E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon në Elbasan, me gra të suksesshme në fusha të ndryshme

Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një bashkëbisedim me gra të suksesshme në fusha të ndryshme si politikë, në arsim, në ekonomi, në shëndetësi, në art e sport të Elbasanit. Në takim ishte e pranishme edhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli.

"Së pari dëshiroj të përulem me mirënjohjen më të thellë para jush, me nderimin më të madh për rolin e kontributin tuaj të jashtëzakonshëm, për mbështetjen tuaj të madhe ndaj Partisë Demokratike, ndaj atij programi, mbi të cilin u bazuan shndërrimet e mëdha dhe epokale në këtë vend; ndaj atij programi që bëri në një kohë të shkurtër që shqiptarët të dilnin nga mjerimi më ekstrem që kishin njohur në tërë ekzistencën e tyre; ndaj atij programi, i cili e nxori Shqipërinë dhe shqiptarët nga izolimi më i thellë dhe i vendosi ata në rrugën e Europës; ndaj atij programi që bëri të mundur që Shqipëria si asnjë vend tjetër në Europë dhe më gjerë, në 21 vite të rrisë prodhimin e saj të brendshëm 11 herë; programit që bëri të mundur që Shqipëria, e cila vetëm pak vite më parë kishte vdekshmërinë amtare në lindje ndër më të lartat që ekzistonte kund në botë, ta ketë sot ndër më të ulëtat që ekziston ndokund në botë, ta kenë në nivele më të ulëta edhe se shumë e shumë vende ndër më të zhvilluarat e planetit; ndaj atij programi që bëri të mundur që Shqipëria, e cila kishte një vdekshmëri foshnjore dy dhe tre shifrore, sot ta atë një shifrore; ndaj atij programi, i cili në mënyrën më të drejtë dhe më të ndershme po i jep gjithnjë e më shumë hapësirë, rolit jetik dhe vendimtar të vajzave dhe grave shqiptare, në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes më të mirë të këtij vendi.

Të dashura zonja, zonjusha, vajza, nëna dhe motra, të pranishme në këtë takim,

në Shqipëri, por, fatkeqësisht, në çdo vend tjetër të lirë dhe natyrisht, edhe jo të lirë, vepron dhe ekziston ajo që quhet muri i patriarkisë, i sundimit të burrit. Dua të rikujtoj një moment, kur ish Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton po garonte për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një kongresmene që i përkiste racës negro, e cila kishte fituar garën dhe ishte e para kongresmene përfaqësuese e kësaj race në Kongresin Amerikan, tha: Hilari do ta ketë më të vështirë, më të pakapërcyeshëm seksizmin, sesa racizmin që pata unë. Ajo tha një të vërtetë të madhe, sepse ky faktor është operativ kudo dhe ky faktor merr aspekte deri në urrejtje patologjike, në mizogeni  dhe në qëndrime të tjera. Por për një gjë dua t’ju zotohem këtu: e kemi pasur, e kemi dhe do të kemi vendosmërinë më të madhe, për të luftuar këtë mur. Ky mur është shumë i hershëm. Ky mur është pesëmijë vjeçar. Për fat të keq, ky mur është ndërtuar nga të gjitha doktrinat. Duhet të jemi realistë, edhe mëkatin ia lanë Evës, paçka se edhe Adami ishte po aq mëkatar dhe më radhë. Ky mur ka aspekte nga më të ndryshmet, por aspekt themelor, në pabarazinë që krijon ky mur, është aspekti financiar. Ky aspekt shprehet me marrjen e përgjegjësisë dhe të të gjithë pushtetit ekonomik, nga burri dhe lënien e problematikës shtëpiake, gruas. Simon De Buvuar e ka thënë bukur tek “Seksi i dytë”. Ai thotë se burri e destinon bashkëshorten të bëjë punët e shtëpisë dhe e parandalon atë të ndërtojë botën, me punët jashtë shtëpisë. Po marrim Shqipërinë.

Në vitin 2005, një nga treguesit që më bëri përshtypjen më negative, më të keqe, ishte kur pashë një studim të Bankës Botërore, i cili tregonte se rroga mesatare e grave në këtë vend ishte 36 përqind më e ulët se e burrave. Ndërkohë që në ligj ajo nuk ekzistonte, por nuk kanë rëndësi ligjet, rëndësi kanë pozicionet që ato  vendosen. Natyrisht, roli i qeverisë është i pamohueshëm dhe ne me durim nisëm të luftojmë këtë hendek të madh në pagat midis grave dhe burrave. Ne ndikuam fuqishëm me rritjen që i bëmë rrogave në administratë, duke përparësuar të gjithë grupet e mëdha ku dominonin gratë dhe vajzat. Ne bëmë gjithçka për të orientuar grantet dhe mikrokreditë drejt grave. Situata ndryshoi, ndonëse nuk është ende aty ku duam. Por kjo diferencë që ishte mbi 30 përqind ka zbritur në 17.7 përqind, ka zbritur në mesataren e Bashkimit Europian, e cila është 17.6 përqind. Në këtë diferencë, ne lëmë sot mbrapa 11 vende anëtare të Bashkimit Europian, por prapë nuk duhet të ndalemi këtu. Ne duhet të bëjmë gjithçka, për ta ngushtuar në mënyrën më të madhe këtë diferencë, që në fund të fundit është diferencë në pushtetin ekonomik. A ka mundësi për këtë? Plotësisht. Së pari, angazhim gjithnjë e më i madh i vajzave dhe grave në politikë dhe poste kyçe. Ju mund të më thoni se keni vetëm një ministre në kabinet. Kjo është kritikë e drejtë, por, nëse ka një ministre, janë disa poste të tjera po kaq të rëndësishme dhe më të rëndësishme se ajo e ministres,  në të cilat ne kemi  promovuar  vajza dhe gra, nga Autoriteti i Konkurrencës  tek Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, nga Agjencia e Investimeve  tek komisioneri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, janë një numër i konsiderueshëm bordesh, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare Jo Bankare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioni i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Duke theksuar gjithashtu se kjo parti, në të gjithë ekzistencën e saj, postin më të lartë shtetëror, kur ishte në opozitë, ia besoi një gruaje dhe në pushtet, postin e dytë më të lartë në vend e ka Jozefina Topallin. Le të vazhdojmë më tutje. Në hapjen që iu bë universiteteve tona, vajzat ishin më të parat që përfituan. Sot, ato dominojnë nga 60 në 70 përqind në një seri degësh si mjekësia, ekonomia dhe degë të tjera. Sot, ato janë shumicë dërrmuese në administratë.

