E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron shkollën e re 9-vjeçare në Qesarake, komuna Dajt

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në inaugurimin e shkollës së re në fshatin Qesarake të Komunës Dajt në Tiranë.  Kryeministri shprehu kënaqësinë për inaugurimin e kësaj shkolle të re, e cila kap vlerën e  një investimi prej 70 milion lekësh dhe ka një kapacitet prej 580 nxënësish. Pasi ka inspektuar disa nga ambientet e brendshme moderne të kësaj shkolle, Kryeministri siguroi  Kryetarin e Komunës, se qeveria do të bëjë gjithçka, për ndërtimin në këtë komune  të një sistemi kopshtesh dhe shkollash ndër me modernet.

Kryeministri u shpreh se për qeverinë, arsimi është dhe mbetet prioritet duke shprehur kënaqësinë për arritjen, në sistemin arsimor, të disa nga  treguesit e vendeve të zhvilluara. Kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur të bëjë  gjithçka që nxënësit shqiptarë të shkollohen sa më mirë, të shkollohen në standardet e bashkëmoshatarëve në vendet e zhvilluara të Europës, pasi, - siç u shpreh ai -ne besojmë se Shqipëria do të mund të vendoset ndër vendet e zhvilluara, vetëm si një Shqipëri  e dijes, si një Shqipëri e shkollimit, si një Shqipëri e ideve e në këtë kontekst përcaktues është sistemi arsimor dhe cilësia e tij.

Shtrirja  e internetit në të gjitha shkollat është një tjetër arritje që qeveria ka shënuar  gjatë këtyre viteve ndërkohe që Kryeministri Berisha premtoi se do të ecet me shpejtësi që shtrirja e tij të bëhet në të gjitha klasat.

Duke u ndalur tek investimet që ka bërë qeveria në fushën e arsimit, Kryeministri Berisha theksoi se, në këtë hark kohor 7 vjeçar, qeveria ka ndërtuar apo rindërtuar 71% të të gjitha shkollave të vendit, ndërkohe që ka premtuar ndërtimin dhe rindërtimin e të gjitha shkollave të tjerat që kanë mbetur, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të ulen në bankat e shkollave me standardet më të mira. 

Gjithashtu Kryeministri Berisha është shprehur se qeveria në epiqendër  të shkollës ka  vendosur dhe do të vendosë mësuesin, këtë misionar të madh, i cili është për nxënësit,  pas prindërve e vëllezërve dhe motrave, njeriu  më i dashur, me i çmuar dhe theksoi se në një hark kohor të shkurtër qeveria dëshmoi respektin dhe vlerësimin maksimal për misionin e tij fisnik.  “Nuk ka ndonjë vend tjetër, i cili të ketë rritur rrogat e mësuese nga 100 deri në 140 për qind, siç i ka rritur Shqipëria në këtë periudhë të shkurtër.  Ne i përkasim sot grupit më të vogël  të vendeve, në të cilat rroga e arsimtarit në piramidën e rrogave të administratës qëndron qartësisht mbi rrogën mesatare të vendit”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Berisha ka garantuar mësuesit dhe mësueset, se ky kurs, ky qëndrim do të vazhdojë përsa kohë shqiptarët do të votojnë Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Kryeministri ka theksuar se qeveria do të vazhdojë punën për konsolidimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit arsimor duke bërë reforma të thella për arritur nivelet më të larta.

Më gjerësisht në fjalën e  tij Kryeministri tha:

Të dashur mësues dhe mësuese

Të dashur nxënës dhe nxënëse

Së pari ju përshëndes shumë  përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time të madhe, që ndaj me ju gëzimin e kësaj shkolle të re, në këtë lagje të re, shkollë në të cilën janë investuar rreth 70 milion lekë dhe ka një kapacitet prej 580 nxënësish, me klasa të arsimit parashkollor dhe kushte më të mira dhe më moderne për nxënësit dhe nxënëset që mësojnë në këtë shkollë.  Është një rast për mua, të garantoj Kryetarin e Komunës, se qeveria do të bëjë gjithçka për ndërtimin në këtë Komunë me një popullatë të madhe dhe relativisht të re të vendosur në të, të  një sistemi kopshtesh dhe shkollash ndër me modernet dhe se ndërtimi i kësaj shkolle do të vazhdojë me ndërtimin e shkollës së mesme në këtë zonë dhe me ndërtimin e shkollave të tjera, në zona të tjera të Komunës. Për ne si qeveri, për mësuesit dhe mësueset  tuaja, për nënat, baballarët dhe familjarët tuaj të dashur fëmijë, shkollimi juaj është përparësia më e madhe, është çështja më serioze. Ndaj dhe jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që ju të shkolloheni sa më mirë, të shkolloheni në standardet e bashkëmoshatarëve tuaj në vendet e zhvilluara të Europës. Ne besojmë se Shqipëria do të mund të vendoset ndër vendet e zhvilluara, vetëm si një Shqipëri  e dijes, si një Shqipëri e shkollimit, si një Shqipëri e ideve. Në këtë kontekst përcaktues është sistemi arsimor dhe cilësia e tij.

Të dashur fëmijë

Nga klasa  e parë në të nëntën, në këtë shkollë dhe kudo që jeni, ju uleni këtu në bankat e shkollës dhe puna juaj, përkushtimi jua, dashuria juaj për librat, për mësuesit,  përcakton më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen e ndritur që ju meritoni.  Ju  uleni në bankat e shkollës me ëndrra fisnike, të bukura. Ju imagjinoni me të drejtë veten tuaj nesër, inxhinier, mjekë , shkencëtarë, kryeministër, deputetë dhe në mendjen tuaj, imagjinatën tuaj, në mënyrë të ligjshme krijohen ëndrrat, të cilat mund ti realizoni dhe do ti realizoni, vetëm duke u shndërruar në njerëz të dijes. Asgjë nuk përcakton më shumë, kthimin e ëndrrave tuaja realitet , bërjen e tyre të vërteta, sesa puna juaj me dashuri në bankat e shkollës, në bankat e universiteteve.

