Kryeministri Berisha përshëndeti konferencën “Integrimi Euroatlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, në kuadrin e Kartës së Adriatikut

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, konferencën me temë “Integrimi Euroatlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor, e zhvilluar në Tiranë, në kuadrin e kryesimit nga Shqipëria, të Kartës së Adriatikut.
Në këtë aktivitet, i cili tashmë është i përvitshëm merrnin pjesë, Kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, delegacione të parlamenteve të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, anëtarë të komisioneve të sigurisë të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, zoti Aleksandër Arvizu, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve që lidhen me sigurinë dhe aktorë joshtetërorë, etj.
Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë atyre që ideuan dhe themeluan në Tiranë, Kartën e Adriatikut, si një instrument të ri, në ndihmë të vendeve pjesëmarrëse, drejt anëtarësimit të tyre në NATO.
Kryeministri falënderoi gjithashtu qeverinë e SHBA-ve, ish sekretarin e Shtetit Colin Powell, si dhe qeverinë e Presidentit Obama për themelimin dhe interesin e tyre konstant për funksionimin e kësaj nisme, e cila ia doli të shënojë ndryshime epokale në rajonin e Ballkanit, duke i bërë kombet e këtij rajoni më të sigurta se kurrë.
Kryeministri theksoi se Nisma, Karta e Adriatikut menjëherë pas themelimit u shndërrua në një mekanizëm të fuqishëm të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, në çështjet më sensitive të vendeve dhe kombeve që janë, çështjet e sigurisë. Në këtë kontekst, Kryeministri siguroi se Shqipëria është dhe do të mbetet e hapur për bashkëpunimin me të ngushtë me këto vende dhe se do të mbështesë plotësisht aspiratën e kombeve të tyre, për anëtarësim të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si e ardhmja më e shkëlqyer e lirisë së tyre dhe rajonit në tërësi.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Para së gjithash, unë dua të shpreh në këtë konferencë mirënjohjen më të thellë, ndaj atyre që ideuan dhe themeluan këtu në Tiranë, Kartën e Adriatikut, si një instrument të ri, me të cilën donin të ndihmonin vendet tona, për progres në rritje drejt anëtarësimit në NATO, të falënderoj qeverinë e SHBA-ve, ish sekretarin e Shtetit Colin Powell, por edhe qeverinë e presidentit Obama për themelimin dhe interesin e tyre konstant, për funksionimin e kësaj nisme, e cila ia doli të shënojë ndryshime epokale në rajonin e Ballkanit, të bëjë kombet e këtij rajoni më të sigurta se kurrë. Ishte kjo nismë, Karta e Adriatikut, e cila u shndërrua në një proces që bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë, Kroacisë, de fakto, dhe të Maqedonisë de juro, për shkak të problemit të emrit, ende jo. Është kjo nismë, e cila mirëpriti dhe mirëpret vende të tjera, si Malin e Zi, Bosnjën, mbetet e hapur plotësisht dhe funksionon me Serbinë dhe Kosovën. Nisma, “Karta e Adriatikut 5” sot, menjëherë pas themelimit u shndërrua në një mekanizëm të fuqishëm të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal në çështjet më sensitive të vendeve dhe kombeve që janë, çështjet e sigurisë. Kjo Kartë shërbeu për ndërtimin me shpejtësi të urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve që më parë nuk e kishin parë me sy të mirë njëri-tjetrin dhe sot grupon vende, që deri dje kanë qenë armiq të egër ndaj njëri-tjetrit, por që kanë vullnetin për të shkruar një kapitull të ri në historinë e paqes, sigurisë, bashkëpunimit ndërmjet tyre.