Ne kemi ndërmarrë hapa seriozë, por, natyrisht, nuk mund të them se kemi arritur qëllimin që duam. Ajo që mund të them është se sëbashku në katër vitet që vijnë, ne mund të ndërtojmë platformën më të shkëlqyer, për një beteje më efiçente ndaj murit të patriarkisë. Në këtë beteje duhet të jemi të vendosur, duhet të jemi seriozë. Historia dhe studimet kanë faktuar se për gruan, për vajzën, për jetën e të ardhmen e saj, por edhe të familjes së saj, asgjë nuk ka më të rëndësishme, sesa vendosmëria dhe mundësia për të ndjekur karrierën, për të ndjekur profesionin, për të ndjekur pasionin për degën ku ajo ka studiuar dhe punon. Vetëm një vajzë, një grua, që i përkushtohet karrierës për të cilën ajo sakrifikoi, shpalos të gjithë vlerat e saj në shoqëri, në familje dhe në çdo gjë. Është faktuar në mënyrë të përsëritur se karriera është përcaktuese për të shpalosur potencialin e saj. Ka pasur periudha në vendet më të zhvilluara, që ato kanë ndjekur të kundërtën, janë diplomuar, kanë marrë doktorata, janë graduar dhe pastaj kanë preferuar të mos ndjekin më atë rrugë. Studimet dhe të dhënat kanë faktuar se ajo ishte orbita e topitjes së tyre, ishte orbita e dërrmimit të talenteve, të aftësive, por edhe shpirtërisht, të vajzave dhe grave. Sa herë shoh përqindje të larta të dominimit të grave dhe vajzave në këtë apo atë sektor, e konsideroj atë një nga treguesit më premtues për to dhe për vendin në tërësi.

Sëbashku do të bëjmë një betejë tjetër të madhe, betejën kundër dhunës ndaj jush. Kjo është një betejë, të cilën ne do ta fitojmë. Sot nuk ka asgjë më të pamerituar në këtë shoqëri, asgjë më të dënueshme, më të pa pranueshme, sesa kjo dhunë. Janë bërë përpjekje të mëdha për të rritur edhe më shumë, vetëdijen tonë, vetëdijen shoqërore kundër saj, kundër saj. Asnjë familje nuk mund të ndërtohet mbi dhunën, asgjë nuk mund të ndërtohet mbi dhunën, ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka për të qëndruar fuqishëm kundër saj. Ne kemi përgatitur një paketë ligjore, të cilën opozita sot mund të mos e votojë, por ju garantoj se opozita nesër do të jetë pa këtë bllokatorin që nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse të bllokojë nga mëngjesi deri në darkë. Opozita nesër do të votojë propozimin që ne kemi çuar në parlament. Duhet të rreptësohen në shkallën më të madhe të mundshme, qëndrimet kundër dhunës ndaj gruas, në mënyrë që ai, i cili vë dorë mbi gruan, duhet ta dijë se ligji do i përgjigjet në mënyrën më të rreptë. Duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur vajzat dhe gratë, të cilat janë objekt agresioni të përditshëm në familjet e tyre. Nuk janë këto vlerat e qytetërimit tonë, nuk janë këto vlerat e familjes sonë, nuk janë këto vlerat njerëzore, mbi të cilat ne duhet të ndërtojmë të sotme dhe të ardhmen. Ndaj së pari kemi arritur ta denoncojmë, ta nxjerrim nga një çështje e brendshme e dhomës apo e kuzhinës, në një çështje të shoqërisë dhe e tillë do të mbetet, derisa ajo të shkojë drejt minimizimit maksimal.

Muri i patriarkisë është një mur i trashë, por pasioni ynë për ta luftuar atë është më i madh. Ai është mur që dhunon çdo ditë liri dhe të drejta njerëzore. Ne duhet të qëndrojmë si vajza dhe gra, si djem dhe burra në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore aty ku ato shkelen. Kjo është rruga që ne kemi zgjedhur, kjo është rruga që ne kemi ndjekur këto 20 vite dhe kjo është rruga që ne do të ndjekim gjatë gjithë jetës sonë.

