E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e rrugës Zemblak – K/Liqenas, me vlerë mbi 1 miliard lekë

Kryeministri Berisha e nisi sot vizitën e tij në qytetin e Korçës, me inaugurimin e Rrugës Zemblak – K/ Liqenas,(aktualisht komuna Pustec) investim i buxhetit të shtetit me vlerë mbi 1 miliard lekë. Rruga me gjatësi 13.1 km ofron për banorët e zonave përreth të gjitha parametrat e një infrastrukture bashkëkohore dhe të standardeve më të larta.

Ky segment fillon ne Zemblak, ne kryqëzimin e rrugës se re Korçë – Bilisht me Zemblakun, kalon përmes fushës se Korçës për rreth 3 km, pastaj ngjitet ne qafen e Zvezdes dhe vazhdon përgjatë fushës se Korijeve, përgjatë  Malit te Zvezdes deri ne Kryqëzimin e fshatit Liqenas me rrugën e Doganës se Gorricës.

Në takimin me banorët e komunës Pustec, kryeministri shprehu kënaqësinë që ata do të gëzojnë një rrugë të mrekullueshme dhe shumë të rëndësishme jo vetëm për ta, por për mbarë vendin, si dhe për turistët që vijnë nga gjithë bota dhe vizitojnë Prespën, si një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare, ballkanike dhe më gjerë.

“Rruga shkurton tre herë distancën e fshatit me Korçën, distancën e Korçës me Prespën, distancën e turistëve që vijnë për të vizituar Prespën.” u shpreh kryeministri, duke vijuar se “Rruga përmbush plotësisht filozofinë tonë të shkurtimit të madh te distancave të lidhjes së komunave me qendrat e qyteteve, me akset kombëtare të shkurtimit të distancës së tyre me kryeqytetin e vendit.”

Kryeministri e cilësoi rrugën edhe si një urë miqësie mes dy vendeve mike Maqedonisë dhe Shqipërisë, duke garantuar banorët e Pustecit dhe pakicën maqedonase kudo që ndodhet se politika e qeverisë shqiptare është dhe mbetet bashkëpunimi i ngushte miqësor në të gjitha fushat, me vendin mik, në interesin më të mirë të dy vendeve, kombeve dhe rajonit në tërësi.

Duke u ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit, kryeministri shprehu bindjen se “shqiptarët me mençuri, me gjakftohtësi do të votojnë për forcën që u provua gjithë këto vite lokomotivë  e vërtetë e integrimit. Do të votojnë për besimin ndaj atyre të cilët shndërruan në realitet premtimet tyre.”

Në përshëndetjen drejtuar banorëve dhe të pranishmëve të tjerë, kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur banorë të komunës Pustec, zoti Kryetar i komunës, zoti ministër Bode, ministër Olldashi, deputete, qeveritarë vendorë dhe përfaqësues të firmës që ndërtoni këtë rrugë të mrekullueshme të një rëndësie shumë të madhe, jo vetëm për banorët fisnike të komunës së Pustecit, por për Korçën, për Shqipërinë dhe për mbarë vendet miq që vijnë nga mbarë bota dhe vizitojnë Prespën, si një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare, ballkanike dhe më gjerë.

Kjo rrugë e bukur i qëndron si një gjerdan i mrekullueshëm në peizazhin e papërsëritshëm që të kapin sytë, sapo del në qafën përkarshi dhe sheh Prespën, fshatin përreth, majat me borë, nuk ka pamje më unike dha kaq të bukur sa kjo.

Rruga shkurton tre herë distancën e fshatit me Korçën, distancën e Korçës me Prespën, distancën e turistëve që vijnë për të vizituar Prespën.Rruga pra përmbush plotësisht filozofinë tonë të shkurtimit të madh te distancave të lidhjes së komunave me qendrat e qyteteve, me akset kombëtare të shkurtimit të distancës së tyre me kryeqytetin e vendit.

