Kryeministri Berisha inauguroi rikonstruksionin e Godinës së Universitetit “Fan Noli”, në Korçë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rikonstruksionit të Godinës së Universitetit “Fan Noli”, në qytetin e Korçës, investim me vlerë 122 milion lekë. Kjo godinë e shndërruar tashmë në një institucion modern universitar, ka auditore të pajisura me mjete audiovizuale e të teknologjisë së informacionit, duke rritur në këtë mënyrë cilësinë e mësimdhënies për 7000 studentët e saj.
Universiteti ka sot 4 Fakultete si dhe filialin e Pogradecit i çelur në vitin 2009. Në të bëjnë pjesë 13 departamente, si dhe një Qendër Ekselence në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë. Ky universitet ofron 24 programe studimi Bachelor; 13 programe studimi: Master Professional; 5 programe studimi: Master i Shkencave; 1 program studimi: Doktoraturë. Në mjediset e tij funksionojnë 3 salla videokonference dhe 28 laboratorë.
Pas inaugurimit të godinës Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e brendshme, klasat dhe kabinetet e tij. Ai shprehu gëzimin dhe kënaqësinë e veçantë për rindërtimin e këtij universiteti të pajisur me teknologjitë më moderne.
Kryeministri Berisha përcolli një falënderim të veçantë për burrin e shquar të Korçës Thoma Turtulli, për dhuratën fisnike të tij ndaj qytetit të Korçës, duke ndarë me bujari një pjesë të pasurisë së tij për të ndërtuar një shkollë. Kryeministri theksoi më tej se, se kjo shkoll,ë e cila do të bëhej liceu më i njohur i atyre viteve dhe që nxori me qindra e mijëra intelektual, pati fatin e korçarëve dhe shqiptarëve në diktaturë, duke humbur funksionin e saj për tu shndërruar në një korpus ushtarak.
Duke u ndalur tek puna dhe përpjekjet që ka bërë qeveria për sistemin arsimor, Kryeministri Berisha u shpreh se , “përpjekjet tona për zhvillimin e Korçës bazohen që të gjitha në potencialet më të mëdha të saj”.
Kryeministri Berisha i cilësoi fyese deklaratat se universitetet janë piramida. “Kjo, - tha Kryeministri Berisha, - është ide që fyen dijen shqiptare nga rilindasit deri më sot”. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se, në universitete tona ka dobësi, ka të meta, por - tha ai -, ne do të punojmë për të korrigjuar secilën prej tyre, ne do të bëjmë gjithçka ta shndërrojmë arsimin në çështjen më serioze të integrimit të familjes të shoqërisë, por ne nuk mund të damkosim në këtë mënyrë, një sistem i cili po ecën në mënyrën më të vendosur drejt niveleve të reja. “Është e primitive, është e pafalshme të përpiqesh të sulmosh arsimin”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Nga Korça Kryeministri Berisha iu ka bërë një kërkesë miqësore të gjithë studentëve. “Refuzoni me përçmim çdo ide se po bëheni shumë të shkolluar në numër. Refuzoni me përçmim çdo ide se universitetet tuaja po bëhen piramida, ajo është fyerja më e rëndë që ju bëhet juve dhe përpjekjeve tuaja dhe të prindërve tuaj. Ne kemi nevojë të jemi shumë, sepse ne me ato politika të vjetra selektive, mbetëm në fund të botës përsa i përket përqindjes së të diplomuarve në universitet krahasuar me popullatë tonë. Vetëm katër vjet më parë ajo përqindje ishte aq e ulët saqë ti nuk mund ta thoje, sepse turpëroheshe, ishte 3.4 përqind, sepse rrënoheshin masivisht ëndrrat universitare të të rinjve shqiptarë. Duhet të ecim, duhet të vazhdojmë garën e dijes në të gjitha rrafshet, në rrafshin cilësor dhe në rrafsh sasior”, tha Kryeministri Berisha.
Duke dalë jashtë çdo lloj politike, Kryeministri Berisha, i ka kërkuar rektorit të universitetit dhe pedagogëve, të ftojnë këtu deputetët e opozitës që ta vizitojnë këtë korpus. “Të ftoni këtu të njihen me punën serioze të madhe që ju bëni, me mjetet e shkëlqyera që ju dispononi për ti demonstruar çdo eksperiment studentëve. Të ftohni këtu se këto nuk janë pasuri e qeverisë, kjo është një pasuri e shqiptarëve, është një pasuri kombëtare. Ndaj dhe ne të dashur student dhe studente, jemi përqendruar tek dija për Korçën, për Shqipërinë në tërësi”, u shpreh Kryeministri.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur studentë dhe studente, të Fakultetit të Shkencave të Natyrës , të Universitetit Fan Noli.