Edhe njëherë ju falenderoj për këtë takim të mrekullueshëm, shpreh mirënjohjen më të thellë për kontributin tuaj të madh dhe besimin se ju do të jeni arkitektet e fitores së 23 qershorit, datë, në të cilën përballet alternativa e vlerave, alternativa që i beson familjes e vlerave të saj, i beson lirisë së individit e vlerave të tij, i beson vendit e vlerave të tij, me aleancën tjetër që është kryekëput në pazare, të privuara nga çdo vlerë dhe moral njerëzor e shoqëror, që bazohet e tëra në lidhje të tmerrshme me botën e krimit, botë që ka dhe do të ketë vetëm një fund: ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Ndaj ju ftoj më 23 qershor të bëjmë gjithçka, të votojmë për të ardhmen tonë, të votojmë për një transformim të mëtejshëm të Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë jetike të renditet midis vendeve të zhvilluara. Shqipëria ka shanse të mëdha dhe potenciale të jashtëzakonshme. Qytetarët e saj duhet të bëhen qytetarë të një vendi të zhvilluar. Ne po bëjmë gjithçka, për t’i dhënë Shqipërisë një infrastrukturë moderne. Brenda këtij mandati, ne inaugurojmë kurorën e dytë të bukur të infrastrukturës shqiptare, autostradën Tiranë-Elbasan  dhe gjatë viteve që vijnë, ne do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne, në çdo skaj të këtij vendi. Gjatë viteve që vijnë, ne do të vazhdojmë rritjen e madhe, progresive, të rrogave dhe pensioneve. Rritja e rrogave është një kusht vendimtar, për të investuar në burimet njerëzore në këtë vend. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka, për të nxituar sipërmarrjen e lirë në tërësi dhe në radhë të parë, sipërmarrjen e të rinjve dhe grave në veçanti. Do të bëjmë gjithçka, për të shpalosur më tej të gjithë potencialin e jashtëzakonshëm turistik që ka ky vend. Ne kemi arritur në 4.7 milionë turistë dhe vizitorë dhe duhet të arrijmë në 7 milionë gjatë viteve që vijnë. Ne do të bëjmë gjithçka, për të shumëfishuar prodhimin në të gjithë sektorët e bujqësisë.

Ne do të bëjmë gjithçka, për të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat. Ne hoqëm vizat, ndërkohë që kreu i opozitës bëri gjithçka kundër tyre. Ne, me suksesin e reformave të thella e serioze bënë të mundur që Komisioni Europian të rekomandojë për Shqipërinë, statusin e vendit kandidat, por opozita e pengoi. Sot, 200 ditë më parë, në raportin e tij për Shqipërinë, Komisioni Europian deklaroi se Shqipëria ka bërë progres të madh dhe se ai ju rekomandon ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, statusin e vendit kandidat, me kusht që Shqipëria të votonte tre ligje, të cilat kishin 5 muaj në axhendën e parlamentit. 200 ditë me radhe, zoti Rama i bllokoi ato

Të dashura zonja dhe zonjusha, nëna, motra e vajza të pranishme këtu, një akt të tillë nuk e ka kryer kush, në asnjë rast, në Europë. Çdo ditë ju ndiqni lajmet dhe dëgjoni udhëheqësit e kombit serb t’u thonë qytetarëve të tyre se marrëveshjen me Kosovën e firmosëm, sepse duam Europën, t’u thonë se marrëveshjen e firmosëm, sepse duam të ecim drejt Europës, sepse Serbia duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Dhe ata firmosën një marrëveshje të ndërmjetësuar nga lady Ashton, ndërsa këta zotërinj firmosin një marrëveshje, në Shkodër, të ndërmjetësuar nga serbë. A mund të ndodhë kjo?! Ju e patë vetë. Po të ishte marrëveshje për të votuar ato ligje, të ishte marrëveshje për të mbështetur integrimin, për mua nuk do të kishte asnjë rëndësi, por të firmosësh një marrëveshje për të rikthyer vitet ‘40-të, kjo është anakronizëm i pafalshëm. U ndala në këtë moment, sepse nuk mund të mos të të shkojë ndërmend se marrëveshja me Kosovën  u ndërmjetësua nga  BE-ja dhe ishte fitore e madhe e shqiptarëve, ishte fitore e madhe për rajonin, ishte fitore e madhe për integrimin, kurse këta zotërinj firmosën në Shkodër marrëveshjen e bllokimit të integrimit. Por 23 qershori është para. Më 23 qershor jam i bindur se çdo shqiptar do të thotë fjalën e vet për integrimin e tij, të fëmijëve të tij, të qytetit e vendit të tij në Bashkimin Europian. Ju faleminderit.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Unë erdha t’ju them dy lajme të mira, por tashmë kuptova që ju i dini ato. Në Elbasan, ne kemi ciklin e plotë të studimeve universitare. Desha t’ju them se gratë kanë përparuar edhe në kualifikimin shkencor dhe për këtë, një meritë është edhe e qeverisë, pasi tani kemi edhe doktoratën në Elbasan. Unë dua t’ju përcjell një kërkesë përsa i përket kërkimit shkencor dhe doktoratës. Ne jemi duke u përballur me aspektin financiar, pasi rrogat tona nuk na japin mundësi për kërkime të mëtejshme. E keni parashikuar në programin tuaj një rritje për kërkuesit e rinj dhe çfarë shprese kemi ne, në këtë qeverisje të re?

Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Unë dua të shpreh nderimin tim më të madh, për të gjitha stafet akademike të vendit. Politika jonë e hapjes së dyerve të universiteteve, ju vuri para një prove shumë të vështirë. Në qoftë se në gjashtë vite, numri i studentëve u trefishua dhe mbitrefishua, kjo nuk ndodhi me numrin e pedagogëve dhe asistentëve që në fakt duhet të ndodhe dhe do të ndodhë. Unë ju garantoj, së pari, se ne do të rrisim ndjeshëm numrin e pedagogëve, duke rregulluar raportin student-pedagog, duke e sjellë atë në nivelin e vendeve të zhvilluara të OECD-së, një pedagog për 15 studentë, në mesatare. Së dyti, pa diskutim, ne do të rrisim rrogat tuaja. Është e vërtetë që ne kemi ndikuar në rritje, por jo në atë rritje që kemi bërë për mësuesit. Kjo nuk është aplikuar për pedagogët e universiteteve dhe jo se ne nuk kemi pasur mundësi, por sepse mekanizmi i universiteteve dhe autonomisë nuk ka pasur përputhjen e plotë me mekanizmin e rritjes së rrogave të administratës që ka bërë qeveria. Universitetet kanë një autonomi, që nuk mund të them se e kanë edhe shkollat e mesme dhe shkollat e tjera, pasi ato kanë një linjë varësie tjetër. Ndaj këto kanë përfituar, ndërsa për pedagogët është ndikuar në rritje, por jo në atë shkallë dhe ne do të bëjmë gjithçka, për t’i rritur ato. Së treti, ju theksuat shumë drejt se janë bërë  përmirësime në kërkimin shkencor, por nuk është në nivelin ku duhet. Më parë, të drejtën të aprovonte kërkimin e kishte Ministria e Arsimit, sot, kjo nuk ekziston më. Sot, kjo është e drejtë e dekanatit. Ne duhet të plotësojmë fondet e kërkimit shkencor dhe ky fond ju jep juve të drejtë të bëni vetë kërkime, të drejtoni vetë kërkime me studentët dhe asistentët tuaj. Pra, gjatë katër viteve, ne do të bëjmë gjithçka, për një rritje të madhe të cilësisë së universiteteve tona, detyrimisht edhe për një shpërblim më të mirë për profesorët tanë dhe për një rritje më të madhe të numrit të tyre, në përmirësim të raportit student-pedagog. Ky është premtimi ynë.

Efektet e taksës së sheshtë, ne  tashmë i kemi të qarta, që kanë ndikuar në zbutjen e krizës. Pse lideri i opozitës këmbëngul për taksën progresive?

Kryeministri Berisha: Pyetje shumë e drejtë. Taksa e lartë është mendësi e së majtës para theçeriste, sepse duhet të jemi realistë, ajo që transformoi më shumë mendimin e kësaj bote, pas Luftës së Dytë Botërore, është Margaret Theçer. Kur Britania që po rrokullisej ekonomikisht dhe po dilte nga rëndësia e një fuqie të madhe që kishte qenë, ajo konstatoi se korporatat shtetërore po shkonin në një rrokullisje të pandërprerë. Ajo tha se unë do t’i besoj qytetarit, lirisë së tij dhe ndërmori në tërësi procesin, i cili bazohej  më shumë se çdo gjë  tjetër, tek iniciativa e lirë e qytetarit. Në këtë akt, Theçer përgjysmoi taksat , i ndau në mes, natyrisht nuk zbriti në 10 përqind si ne, por i përgjysmoi ato. Taksat ishin të tmerrshme, ishin 80 përqind dhe ajo i zbriti në 40 përqind. Përse thashë e majta para Theçerit? Sepse pas Theçerit, theçeristi i dytë më i madh ishte Toni Bler. Socialdemokracia nuk shkoi më në taksat e larta, nuk shkoi më në kontratat e ngurta, por e vërteta është se Bler dhe jo vetëm ai, por në tërësi e majta realizoi se privatizimet, liberalizmi janë mekanizma të zhvillimit dhe mirëqenies ekonomike. Zotit Rama që tani gjen si zgjidhje taksën e lartë apo progresive, përgjigjen më të shkëlqyer ia dha këshilltari i tij bullgar. Por sesa kupton ai nga këto, unë nuk e di dhe nuk më takon mua. Një ditë, ai solli para të gjithëve, një profesor të shquar bullgar, i cili u tregua vërtet njëri i shquar. Zoti Rama tha se ky është njeriu që do t’ju shpjegojë shqiptarëve se çfarë fatkeqësie është taksa e sheshte dhe cilat janë avantazhet e taksës progresive. Profesori, i cili dukej një akademik me integritet, mbrojti publikisht taksën e sheshtë dhe kundërshtoi taksën e tij. Kjo ishte e vërteta. A e kuptoi zoti Rama dallimin, nuk di ta them, sepse e dëgjoj liderin e opozitës të thotë se kur të vijnë në pushtet, Banka e Shqipërisë do të autorizohet të llogarisë borxhin. Por në Shqipëri dhe në çdo vend të botës është banka qendrore, ajo që e llogarit borxhin. Të gjitha llogaritë e tjera janë hipoteza pune, por llogaria e vërtetë e borxhi është ajo që mban banka, ndaj edhe quhet Banka e Shtetit, Banka e Shqipërisë apo Banka Qendrore. Ai tha se borxhin do ta llogarisin si përqindje të prodhimit të brendshëm, por nuk ka borxh  mbi tokë që llogaritet ndryshme, veçse si përqindje e prodhimit të brendshëm. A i ka apo jo ky njeri,  konceptet elementare ekonomike, atë nuk mund ta di, por e shoh se ndonjëherë lexon në pëllëmbë të dorës, shkuan këtu e aty. Gjithsesi, ato janë punët e tij, nuk më interesojnë fare. Mua më intereson se çfarë do të thotë taksa progresive. Së pari, do të thotë se çdo biznesmen do të bëjë shkurtimin e vendeve të punës, sepse i marrin taksë. Së dyti, do të thotë që jo biznesmenë të huaj të mos vijnë në Shqipëri, por, siç po ndodh në disa vende, biznesmenë shqiptarë të shkojnë të investojnë në Maqedoni, Bullgari e vende ku do të gjejnë taksën e sheshtë. Së fundi, kushdo që lexon manifestin do ta gjejë atë në pikën e dytë: të taksojmë gjithnjë e më shumë të pasurit. Historia e zhvillimit fakton se kurrë nuk ndihmohen të varfrit, duke shkatërruar të pasurit, përkundrazi, e kundërta është e vërtetë. Nga gjithë platforma, atij i ka mbetur vetëm kjo dhe thotë këtë do ta mbaj. Le ta mbajë deri më 23 qershor dhe më 23 qershor, shqiptarët do ta rrëzojnë.