Por kjo rrugë ka një rëndësi tjetër të veçantë, është një rrugë që bashkon dy vendet tona mike, Maqedoninë me Shqipërinë dhe në këtë kontekst rëndësia e saj bëhet shumë e madhe.Unë i garantoj banorët e Pustecit dhe pakicën maqedonase kudo që ndodhet, se politika jonë është dhe mbetet bashkëpunimi i ngushte miqësor në të gjitha fushat, me vendin mik, në interesin më të mirë të dy vendeve kombeve dhe rajonit në tërësi.

Zoti kryetar, unë dua të shpreh ty, nderimin tim të madh, pasi ti je nga ata kryetarë komunash që në mënyrë të përsëritur vetë dhe nëpërmjet deputetit tënd, ke trokitur në derën e kryeministrit,asnjëherë për problemet e tua private, por vetëm për interesa të banorëve të komunës që ti drejton dhe kjo të bën nder.

Në këto takime unë kam patur fatin të njihem edhe me vizionin tënd të shkëlqyer, për të shndërruar Prespën në një qendër të fuqishme, jo vetëm turistike, por një qender të fuqishme zhvillimore për mbarë rajonin.

Unë jam këtu, zoti kryetar, për të dhënë fjalën se do të mbështesim çdo projekt, në mënyrë që kësaj komune ti zgjidhim problemet në përputhje me interesat e qytetarëve të saj.

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj,

Po ecim drejt një fushate elektorale, në të cilën siç e shihni ne flasim me vepra, flasim me rrugë, flasim me ujësjellësa, flasim me kanalizime, flasim me shkolla, flasim me qendra shëndetësore, flasim me subvencione për fermerët, flasim me shumëfishim të numrit të studentëve, flasim me heqjen e vizave për të gjithë shqiptarët, flasim me vendimin e Komisionit Evropian për ti njohur Shqipërisë statusin e vendit kandidat në qoftë se do të votonte tre ligje, flasim me nje ekonomi, e cila në kushtet më të vështira të krizës, siç u pohua dhe një javë më parë nga Komisioni Evropian, ishte një nga tre apo katër ekonomitë e vetme në Evropë, që nuk ra në recension, ishte një nga tre apo katër ekonomitë e vetme të BE, e cila pati rritje ekonomike dhe midis tyre ishte e vetmja, e cila pati një ulje prej 0,5 % të papunësisë.

Pra, reformat mbrojtën ekonominë shqiptare, por ne shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me reforma të reja, të fuqishme. Ato bazohen tek liritë tuaja, tek forca e shpirtit tuaj, bazohen tek ambicia juaj pozitive për të prosperuar gjithnjë e më shumë veten, familjen dhe vendin. Ndaj dhe ne hoqëm çdo taksë, për çdo gjë që importohet për të rritur prodhimin. Ndaj dhe ne për fermerët e Prespës, për fermerët e Korçës, morëm disa vendime të cilat në të vërtete përbëjnë vendime historike për ta.

Kurrë më parë ndonjë qeveri, nuk ka shpallur fermat e tyre, si një çështje serioze, ashtu si kjo qeveri. Kemi investuar në të gjithë Shqipërinë, miliarda e miliarda dollarë infrastrukturë. Kemi ndërtuar mbi 8 mijë km rrugë, por zotimi im ketu, për Prespën dhe Korçën eshte se do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë të mbetur, se do të bëjmë që fermerët tanë, qytetarët tanë kudo që janë, të udhëtojnë në rrugë moderne, të udhëtojnë në rrugë njëlloj si qytetarët e vendeve të zhvilluara, do të bëjmë që kudo që janë të shkurtojmë distancat  e udhëtimit të tyre, të ulim kostot e udhëtimit të tyre, të nxisim krijimin  e bizneseve, duke hapur me rrugë të reja, korridore tregu.

Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla, por jam këtu për tu zotuar se do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë. Vogëlushët shqiptarë, kudo që ndodhen në Moglicë apo në qendër të Korcës,në Mokër apo në qendër të Korçës apo Elbasanit, në Lekbibaj apo në Shkodër, të ulen në shkolla të denja për ta. Ky është zotimi ynë.

Do të bëjmë gjithçka 4 vitet që vijnë, ju te keni sistemim arsimor të cilësive më të mira, të orientuar drejt arsimit profesional në shkallën më maksimale. Në këto vite ne trefishuam numrin e studenteve, ndërsa tani do të rendim pas cilësisë, do të rendim pas profesioneve, do e përshtatim më mirë me tregun.

