ritme muzikore

Berisha, 10 minuta fjalim në shi, më shumë këngë, sesa program politik. PD-ja hapi dje fushatën elektorale në kryeqytet. Kryeministri premton anëtarësimin në BE

Eljona Ballhysa
Ka zgjatur vetëm dhjetë minuta mitingu i djeshëm i Partisë Demokratike në Tiranë. Megjithëse ishte konceptuar një miting në të cilin PD-ja do të çelte zyrtarisht fushatën dhe do të prezantonte programin politik para elektoratit, në të mbizotëroi muzika dhe performancat e këngëtarëve të njohur të skenës shqiptare. Ndërsa vetë kreu i PD-së, Sali Berisha, erdhi në momentin e fjalimit të tij nën ritmin e këngës së grupit “Modern Talking”, “Ne mund ta fitojmë garën” dhe pas një fjalimi që zgjati rreth 10 minuta, Berisha u largua i shoqëruar nga truprojat e tij. Duket se shiu i verës dje në Tiranë nuk i dha mundësi PD-së të shpaloste programin elektoral. Nën pikat e shiut në skenën e improvizuar para monumentit të Skënderbeut, përveç të rinjve të FRPD-së, me pankartat në duar “Shqipëria po ndryshon”, ishin të pranishëm dhe kandidatët e PD-së për qarkun e Tiranës. Ashtu si Partia Socialiste, edhe demokratët shpalosën gjatë mitingut të djeshëm kolonën zanore të fushatës së tyre, një këngë të re shqiptare, kënduar nga “Elita 5”, Aleksandër Gjoka e Genta Ismaili, “Shqipëria po ndryshon”.
Fjalimi
I pari e ka marrë fjalën kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, i cili ka kërkuar votën e qytetarëve të Tiranës për PD-në dhe “për liderin vizionar”, Sali Berisha. Bumçi përmendi se qeveria e udhëhequr nga Berisha e anëtarësoi Shqipërinë në NATO, aplikoi për statusin e anëtarësimit në BE dhe premton se brenda 6 muajve të parë të mandatit të dytë do të liberalizojë vizat me BE-në. Më pas fjalën e mori aktorja që kandidon për PD-në e treta në listë për Tiranën, Rajmonda Bulku. Edhe ajo, duke sjellë në vëmendje se PD-ja rrëzoi bustin e diktatorit më të egër në Europë, kërkoi votën për të vazhduar reformat dhe për të lejuar që vendi të udhëhiqet nga “lideri vizionar” Sali Berisha. “Jam këtu për të mbështetur njeriun më vizionar të PD-së, Sali Berishën”, - është shprehur Bulku. Më pas fjalën e ka marrë kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili, për shkak të mitingjeve të shumta të ditëve të fundit në rrethe të ndryshme të vendit, u shfaq dje para qytetarëve të Tiranës me zë të ngjirur. Berisha tha se Tirana dhe Shqipëria sot janë anëtare të NATO-s. Sipas tij, Tirana dhe Shqipëria, për shkak të reformave të ndërmarra nga qeveria e PD-së, aktualisht kanë aplikuar për statusin e kandidatit në BE, kanë rritjen ekonomike më të lartë në Europë, kanë rezultate të shkëlqyera për klimën e biznesin dhe se më 28 qershor do të shënojnë të njëjtën fitore si më 22 mars të vitit 1992. Ndërsa për 4 vitet e ardhshme Berisha premtoi se shqiptarët do të kenë më shumë rrugë, do të kenë ujë 24 orë, do të kenë shkolla më të mira, një shërbim shëndetësor më të mirë dhe 160 vende të reja pune. “Tirana europiane do të jetë Tirana e punës, e progresit e begatisë. Katër vitet që vijnë do të krijojmë së bashku 160 mijë vende të reja pune. Tirana do të jetë në katër vite kryeqyteti i Unazës së Madhe e i korridoreve të saj. Qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë do të paguhen edhe më mirë se ata qytetarë në 6 vende anëtare të BE-së. Tirana europiane do të jetë Tirana e lirive, Tirana e prestigjit, e dinjitetit të këtij kombi. Së bashku më 28 qershor do t’i kthejmë lavdinë tonë elektorale, 22 marsin e vitit 1992”, - është shprehur Berisha.
Mitingu
Pas këtij fjalimi të koncentruar, kryetari i PD-së, i shoqëruar nga truprojat e tij, iu drejtua makinës duke lënë pas më qindra simpatizantë që ishin mbledhur në sheshin “Skënderbej”. Më pas fjalën e ka marrë Aldo Bumçi, i cili në mbyllje të mitingut u shpreh se “shiu është bereqet, është sinjali i fitores”. Pavarësisht shiut, këngëtarët kanë vazhduar spektaklin me performancat e tyre, ndërsa u lëshuan për herë të parë tingujt e këngës së PD-së në këtë fushatë, me titullin e “Shqipëria po ndryshon”. “Shqipëria po ndryshon/ është një rrugë që na bashkon/ është një ëndërr që na fton/ është e ardhmja që premton/ është jehonë që sot beson”, - ishte refreni i kësaj kënge.

2 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›