Ju falenderoj nga zemra që na dhatë mundësinë që të bashkëbisedojmë. Diktatura na mori pronat me një copë letër. Ish pronarët, një pjesë e mirë nuk janë ish pronarë, por pronarë, paçka se rruga ka qenë me probleme, sepse ka ndikuar koha e gjatë në diktaturë që transformuan edhe pronat. Qeveria juaj e ardhshme katërvjeçare, si do ta zgjidhë njëkohësisht legalizimin e ndërtimeve informale dhe procesin e kompensimit të pronarëve të ligjshëm?

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për vlerësimin objektiv që bëtë. Të kthehemi bashkë në vitin ’92. Në tërësinë tonë, ne ishim vend me dyqane bosh dhe të rinjtë tanë vërshonin drejt gjithë botës, për kafshatën e gojës. Në fakt është kjo forcë politike, forca e pronësimit të shqiptarëve si ndoshta në asnjë vend tjetër, me një shpejtësi të rrufeshme. Me ndihmën e një ekipi të shkëlqyer ekspertësh amerikanë, në 8 muaj, ne u dhamë shqiptarëve apartamentin ku ata banonin. Këtë nuk e ka bërë në këtë shkallë asnjë vend tjetër. Britania e Madhe që është vendi më privat ka një kontingjent të caktuara ndërtesash komunitare apo publike, ndërsa ne i pronësuam shqiptarët. Vetëm  në vitin ’95, ne kemi privatizuar duke aplikuar rregullin e parablerjes, 100 mijë objekte dhe sipërmarrje të vogla, në interes të qytetarëve. Ne ndamë tokën. Absolutisht, ligji 7501 shkeli të drejtën e pronës në një mënyrë, por, nëse kthehemi në Shqipërinë e asaj kohe, çdo ndarje tjetër do të ishte burim mjerimi ekstrem. Ata që kanë jetuar në fshat dhe e njohin fshatin e dinë se aty ku më parë kishin qenë 3 familje, pas 50 vitesh të ndalimit të lëvizjes, në ’92-in ishin të paktën 13 në mos 15 familje. Unë qarkulloja në atë kohë nëpër Shqipëri, takoja njerëz dhe ata me thoshin se, nëse na lë pa tokë, ti duhet të mendosh mirë se çfarë do të bëhet me fëmijët tanë. Kjo ishte e vërteta. Aty ku ishin 13 vetë, në vitin ’92 u bënë 130 dhe ata ishin njerëz për t’u ushqyer. Dhe nuk ishte pak, por ishte 70 përqind e popullatës së vendit. Duke pranuar parimin e Xhefersonit, toka atij që jeton aty dhe atij që e punon, ne bëmë pronarë mbi 460 mijë familje fermere shqiptare dhe ne e vazhdojmë këtë proces. Por a do të thotë kjo, që ne e kemi zgjidhur problemin? Jo, nuk do të thotë që ne e kemi zgjidhur problemin, nuk do të thotë që kemi bërë të drejtën sa duhet. Çfarë po bëjmë tani? Ne tani po bëjmë hartën dixhitale të tokës, e cila i jep fund çdo lloj spekulimi dhe superpozimi. Ne po fillojmë kompensimin fizik dhe ju garantoj se për të ka një potencial shumë të madh.

Unë sot isha në Dajç dhe pasi bëmë inaugurimet, shkova vizitova një plantacion shege. Ajo ishte një kodër djerrinë që nuk të shkonte në mend ndonjëherë se mund të bëhej plantacioni më i madh i shegëve në Shqipëri. 40 hektarë. Presidenti, një djalë i ri kishte punësuar  20 vetë. Dhe shegët i kishte mbjellë këtë vit. Dua të them se tregu sjell vlerën, tregu sjell mundësinë e kompensimit. Nëse deri dje, kur të thoshin merre këtë kodër, ta falim, përgjigjeshe nuk më duhet gjë, kur shkon pas dy vitesh, aty gjen një gjë të mrekullueshme. Me këtë dua të them se potenciali fizik është shumë i madh. Ne vazhdojmë me kompensimin monetar në mënyrë të pandërprerë. Një gjë kemi bërë dhe duhet të jemi krenarë për këtë. Ne nuk hymë në formula për të proporcionuar me simbole, si shumica e vendeve kanë bërë. Shumica e vendeve kompensimin e ka bërë simbolik, ka qenë prona jote dhe merre këtë si njohje. Ne thamë jo, se do të qëndrojmë me çmimin e tregut. Por kjo kërkon kohë. Asnjë shtet nuk ka mundësi ta përballojë çmimin e tregut në një kohë të shkurtër, por kjo është më e ndershme dhe nuk pendohem asnjëherë.