Për qeverinë, arsimi është dhe mbetet çështje më kryesore. Ne jemi të vetëdijshëm se në konsolidimin e këtij sistemi mbetet shumë punë për të bërë, por sot ndihemi gjithashtu të inkurajuar shumë, se  në një hark kohor të shkurtër  7 vjeçar , ne sot kemi  nivelin e vendeve të  zhvilluara përsa i përket kalimit të nxënësve nga shkollat  9-vjeçare në shkollat e  mesme.  91% e atyre që mbarojnë shkollën 9-vjeçare, hyjnë në gjimnaze  dhe ky është një nga nivelet e larta të vendeve të zhvilluara. Ne sot kemi arritur nivelin e vendeve të zhvilluara, në student për 1 mijë banorë dhe kjo u arrit, sepse në këto  7 vite numri i studentëve u rrit mbi 3 herë.  Në vitin 2005 ne kishim gjithsej 12 student për 1 mijë banorë. sot jemi mbi mesataren e vendeve më të zhvilluara të Europës,  kemi 49 student për 1 mijë. Ne kemi arritur nivelin e vendeve të zhvilluara përsa i përket shtrirjes së internetit në të gjitha shkollat dhe sot do të ecim me shpejtësi të shtrirjes së tij në të gjitha klasat. Ne do të bëjmë gjithçka për një infrastrukturë moderne të shkollave tona.

Të dashur fëmijë dhe mësues,

Në këtë hark kohor 7 vjeçar, ne kemi ndërtuar apo rindërtuar 71% të të gjitha shkollave të vendit. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha të tjerat që kanë mbetur, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të ulen në bankat e shkollave me standardet më të mira.  Ne në epiqendër  të shkollës kemi vendosur dhe do të vendosim mësuesin, këtë misionar të madh, i cili është për ju pas prindërve, vëllezërve dhe motrave, njeriu juaj më i dashur, me i çmuar, por i tillë ai është edhe për shoqërinë shqiptare.  Në një hark kohor të shkurtër ne bëmë gjithçka ti dëshmojmë respektin vlerësimin për misionin e tij fisnik.  Nuk ka ndonjë vend tjetër, i cili të ketë rritur rrogat e mësuese nga 100 deri në 140 për qind, siç i ka rritur Shqipëria në këtë periudhë të shkurtër. Ne i përkasim sot grupit më të vogël  të vendeve, në të cilat rroga e arsimtarit, në piramidën e rrogave të administratës, qëndron qartësisht mbi rrogën mesatare të vendit. Garantojmë mësueset dhe mësuesit, se ky kurs, ky qëndrim do të vazhdojë përsa kohë shqiptarët do të votojnë Partinë Demokratike dhe aleatët e saj.

Ne kemi sërish rrugë për të bërë, gjithçka duhet të përqendrohemi tek cilësia, shkolla moderne, mësues të trajnuar, mësues të mirë shkolluar, prindër  të përkushtuar në shkallë maksimale për shkollimin e fëmijëve të tyre, të gjitha këto janë kushte jashtëzakonisht të favorshme për të arritur nivelet më të larta të cilësisë së shkollave tona.  Ne do të arrijmë nivelet më të larta, sepse ne kemi çdo mundësi  për ti arritur ato, por mbi të gjitha kemi  përkushtimin e madh të 40 mijë mësueseve dhe mësuesve të Shqipërisë, të cilët këtë mision fisnik do ta lartësojnë gjithnjë e më shumë. Ne do të arrijmë në nivelet më të larta me reformën e thellë që kemi bërë  në sistemin arsimor, me ligjet që kemi vendosur dhe kushtet që krijojmë. Ne do të arrijmë nivelet më të larta, sepse i tërë  arsimi para universitar do të vendoset mbi dy shtylla kryesore, në të cilat nxënësit do të arrihen gjithnjë e më lart, gjuha shqipe dhe matematika. Duke vendosur gjuhën dhe matematikën, si shtyllë kryesore të arsimit para universitar, ne ju japim mundësi mësuesve dhe nxënësve të konsolidojmë cilësi në rritje. Ne jemi të vendosur ti përkushtojmë një rëndësi të veçantë mësimit të gjuhëve të huaja. Shqiptarë me gjuhën e  tyre të bukur, me alfabetin e  tyre të bukur prej 36 germash, janë gjuhë- folësit më të mirë të gjuhëve të tjera. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka që ju, kur të mbaroni gjimnazin, të jeni poliglot të vërtetë.  Këto janë arritjet tona  në këto vite. Por një arritje tjetër e madhe është në arsimin parashkollor. Nëse pak vite më parë sistemi i kopshteve pësoi rëni të madhe, sot ky sistem po ecën me shpejtësi.  82 për qind e të gjithë nxënësve të klasave të para, që u ulën vitin e kaluar erdhën nga kopshtet. Shpresoj këtë vit të jete më i lartë. Do të bëjmë gjithçka gjersa të kapim njërin prej nivele më të larta, sepse arsimi parashkollor përben vërtet një kopsht të bukur për të hyrë në shkollë. Ndaj dhe le të  punojmë të gjithë bashkërisht në mënyrë që shkolla, shtëpia juaj e dytë, të shndërrohen në një shtëpi të dashur, të shndërrohet në shkollën e  ëndrrave tuaja më të bukura.

Faleminderit.  


12/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›