Karta e Adriatikut 5 është unike në llojin e vet, ndaj dhe unë përshëndes të gjitha anëtaret, vëzhguesit, në këtë Kartë. Dua të përshëndes kryesimin që i bëri Mali i Zi, Kartës dhe i konsolidoi më tej, rolin e saj në rajon. Jam i bindur se Kosova, e cila është këtu në rajon, në disa aspekte është “de fakto” anëtar i NATO-s, ndërsa “de juro” nuk është. Me të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që ka me KFOR-in, Kosova është një vend i garancisë, stabilitetit dhe paqes në rajon, me një rol të veçantë. Jam i bindur se pas kapërcimit të një problematike në veriun e Kosovës, Serbia do të marrë rolin që i takon, në interesin më të mirë të së ardhmes së vendit të saj, kombit serb.
Zonja dhe zotërinj,
Samiti i Lisbonës ishte një Samit historik për Aleancën. Ky samit përcaktoi konceptin e ri strategjik të saj dhe në këtë koncept shtylla kryesore të saj janë, mbrojtja kolektive, menaxhimi i krizave, siguria dhe bashkëpunimi. Vendet tona gjejnë veten shkëlqyer në konceptin e ri strategjik të Aleancës. Shqipëria është e vendosur të japë çdo kontribut në sigurimin kolektiv, pasi ai përbën formën më të lartë të sigurisë për secilin vend. Siguria kolektive faktohet sot, si forma më jetike e sigurisë së çdo vendi të veçantë.
Siguria kolektive është në thelb gjithashtu edhe rendi ndërkombëtar i vendeve të lira dhe ky është avantazhi më absolut i qytetarëve te këtyre vendeve. Edhe ne vendet anëtare të NATO-s, lindin dukuri dhe fenomene kërcënuese ndaj lirive dhe të drejtave të tyre, krijohen ekstremizma të llojeve të ndryshme, por fati i madh i qytetarëve të këtyre vendeve është se rendi ndërkombëtar garanton liritë e tyre dhe se garanti kryesor është NATO-ja , Aleanca e Atlantikut të Veriut, e cila për këto liri dhe të drejta ndërmori sulmin ajror në Kosovë, për këto liri dhe të drejta bëri në operacionin e fundit, që dje kombi libian të festojë lirinë e tij, të shpallë të çliruar territorin nga një regjim barbar , i cili në qoftë se nuk do të ishte ndërhyrja eficente e fuqisë ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut do ta shndërronte ne shkretëtirë dhe në territorin e madh të atij vendi do të gjendeshin vetëm fisi i Gedafëve.
Menaxhimi i krizave është parimi tjetre themelor i konceptit të ri strategjik, i cili u miratua në Lisbonë pas një diskutimi shumë të gjerë dhe këtu ne duhet ta konsolidojmë gjithnjë e më shumë këtë proces. Ne jemi së bashku në Afganistan dhe kjo është një risi shumë pozitive. Ne duhet të jemi së bashku në të gjitha krizat rajonale. Krizat, siç e shihni janë të shumëllojta. Emergjencat që përballemi janë të njëjta. Forcat e armatosura nuk kanë të zëvendësuar, në rolin e tyre jetik në menaxhimin e krizave civile. Ndaj dhe këtu një bashkërendim më i mirë. Në gjitha rastet ne kemi pritur me të drejtë dhe kemi patur mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s, por tani ne duhet të jemi të parët që reagojmë, në mënyrë të koordinuar ndaj tyre, kudo që ato krijohen dhe ta bëjmë këtë në kuadrin e Kartës së Adriatikut, duke i dhënë kësaj Karte më shumë frymë, më shumë veprimtari.
Zonja dhe zotërinj,
Do mbyll fjalën time, duke ju përshëndetur ju përzemërsisht për nderin e madh që keni bërë me pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë shumë të rëndësishme dhe tu siguroj se Shqipëria është dhe do të mbetet e hapur për bashkëpunimin me të ngushte me vendet tuaja dhe se do të mbështesë plotësisht aspiratën e kombeve tuaja, për anëtarësim të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si e ardhmja më e shkëlqyer e lirisë së tyre dhe rajonit në tërësi.
24/10/2011