Këtë kemi bërë edhe me të përndjekurit politik. Kemi shpërblyer me maksimumin që parashikon ligji, ditën e burgut. Nuk kam asnjë keqardhje, pasi e meritojnë plotësisht. Çfarëdo që të bëjmë ne, nuk e bëjmë dot menjëherë, por duhet të gjykohet nëse po e bëjmë apo jo. E kanë shumë të lehtë të përhapin, të shpifin dhe të trillojnë, por dëgjoj tani, ata që ishin në pushtet, të cilët përjetuan edhe Spaçin dhe në tetë vite nuk thanë një fjalë përse nuk ju dha një qindarkë të përndjekurve, përkundrazi, anuluan procesin e dëmshpërblimit. A mund të bëhet më shpejt? Mund të bëhet, por mënyra që ne kemi zgjedhur është më e ndershmja. Ne u njohim plotësisht ditën e burgut  dhe ia njohim 23 apo 18 dollarë sa është. Nuk u themi e ke pasur kaq, por ne kemi mundësi të të japin 3 ose 4. Të tjerët e kanë bërë me pensione.

Ne ju qëndrojmë plotësisht të përndjekurve, ju qëndrojmë  plotësisht pronarëve dhe na takon t’u qëndrojmë. Natyrisht, çdo gjë do një kohë të mundshme, sepse përnjëherë nuk bëhet.

Duke u bazuar në sloganit tuaj sot “Për barazinë gjinore, përpara”, pyetja ime është, çfarë po bën dhe do të bëjë qeveria, për ngritjen e kapaciteteve të grave në politikë, e cila jep shanse të larta për konkurrimin e barabartë dhe përfaqësimin tonë në parlament dhe pse jo, zë të fuqishëm në vendimmarrje?

Kryeministri Berisha: Së pari, edhe një herë dua të siguroj se sa më shumë të flasim për arsimin dhe sa më shumë të përpiqemi, aq më mirë bëjmë dhe dëshmojmë që ne e kemi me seriozitetin më madh. Së dyti, pyetja juaj është shumë e drejtë. Unë ju siguroj që ne do të bëjmë gjithçka për të ridimensionuar rolin e grave dhe vajzave në politikbërje dhe në vendimmarrje. Po ta marrim si proces, pa diskutim që ka zhvillim pozitiv. Do të bëj gjithçka që në këto zgjedhje të ridimensionohet përsëri, do të bëj gjithçka që pas zgjedhjeve ky rol të ridimensionohet përsëri. Unë e gjykoj si një domosdoshmëri absolute ridimensionimin edhe në politikë. Ky është një aspekt ndër më të rëndësishmit, por problemi i barazisë gjinore, problemi i ngushtimit të atij kanioni  të krijuar në shekuj dhe mijëvjeçarë është shumë më i gjerë. Ky është një nga aspektet që ne duhet të  adresojmë me vendosmërinë më të madhe.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Në katërvjeçarin e ardhshëm të qeverisë suaj, cilat janë politika e sportit ?

Kryeministri Berisha: Në katër vitet e ardhshme, ne kemi shpallur hartimin e planit kombëtar për sportin. Kjo do të thotë që ne duhet të përparësojmë një sektor jetik, i cili nuk ka pasur përparësitë e merituara. Unë nuk dua të ndalem këtu në progresin e pamohueshëm që është bërë dhe rezultatet, por dua të ndalem në domosdoshmërinë e një plani kombëtar, me të cilin ne do të vendosim sportin në piedestalin që meriton. Ta fillojmë këtë nga klasa e parë, madje edhe para klasës së parë, ta fillojmë këtë nga kurrikula e shkollës, duke vendosur Edukatën Fizike në një nga 2-3 lëndët më themelore të të gjitha shkollave tona, ta fillojmë këtë nëpërmjet një serie projektesh, të cilat do të garantojnë ndërtimin e qendrave rekreative dhe terreneve sportive në çdo lagje, në çdo shkollë, në çdo fshat të madh, të fillojmë ta ridimensionojmë duke mbështetur elitën dhe sportin elitar. Pra, ta ridimensionojmë këtë duke mbështetur federatat, duke iu garantuar atyre autonominë, por duke iu krijuar atyre edhe burimet financiare, me të cilat ato të mund të performojnë. Të bëjmë gjithçka që sporti dhe sportistët, pas suksesit të parë të nxiten drejt të dytit. Mendoj se asgjë nuk është më shumë e lidhur me zhvillimin dhe cilësinë e jetës, sesa është kjo veprimtari. Ndaj ju siguroj se një plan i detajuar, i hollësishëm, një ligj i ri për sportin dhe sportistët, për nxitjen e tyre dhe të sportit në tërësi do të hartohet. Sporti do të vendoset në piedestalin që meriton.

Do të doja të sillja në vëmendjen tuaj zërin e atyre zonjave që sot ndoshta nuk flasin për shkak të dhunës ndaj tyre. Në programin tuaj në mandatin e trete, a keni parashikuar të hapni struktura sociale për këto gra të dhunuara, të cilat duhet të çajnë jetën e  tyre vetë , të kenë dinjitet, të aftësohen për të menaxhuar vete jetën e tyre, për të mos mbetur më peng i dhunës që ushtrohet ndaj tyre?

