E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për hapjen e Qendrës Burimore e të Trajtimeve për Teknologjinë e Informimit dhe Komunikimit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në ceremoninë e krijimit të Qendrës së parë Burimore dhe të Trajtimeve për Teknologjinë e Informimit dhe Komunikimit (Qendra PROTIK).  Kjo qendër do të funksionojë si një partneritet publik – privat ndërmjet disa partnerëve, Qeverisë shqiptare, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), USAID, Microsoft Albania, Hewlett-Packard, Cisco dhe Albtelekom  dhe ajo do të mbështesë zhvillimin dhe përdorimin e inovacionit dhe TIK për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe do të nxisë fuqizimin e këtij sektori në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri për Inovacionin dhe TIK Genc Pollo, Drejtori i Misionit të USAID z. Joseph Williams, Kryetari i Bordit të AADF, z. Michael Granoff, si dhe përfaqësues të lartë të Microsoft dhe Albtelekom, të cilët nënshkruan dhe memorandumin e Mirëkuptimit  për hapjen e kësaj qendre.

Kryeministri vlerësoi ngritjen e qendrës PROTIK si një qendër e një rëndësie shumë të madhe në trajnimin, kualifikimin  e ekspertëve shqiptarë për të ndjekur horizontet e mëdha dhe të lëvizshme të botës dixhitale. Edhe pse kjo qendër është e vogël, theksoi Kryeministri, ajo ka një rol shumë të madh në inkurajimin dhe promovimin e inovacionit, që është shndërruar sot në një nga shtyllat më kryesore të fuqishme të zhvillimit të ekonomisë në vendet e zhvilluara në botë.

Në përshëndetjen e tij në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot në përpjekjen tonë për Shqipërinë dixhitale, ne nënshkruajmë një Memorandum në kuadrin e partneritetit publik- privat, me të cilin hapet Qendra PROTIK.

Me ketë rast, dua të shpreh falënderimit tim të përzemërt Drejtorit të USAID-it Williams, i cili ka meritën e promotorit shumë të rëndësishëm të kësaj qendre, dua të falënderoj Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, të përshëndes anëtarët e Bordit, të falënderoj Korporatën e Microsoft-it dhe Albtelekomit, që në përpjekje të përbashkëta hapim sot këtë qendër, një qendër e një rëndësie shumë të madhe në trajnimin, kualifikimin  e ekspertëve shqiptarë për të ndjekur horizontet e mëdha dhe të lëvizshme të botës dixhitale. Kjo qendër  është e vogël, por ka një rol shumë të madh në inkurajimin dhe promovimin e inovacionit, që është shndërruar sot në një nga shtyllat më kryesore të fuqishme të zhvillimit të ekonomisë në vendet e zhvilluara në botë.

Duke inauguruar këtë qendër, unë ftoj promotorët e saj, Fondin Shqiptaro-Amerikan në radhë të parë, që të përqendrohet në të ardhmen në interesin më të mirë të këtij vendi dhe të këtij kombi në këtë fushë.

Sapo përfundova në zyrën time një takim me mikun tim Granoff, ku po diskutoja për bibliotekën e re . Ai kishte ide të shkëlqyera për konceptimin. Ajo që i mungon Shqipërisë është pikërisht I-library. Gjithashtu, Tirana ICT Park mund të jetë vepër konkrete e Fondit, USAID, Microsoft-it, Albtelekomit. Qeveria është e gatshme të miratojë kuadrin ligjor më të favorshëm, më të shkëlqyer për të.

Pak javë më parë unë isha në Nju Jork dhe një nga momentet më impresionuese të vizitës sime ishte takimi që organizoi Presidenti Obama dhe Presidentja e Brazilit Dilma Rouseff për Partneritetin në qeverinë e hapur. Ky partneritet bazohej në 46 zotime, e tërë nisma  ishte një nismë dixhitale, që synonte të bënte të mundur penetrimin e rrezes së transparencës në çdo qelizë të administratës shtetërore, në interesin më të mirë të qytetarëve.

Do ta mbyll këtë fjalë me besimin e madh se kjo qendër, me këta aktorë të rëndësishëm me të cilët ajo ngrihet, e ka të sigurt suksesin. Por dua edhe të rikujtoj se koha ka shpejtësinë e saj, por më e shpejtë se kudo është koha e moshës dixhitale. Ndaj le t’i përvishemi punës për ta shndërruar këtë qendër në histori të vërtetë suksesi, pasi këtu ne kemi të bëjmë me përfaqësues të suksesit. Faleminderit”.  


24/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›