Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet Presidentit Obama për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga uragani në shtetin e Misurit
Kryeministri Berisha i dërgoi një telegram ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Barack Obama, për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga uragani i fuqishëm që goditi qytetin e Joplin, në shtetin e Misurit, si pasojë e të cilit humbën jetën më shumë se njëqind qytetarë amerikanë.
Në telegramin e tij të ngushëllimit, Kryeministri Berisha shkruan:
“I dashur zoti President,
Me keqardhje të thellë mësova për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga uragani i fuqishëm që goditi qytetin e Joplin në shtetin e Misurit, si pasojë e të cilit humbën jetën më shumë se njëqind qytetarë të vendit tuaj dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Më lejoni që në këtë moment dhimbjeje për familjet e viktimave, për ju, qeverinë dhe kombin mik amerikan t’ju shpreh, edhe në emër të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve njerëzore, si dhe ndjenjat më të thella të solidaritetit njerëzor të të gjithë qytetarëve të vendit tim. Dëshiroj t’ju siguroj se shqiptarët ndajnë sot me ju, me familjet e viktimave dhe me kombin e madh e mik amerikan hidhërimin për këtë humbje të madhe dhe i bashkohen lutjeve tuaja që shpirtrat e viktimave të gjejnë paqen e amshuar.
Me sigurimet e konsideratës dhe respektit më të lartë,
Juaji,
Sali BERISHA”
24/05/2011