Kryeministri Berisha: Ky është një nga realitetet më të dhimbshme sot. Ne kemi disa qendra për mbrojtjen, për trajtimin e tyre,  por janë të pamjaftueshme. Ekzistojnë qendra në Elbasan, në Kamzë etj., por këto ekzistojnë thjeshtë si qendra emergjence. Vazhdimësia dhe qëndrimi i më pastajmë  është po kaq i domosdoshëm. Ndaj, ne synojmë të ristrukturojmë një shërbim permanent dhe një mbështetje konstant ndaj tyre. Ne jemi plotësisht të vendosur ndaj tyre. A ekzistojnë sot mundësitë?  Të gjitha mundësitë ekzistojnë. Ne kemi fondet e trajnimit dhe po të vini re, në fondet e trajnimit për punësimin, 71 përqind e përfituesve nga ky fond janë gra, sepse, natyrisht, ky është objektivi ynë. Por sa akses kanë ato në këto  fonde dhe qendra, ky është një problem miks. Ndaj edhe një punë shumë më e  organizuar në këto raste duhet bërë, për t’u garantuar atyre një jetë më normale, një jetë pa dhunë, një jetë pa konflikte. Statistika dëshmon se nga 100 qytetarë që kanë përfituar nga trajnimet për kualifikim, 71 janë gra. Pra, problemi është sa këto gra, që janë objekt i një dhune, kanë akses në këto qendra. Por qendrat ekzistojnë.

Unë jam një biznesmenë. Nuk e di sesa ju keni parashikuar në qeverisjen e ardhshme, rishikimin e sistemit doganor. Konkretisht referencat neve na  penalizojnë për  mallin që ne sjellim. Konkretisht, për telefoninë celulare referenca ka 7 vite që nuk ndryshon. Kjo është një problematikë për ne.

Kryeministri Berisha: Faleminderit që shtron këtë problem  dhe absolutisht do të shqyrtohet. Një gjë dua të theksoj. Qëllimi i parë i referencës është mbrojtja e biznesit dhe jo të ardhurat për shtetin. Nëse nuk vihet një referencë, mund të spekulohet në një shkallë aq madhe me mallin e importuar, me cilësinë e tij dhe ai që e pëson më shumë se kushdo tjetër, në këtë rast është biznesi i ndershëm. Por a qëndron ankesa juaj? Plotësisht. Është absurde që burokratët e doganave mbajnë referencën e shtatë viteve më parë, kur  unë të garantoj se në këto shtatë vite, gjithçka bëjnë me ato prodhime, ka ndryshuar të paktë tre here, mund të jetë rritur, mund të jetë ulur, por e njëjtë nuk mund të jetë. Ndaj dhe unë shqetësimin tënd dhe në tërësi do t’ua përcjell. Por edhe një gjë. Po të vësh re sistemin e doganave, ne kemi investuar shumë për modernizimin e tyre, funksionon sistemi i riskut, që është lehtësim. Së shpejti, ne do të jemi një ndër vendet e pakta me sistem tërësor skanimi, çka nuk do të thotë se do të skanohet çdo gjë, por do të thotë se shkalla e sigurisë do të jetë më e madhja. Këto dy javë fillon pagesa përmes telefonit. Ju nuk do të paguani më në sportelet e tyre, por ju do të bëni transaksionet me bankat nëpërmjet celularëve tuaj. Pra, ne po bëjmë shumë për  modernizimin e doganave. Rendimi në dogana nuk është filozofia jonë, por, absolutisht, ulja e tarifave në dogana. Kjo është shumë e njohur për ne, pasi ne jemi forcë politike e taksave të ulëta dhe i qëndrojmë këtij parimi.

Dua t’ju bëj disa pyetje. Jam farmaciste e diplomuar në vitin 2010. Në vitin kur unë jam diplomuar është futur ligji për profesionet e rregulluara dhe neve na është njohur titulli si farmacist i lartë, por jo e drejta për të ushtruar profesionin. Gjithashtu i jemi nënshtruar edhe provimit të shtetit, me një ngërç, pasi ky provim do të jepej në nëntor të 2010 kur ne u diplomuam. Nuk ishin bërë pyetjet gati dhe procedura nuk ishte verifikuar dhe provimi u dha në janar të 2013. Në këtë  një vit e gjysmë me vonesë nuk na u njoh profesioni. Dhamë provimin dhe tani për liçensimin po na shkon rreth tre vjeç e gjysmë.

Kryeministri Berisha: Së pari, veprimi i burokracisë ka qenë i pa drejtë, por duhet të dini një gjë, që burokracia nuk ka shpirt. Ajo është një makineri e domosdoshme, por një makineri pa shpirt. Ndaj, ne duhet të luftojmë vazhdimisht me reforma, për ta bërë atë sa më të pranueshme në veprimet e saj dhe të veprojë gjithnjë e më shumë mbi baza ligjore. Të mbarosh në 2010-ën dhe të jepet provimi në 2013-ën është e pa drejtë. Në këtë rast, e drejta është në anën tuaj dhe dëmi duhet t’i kalonte atij që nuk ka përgatitur kushtet, për të dhënë ju provimin. Tani vijmë tek licenca. Unë të garantoj se do ta shoh me përparësi të madhe dhe atë licencë nuk do ta japë as Urdhri i Farmacistit dhe as urdhri i ministrit, por atë licencë do të ta japë provimi që ti dhe. Provimin, ju e jepni për të marrë profesionin e rregulluar dhe automatikisht duhet të marrësh licencën. Gjen punë apo jo, kjo është puna jote. Por të të pengojë Urdhri i Farmacistit apo i ministrit, për të të dhënë licencën, kjo nuk do të ndodhë më. Kemi vënë një tagër, të japësh provimin dhe kjo është shumë mirë. Nuk jeni vetëm ju, janë disa profesione dhe dhënia e provimit duhet të jetë automatikisht licencë. Licenca buron nga provimi. Dhe unë do të shoh të gjithë vendimet dhe ligjet që ndryshojnë, në këtë drejtim.

