E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton një prej zyrave elektorale të Partisë Demokratike në Berat dhe takohet me të rinj, mbështetës të kësaj force politike

“Mbështetja juaj vjen si një vokacion i juaj shpirtëror për lirinë dhe vlerat e saj.” u shpreh sot kryeministri Berisha për të rinjtë e Beratit, mbështetës të Partisë Demokratike në një takim të shkurtër që zhvilloi me disa prej tyre, në zyrën elektorale të PD, në qendër të qytetit.

Kryeministri i vlerësoi ata si njerëz me vlera qytetare të shkëlqyera, me besueshmëri të lartë, mision të qartë dhe energji të mëdha. Kryeministri kërkoi nga këta të rinj që të japin kontributin e tyre për të qartësuar mendimin se përse njerëzit duhet të votojnë për Partinë Demokratike.

Duke renditur një sërë arritjesh të  qeverisë demokratike, kryeministri konkludoi se qytetarte  Beratit dhe të gjithë Shqipërisë duhet të votojnë për të vazhduar më tej ndryshimet epokale, si dhe për një integrim të mëtejshëm në Bashkimin Europian”.

Me tej, kryeministri u shpreh:

“Mbështetja juaj vjen si një vokacion i juaj shpirtëror për lirinë dhe vlerat e saj. Sot ju jeni të reja dhe të rinj me besueshmëri të lartë, me mision të qartë, me energji të madhe dhe mbi të gjitha me vlera qytetare të shkëlqyera. Kjo duhet të jetë periudha që ne duhet të vendosim që ta kemi çdo zgjedhës, çdo qytetare dhe çdo qytetar në votime. Këtë periudhë duhet të bëjmë gjithçka të qartë për të qartësuar mendimin pse njerëzit duhet të votojnë për forcën tonë politike. Njerëzit e shohin edhe e pranojnë që ne kemi bërë transformime të mëdha, që ne kemi anëtarësuar Shqipëria në NATO, kemi bërë që shqiptarët të lëvizin të lirë, pa viza, në Evropë, që ne po ndërtojmë një infrastrukturë moderne në të katër anët e vendit, që kemi rritur rrogat dhe pensionet në përqindje më shumë se kudo tjetër. Këto ne i kemi bërë në zbatim të programit dhe premtimeve tona. Njerëzit do të na votojnë  ne,  për ato që do të bëjmë në 4 vitet që do të vijnë. Në katër vitet që vijnë Berati do të ketë infrastrukturën rrugore më moderne të historisë së tij. Boshti i Jugut, i cili po ecën drejt Beratit dhe në variantin më ideal është tuneli i Kërrabës, sepse ai shkurton distancën në mënyrë të ndjeshme. Boshti i Jugut do përfundojë, sikundër do të përfundojë infrastruktura në çdo kilometër të këtij qarku. Berati do të ecë si një trashëgimi botërore. Në qoftë se në Shqipëri turizmi në tërësi do të ritet nga 4.7 milionë në 7 milionë, në Berat turizmi së paku do të katërfishohet. Në Berat, ne do të bëjmë gjithçka për nxitjen e investimeve të beratasve dhe të huajve. Ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur fermerët e mrekullueshëm të Beratit, të cilët janë ndër njerëzit më punëtorë të Shqipërisë.

Qytetarët duhet të na votojnë, sepse ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO; ne që hoqëm vizat për shqiptarët; ne që bëmë që 201 ditë më parë Komisioni Evropian të deklarojë se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat me kusht që të votojë 3 ligjet, të cilat shoku Rama i bllokoi në mënyrë të paimagjinueshme. Me 23 qershorin e kemi ditën, në të cilën ecim të sigurt 100 përqind drejt statusit të vendit kandidat. Statusi i vendit kandidat nënkupton qindra e miliona euro investime direkte nga Komisioni Evropian dhe sektori privat i Bashkimit Evropian në Shqipëri, nënkupton mundësi studimi për të rinjtë shqiptarë në të gjitha universitetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me një lehtësira shumë favorizuese po kështu edhe për emigracionin shqiptarë , do të thotë njohjen e pensionit. Përmirësohet shumë situata sociale e emigrantëve të parë. Ne do të hapim negociatat me Bashkimin Europian. Pra janë një seri faktorësh që qytetar e Beratit dhe Shqipërisë duhet të votojnë për të vazhduar më tej këto ndryshime epokale, duhet të votojnë për një integrim të mëtejshëm në Bashkimin Europian”.


30/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›