E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i dërgon një mesazh ngushëllimi Presidentit të SHBA Barack Obama, për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga sulmi ndaj Ambasadës amerikane në Libi

Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Barack Obama, për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga sulmi i ndodhur mbi Ambasadën e SHBA në Bengazit të Libisë, si pasojë e të cilit humbën jetën Ambasadori i SHBA në Libi, zoti Christopher Stevens dhe tre punonjës të Ambasadës Amerikane atje.

Duke dënuar këtë akt terrorist me ashpërsinë më të madhe, Kryeministri Berisha i shpreh Presidentit Obama, familjeve të viktimave, qeverisë dhe kombit amerikan, ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e madh për këtë humbje të rëndë, si dhe mbështetjen më të plotë në luftën kundër terrorizmit në botë.

Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Kryeministri Berisha shkruan:

“I nderuari zoti President

Atentati terrorist i Bengazit, në të cilin humbi jetën Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Libi, zoti Christopher Stevens dhe tre punonjësit e Ambasadës Amerikane, është një ngjarje tronditëse tejet e dhimbshme për Ju dhe kombin tuaj ta madh, por edhe për shqiptarët dhe të gjithë miqtë tuaj në mbarë botën.

Qeveria shqiptare dënon me ashpërsinë më të madhe  këtë akt të shëmtuar e barbar ndaj Ambasadorit Stevens dhe tre punonjësve të Ambasadës Amerikane dhe ju shpreh Ju, familjeve të viktimave, qeverisë dhe kombit tuaj, ngushëllimet më të sinqerta, ndjenjat më të thella të simpatisë e solidaritetit, për këtë humbje të rëndë, si dhe mbështetjen më të plotë në luftën kundër terrorizmit në botë.

Qeveria shqiptare shpreh bindjen  se, nën udhëheqjen tuaj të vendosur, monstrat terroriste të Al Qaedes që kryen në Bengazi aktin primitiv terrorist dhe falanga e tyre kudo në botë, do të marrin nga SHBA-të dhe vendet e lira ndëshkimin kapital që meritojnë”. 


12/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›