I nderuar zoti Rektor.
Të nderuar pedagogë dhe pedagoge të këtij universiteti.
Është një gëzim i veçantë për mua që inaugurojmë sot këtë korpus të rindërtuar për fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit Fan Noli, por gjithashtu kam shumë gëzim dhe kënaqësi t’ju rrëfej se në korpuset universitare që kam vizituar dhe nuk janë të paktë, brenda dhe jashtë vendit, nuk mbaj mend të kem vizituar ndonjë korpus kaq të bukur, kaq të mirë pajisur me teknologjitë më moderne. Ndërtesa ishte një dhuratë bujare, e fisnikut, burrit të shquar të Korçës Thoma Turtulli, për dijet e Korçës, për dijen e shqiptarëve , për shkollimin e korçarëve, për shkollimin e shqiptarëve. Thoma Turtulli, në vitet 30 kishte bindjen më të thellë se Korça, se Shqipëria do të mund të lulëzojë vetëm e vetëm bazuar mbi dijen e vajzave dhe djemve të saj, shkollimin e tyre. Ndaj dhe ai ndau me bujarinë më të madhe një pjesë të pasurisë së tij, ndërtoi këtë ndërtesë si dhuratë për Korçën dhe Shqipërinë. Le ti shprehim atij mirënjohjen më të thellë.
Më vonë ndërtesa pati fatin e korçarëve dhe të shqiptarëve në diktaturë, duhej të shuhej çdo kujtim i atij liceu, që përgatiti me qindra e mijëra njerëz të dijes për gjithë Shqipërinë, u shndërrua në korpus ushtarak, me qëllimin më diabolik dhe më djallëzor. Ndërtesa mund të shndërrohej në spital ishte gjë e mrekullueshme, mund të shndërrohej në çdo gjë tjetër, e fundit që mund të shndërrohej një ndërtesë lice, themeluese e arsimit të mesëm në Shqipëri do të ishte Korpusi, apo komandë ushtarake. Këtë e bënin pushtuesit. E bënin, sepse pushtuesit kërkonin tu merrnin vendeve ku shkonin ndërtesat më të mira dhe të tregonin sundimin e tyre. E vërteta është se një pushtim tjetër erdhi pas pushtuesve. Ai që shndërroi në ndërtesë korpusi ushtarak, ndërtesën e liceut të Korçës, gjendet tani në vendin që historia ju rezervon diktatorëve. Është gjë e madhe zoti rektor që ne e kthyem ndërtesën në identitet. Unë mund të them me bindje se nuk ka pasur ndonjëherë veprim më të drejtë se ky dhe për këtë keni përshëndetjen time. Unë jam dëshmitar i përpjekjeve tuaja personale, dhe përpjekjet e stafit pedagogjik për realizmin e këtij transformimi që nderon Korçën nderon Shqipërinë.
Të dashur studentë edhe studente
Sot në qoftë se ju vështroni dhe analizoni se cilat janë përpjekjet tona për zhvillimin e Korçës? Do të shihni se përpjekjet tona për zhvillimin e Korçës bazohen që të gjitha në potencialet më të mëdha të saj. Për Shqipërinë, për shqiptarët e kombit, potenciali më i madh i Korçës ka qenë mëndja e korçarëve, ka qenë tradita e tyre e shkëlqyer intelektuale, ka qenë mësimi i gjuhës dhe shkencave për shqiptarët, ndaj dhe ne kemi mbështetur dhe mbështesim këtë traditë.
Të dashur studentë dhe studente
Në vitin 2005 ky universitet kishte gjithsej 2800 student, sot ka mbi 7 mijë studente dhe student, që shkollohen dhe diplomohen në këtë universitet. Nuk mund ta them unë më bukur sesa e tha bashkë studentja juaj. Mendoni për një moment, cili ishte fati i këtyre 4200 vajzave dhe djemve po të mos kishim ndjekur politikën që duhej për të hapur dyert e universiteteve për ta. Ëndrra më e bukur e të riut, e atij që mbaron gjimnazin është ëndrra universitare. Ai atë ëndërr e ndërton prej vitesh në veten e tij, ai në çdo libër që lexon, në çdo faqe libri, në çdo bisedë që bën, ai e mendon veten nesër universitar, i diplomuar. Në atë ëndërr ai vendos energjitë e tij më të mëdha, në rast se ne siç deklarojnë sot kritikët që i konsiderojnë universitete piramida, do të merrnim përsipër të shkelmonim këto ëndrra! Sa të drejtë do të ishim ne me këto vajza dhe djem? Më ç’të drejtë ne shoqëria e lirë do tua ndrydhnim ëndrrën, do tua rrënonim atyre?! Ndaj dhe politika jonë është, çdo e re dhe i ri që do të bëjë të vërtetë ëndrrën universitare, qeveria , shoqëria do ta mbështesë plotësisht.
