Topi, apel partive: “Mos i përdorni fëmijët në fushatë elektorale”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të nxënësve të Parlamentit Rinor. Në emër të këtij parlamenti, nxënësja Jona Mersuli, pasi i paraqiti presidentit Topi punën dhe rolin e këtij organizmi, i shprehu shqetësimin mbi problemet e arsimit parauniversitar, lëvizjen e lirë të të rinjve, punësimin e mungesën e ambienteve argëtuese për ta. Presidenti i Republikës i përgëzoi për punën që bëjnë duke përcjellë zërin e të rinjve në evidentimin e prioriteteve të tyre nëpërmjet sondazheve, intervistave e perceptimit publik me një infrastrukturë rinore të ngritur në çdo qark të vendit si një element që shënon rritje të demokracisë. Në takimin e zhvilluar në formë bashkëbisedimi, duke u ndalur tek aktualiteti i ditës, përfaqësuesit e Parlamentit Rinor i paraqitën kryetarit të shtetit shqetësimin mbi përdorimin e të miturve nën moshën 18 vjeç për të mbushur sallat apo mitingjet elektorale. Sipas tyre, kjo gjë dëmton procesin arsimor dhe edukues të të miturve, pasi i shkëput nga mësimi si dhe përdoret imazhi i tyre për qëllime elektorale të partive politike në Shqipëri. Sipas përfaqësuesve të Parlamentit Rinor, ky lloj angazhimi bie ndesh jo vetëm me normat morale e etike, por edhe me frymën e Konventës së të Drejtave të Fëmijës. Presidenti i Republikës i konsideroi të drejta shqetësimet e Parlamentit Rinor dhe i inkurajoi që të jenë aktivë në debatin publik për të shprehur hapur mendimet e tyre, edhe nëpërmjet takimeve me subjekte të tjera. Presidenti dhe përfaqësuesit e Parlamentit Rinor ndanë mendimin dhe kërkesën se të rinjtë dhe e ardhmja e tyre duhet të trajtohen si prioritet në programet elektorale të partive politike, se duhet të respektohet barazia gjinore në përfaqësimin në Parlament dhe se fushata zgjedhore duhet të zhvillohet në respekt të rregullave etike e morale.
2 Qershor 2009