Ju falenderoj për investimet që kemi bërë në qytetin e Elbasanin, në sistemin shëndetësor. Si do të jenë reformat e qeverisë kundrejt sloganit të opozitës për një shëndetësi falas, cili do të jetë prioriteti i qeverisë në katërvjeçarin e ardhshëm?

Kryeministri Berisha: Është fatkeqësi përsëri, se opozita sulmon një sistem, i cili është provuar në botë sistemi më i suksesshëm. Ata që ndjekin reformat do të gjejnë se reformat e shëndetësisë janë më të vështirat dhe se jo çdo vend i ka bërë. Mos reformimi  i sistemit bën që vërtet mund të kesh kulme të jashtëzakonshme, por mund të kesh njëkohësisht edhe dobësi të jashtëzakonshme. Mund të jesh vendi më i pasur, por reforma i sistemit të shëndetësisë është kusht jetik për t’i ofruar me garanci qytetarit, të gjithë kujdesin që ai meriton. Në fakt, e gjithë bota është përpjekur të kopjojë sistemin gjerman. Kur presidenti Klinton erdhi në pushtet, erdhi me modelin e reformës së sistemit shëndetësor. Sistemi që ne kemi vendosur është tipik sistemi gjerman. Ju garantoj se ky sistem nuk le dhe nuk përjashton në mënyrë absolute, asnjë qytetar të këtij vendi, nga kujdesi dhe shërbimi më i mirë shëndetësor publik. Por ky sistem nuk barazon në detyrime atë që ka, me atë që nuk ka. Ai që nuk ka do të gëzojë të gjitha shërbimet shëndetësore, pa asnjë diskriminim. Ai që ka do të japë kontributin. Ashtu siç jep kontribut për pensionin, e njëjta gjë është edhe për kontributin shëndetësor, jep një përqindje që është ndër më të ulëtat dhe që ligji që hyn në fuqi, nuk rrit, nuk cenon pagat e askujt dhe krijohet një fond që është fondi i shërbimit shëndetësor. Ky fond shërben si shtyllë kryesore për të mbajtur sistemin. Çfarë na ndodh sot? Në 2005 përfitonin dializë 45 të sëmurë dhe të gjithë të tjerët i priste vdekja e sigurt. Janë raporte ndërkombëtare që shkruanin se në Shqipëri,  të sëmurët me veshka janë të dënuar me vdekje, për mungesë të hemodializës. Sot janë 700 shqiptarë që përfitojnë. Nuk jemi mirë me transplantin. Hemodializa është zgjidhja më e kushtueshme, por jo më e mira. Një i sëmurë kushton 15 mijë euro në vit. Ndërkohë që transplanti është zgjidhja më e mirë dhe ne do ta zhvillojmë atë. Ky sistem është hartuar me  specialistët më të mirë të Bankës Botërore dhe duhet të kemi të qartë një gjë, Banka Botërore ka think-tank-ët më të mirë të planetit. Ata dalin kundër tij dhe ku do të shkojnë? Tek Kastro. Por ne nuk mund të bëhemi shtet socialist. Qytetarëve u thuhet nuk do paguani asnjë taksë, paçka se po t’ua llogarisësh me taksë indirekte, punojnë tetë muaj për shtetin, ku shteti i jep çdo shërbim dhe ai nuk paguan. Atëherë, nga zbresin ato para? Ndaj ne do të implementojmë ligjin, sikundër çdo të papuni, çdo njeriu me ndihmë ekonomike, gruaje shtatzënë, çdo fëmije, çdo ushtari, ne ju garantojmë shërbimin shëndetësor, pa kontributin e tyre.

Unë jam një gjimnaziste dhe këtë vit kam fituar olimpiadën për klasat e 12. Dua të falenderoj dhe bashkëshorten tuaj për mbështetjen që më ka dhënë. Por dua të di për bursat e ekselencës që jep shteti.

Kryeministri Berisha: Të përgëzoj për rezultatet që ke arritur në olimpiadë. Ne kemi bursa ekselence, çka do të thotë ne paguajmë shpenzimet e shkollës, në shkencat jo teknike dhe matematike në dhjetë universitetet e para të botës dhe në shkencat teknike dhe matematike në 51 universitetet  e para të botës. Ty të këshilloj të fillosh aplikimin dhe nga 1 tek 50-ta, nëse njëri prej tyre të pranon, qeveria do të të paguajë bursën.

***

Ju falenderoj për këtë takim të mrekullueshëm dhe tani të bëjmë gjithçka për 23 qershorin, fitoren më të thellë. Të rikthejmë edhe njëherë vitin 1992, në fitoren e përmasave të atij viti. Fitore." 


29/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›