Do të ndalem tek fjalët e mençura të shoqes suaj. Ajo tha se këtu familja ime shpenzon më pak dhe i përballon më lehtë studimin tim dhe ky është qëllimi ynë. Imagjinoni ju që këto 7 mijë student të ishin në universitet në Tiranë sot, sa do të ishin shpenzimet e familjeve korçare për i mbajtur ata. Cila duhet të ishte politika jonë? Të krijonim këtu kushte njëlloj si në Tiranë, apo të deklaronim se vetëm Tirana do të jetë kryeqyteti i studentëve. Jo. Urdhëroni vizitojeni korpusin, fakultetin e Shkencave të Natyrës ka laboratorë fizike ndër më modernët, laboratorë informatike ndër më modernët. Universiteti në tërësi ka 28 laboratorë, që të gjitha ndër më modernët. Universiteti në sajë të këtyre burrave dhe grave, profesorëve të nderuar që japin mësim, ka sot një staf prej 320 pedagogësh, ka sot një staf, i cili bën një punë të madhe për konsolidimin e këtij universiteti. Nesër këtu është një simpozium kushtuar njërit prej filozofëve më të mëdhenj të kohërave dhe u gëzova shumë kur pashë në muret e korridoreve portretin e tij.
Sigurisht të dashur miq, nuk mund të ketë tani synim tjetër përveç rritjes së cilësisë, është përgjegjësi e jona, por edhe synimi juaj të dashur student dhe studente të kapini nivelet e tjera cilësore. Ne kemi besim të plotë në intelektin tuaj, në kapacitetet tuaja mendore, por na përket neve që sëbashku me ju, me një ambicie pozitive të ecim drejt një cilësie të re.
Zoti Rektor
Gjatë këtyre viteve kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë me universitetin tuaj, por ju garantoj edhe me çdo lloj universiteti tjetër . Ne kemi investuar shumë, ju e thatë vetë 8 deri në 10 herë më shumë se në vitet e mëparshme, por nuk kemi investuar vetëm në Korçë, kemi investuar në Durrës, kemi investuar në Vlore, në Elbasan, në Shkodër kemi investuar në Tiranë, kemi investuar dhe investojmë dhe do të bëjmë gjithçka, që Shqipërinë ta vendosim mbi shinat e dijes.
Të dashur studentë dhe studente
Një kërkesë miqësore e kam ndaj jush. Refuzoni me përçmim çdo ide se po bëheni shumë të shkolluar. Refuzoni me përçmim çdo ide se universitetet tuaja po bëhen piramida, ajo është fyerja më e rëndë që ju bëhet juve dhe përpjekjeve tuaja dhe të prindërve tuaj.
Ne kemi nevojë të jemi shumë, sepse ne me ato politika të vjetra selektive mbetëm në fund të botës përsa i përket përqindjes së të diplomuarve në universitet krahasuar me popullatë tonë. Vetëm katër vjet më parë ajo përqindje ishte aq e ulët saqë ti nuk mund ta thoje, se turpëroheshe, ishte 3.4 përqind, sepse rrënoheshin masivisht ëndrrat universitare të të rinjve shqiptarë. Duhet të ecim, duhet të vazhdojmë garën e dijes në të gjitha rrafshet, në rrafshin cilësor dhe në rrafsh sasior. E lumtur do të jetë Shqipëria dhe e lumtur do të bëhet kur ajo të ketë përqindjen më të lartë të qytetarëve të saj në universitet, kur 80-90 përqind e shqiptarëve të jenë me shkollë të mesme. Kjo është rruga që ndjekim ne. Askush nuk duhet të trembet nga diplomat tuaja, nga studimet tuaja, përkundrazi me përulje duhet të përpiqemi të bëjmë gjithçka, që ju të bëheni sa më të dijshëm të kapni nivele sa më të larta studimi.
Sot ideja se universitetet janë piramida, është ide që fyen dijen shqiptare nga rilindasit deri më sot. Në universitetet tona ka dobësi, në universitetet tona ka të meta, dhe ne do të punojmë për të korrigjuar secilën prej tyre. Ne do të bëjmë gjithçka ta shndërrojmë arsimin në çështjen më serioze të integrimit të familjes, të shoqërisë, por ne nuk mund të damkosim në këtë mënyrë një sistem, i cili po ecën në mënyrën më të vendosur drejt niveleve të reja. Është primitive, është e pafalshme të përpiqesh të sulmosh arsimin. Po ju them se tre vjet më parë në një artikujt shtypi i disa prej vendeve më të zhvilluara shkruante se na e kaluan shqiptarët në leximin jashtëshkollor, se nxënësit shqiptarë renditet më lart se nxënësit tanë në leximin e librave. Si ka mundësi që kjo shpirtligësi të ketë dëshirë të përmbysë arritjet tuaja, arritjet të çdo shqiptari, të familjeve shqiptare, të cilët kanë etje, dashuri për librin, kanë etje dashuri për arsimin. Ne nuk themi se jemi aty ku duhet, jo. Ne themi se duhet të bëjmë gjithçka për të kapur nivelet më të larta.
Zoti Rektor
Jashtë çdo lloj politike, unë do tu ftoj juve dhe pedagogët tuaj të ftoni këtu deputetët e opozitës ta vizitojnë këtë korpus. Të ftoni këtu të njihen me punën serioze të madhe që ju bëni, me mjetet e shkëlqyera që ju dispononi për ti demonstruar çdo eksperiment studentëve. Të ftohni këtu se këto nuk janë pasuri e qeverisë, kjo është një pasuri e shqiptarëve, është një pasuri kombëtare. Ndaj dhe ne të dashur student dhe studente, jemi përqendruar tek dija për Korçën, për Shqipërinë në tërësi. Ne po synojmë dhe në fusha të tjera. Unë po vij nga Prespa, sapo inauguruam një nga rrugët më panoramike të vendit, më të bukurat e cila distancën Korçë-Prespë e shkurton tre herë, e bën gjithsej 15-20 minuta. Prespa është një nga bukuritë më të rralla natyrore që ekziston nën Ballkan dhe më gjërë. Prespa në njërën anë, Dardha në anën tjetër, Voskopoja e Vithkuqi në anën tjetër. Çfarë po bëjmë ne? Ne po përpiqemi të bëjmë çdo gjë për të bërë disponibel potencialin e jashtëzakonshëm turistik të Korçës dhe të rrethinave të saj. Liqenet e këtij qarku, të cilët kanë një famë absolutisht botërore dhe europiane për bukuritë e veta.
Politika jonë është e thjeshtë, ne po bëjmë gjithçka për të shpalosur ato potenciale të mëdha që kemi. Ne ndërtuam rrugën Korçë- Qaf-Plloçkë. Kam kënaqësinë e madhe të informoj qytetarët e Korçës, se parlamenti votoi një javë më parë kontratën për kredinë për ndërtimin e plotë të rrugës Qaf-Plloçkë-Qukës dhe kjo rrugë, ju garantoj se brenda muajit qershor do të fillojë ndërtimin në të gjithë trajektoren e saj, në të gjitha lotet e saj. Kjo rrugë sëbashku me tunelin e kërrabës e shndërron Korçën në një nga qytetet e afërta të Tiranës, prodhimet e saj i nxjerr shumë shpejt në tregun më të madh të vendit, në Tiranë. Kjo rrugë dyfishon potencialin turistik të Korçës. Kjo është politika jonë e zhvillimit. Por ndaj kësaj rruge u votua kundër në parlament dhe ndaj kësaj kredie u votua kundër, u mbyll zinxhiri i votime kundër bllokimeve njëri pas tjetrit të përpjekjeve për zhvillim. Mos harroni se nuk kam qëndruar kurrë ndonjëherë në jetën time deri në 5 të mëngjesit në parlament, përveç natës në të cilën do të votohej buxheti për autostradën Tiranë-Elbasan . A është kjo politika që duhet ndjekur, politika e bllokimit dhe bojkotit, jo edhe jo. Por njëlloj si për rrugën u morën peng ligjet, u mor peng statusi i vendit kandidat. Ëndrra juaj Europiane është ëndrra më e bukur, ajo ëndërr është e shkruar e himnizuar e të gjithë krijimeve gjeniale të rilindasve tanë, ata i kanë treguar rrugën kombit, ata i rikthyen kombit vokacionin e tij të përjetshëm perëndimor. Megjithatë edhe kjo ëndërr mbahet peng për tre ligje. Sidoqoftë, ju ftoj që me datën 23 qershor të votojmë për ëndrrën tonë Europiane, të votojmë për Korçën e zhvilluar, të votojmë për Shqipërinë e zhvilluar.
Duke ju përgëzuar edhe njëherë për angazhimin e madh, për modernizimin e Universitetit të Korçës ju dhe stafit tuaj, ju garantoj se qeveria do të mbështesë çdo projekt tuajin në mënyrë që ky universitet të arrijë standardet dhe cilësitë më të larta të mësimdhënies.
Faleminderit !”
01/05/2013