Në këto vite ne financuam 42 mijë projekte të fermerëve shqiptarë.Jam këtu për tu zotuar para jush, se në 4 vitet që vijnë, jo 56 milion dollarë, por 165 milion dollarë do të jenë financimet tona , grante për ta. Dje, me propozim të fermerëve të Korçës, por edhe të fermerëve të Lushnjës e të Beratit, ne anuluam ligjin e votuar dy muaj më parë që synonte tu ndihmonte ju, ligjin që hiqte tvsh për imputet bujqësore. Ne  e anulluam sepse fermerët në Lushnjë, në Berat, në Korçë na thanë se “këto pata nuk i marrim ne , i marrën tregtarët”. Ne punojmë shumë që ti ndihmojmë edhe tregtareve , por atë ligj e kishim për fermerët , për fshatarët që paratë tu shkonin atyre. Ndaj dhe ne vendosëm që dje, ose nesër që kalon ligji në parlament që çdo fermer të marrë para në dorë, tvsh-ne për çdo lloj imputi bujqësor që ai importon apo blen në treg. Bëmë të njëjtën gjë për naftën dhe jam shumë i lumtur dhe i gëzuar që gjetëm skemën më të mirë për tu mbështetur ju dhe jo për të përfunduar paratë siç përfundonin në xhepat e qeveritarëve

Vëllezër dhe motra,

Të gjithë shqiptarët kanë një synim, kanë një projekt, kanë një ëndërr dhe kjo është ëndrra evropiane. Ata janë të mençur që e mbështesin kaq masivisht dhe unë ju garantoj ju, se me shndërrimin e realitet të kësaj ëndrre secili prej jush do të jetë më i lirë, secili prej jush do të jetë më i mëkëmbur, secili prej jush do të jetë më i sigurtë.

Me përpjekje të mëdha, me reforma të thella ne ia dolëm të arrijmë së bashku te meritojmë heqjen e vizave në Evropë. Me përpjekje të mëdha, me reforma të përbashkëta ne ia dolëm që komisioni Evropian të konkludojë që Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat, me kusht që të votoheshin tre ligje.

Alternativa tjetër, të dashur vëllezër dhe motra, për 4 vite ishte bojkot- bllokim, bllokim-bojkot. Momentin kur merrej vendim në parlamentin Evropian, për vizat për Shqipërinë, u ngritën çadrat para kryeministrisë në mënyrë që ai vendim të mos merrej. Në momentin kur do të vendosej në Komision , nisi xhiron në mbarë Shqipërinë me kutinë nën krahë ”hap kutitë të zhbllokoj vizat” . Në momentin kur do të merrej vendimi tjetër, nisën letrat drejt Brukselit, se shqiptarët do të vërshojnë mbi 800 mijë vetë drejt jush. Të gjitha këto mashtrime, shqiptarët sillen me heqjen  e vizave në mënyrën më dinjitoze.

Këto tre ligje mbajnë peng prej 200 e ca ditësh, statusin e vendit kandidat, e me te cilin ju të dashur qytetarë dhe qytetar, Prespa, qindra dhe mijëra turistë më shumë , fermerët e Prespës të Korçës dhe mbarë Shqipërisë, do të përftojnë subvencione shumë herë më të mëdha, direkt nga KE për fermat  e tyre. Shqipëria do të përfitonte qindra  e qindra milion euro të Komisionit Evropian dhe të sektorit privat të BE , të cilët do të transformonin më tej infrastrukturën tonë, do të krijonin dhjetëra e mijëra vende pune.

Por demokracia funksion në Shqipëri. 23 qershori po afron, jam i bindur se shqiptarë me mençuri, me gjakftohtësi do të votojnë për forcën që u provua gjithë këto vite lokomotivë e vërtetë e integrimit. Do të votojnë për besimin ndaj atyre, të cilët shndërruan në realitet premtimet tyre. Do të votojnë për PD  e cila programin  saj e ka të bazuar ne vlerat metë larta njerëzore dhe hyjnore, e ka të bazuar në besimi tek familja, tek Zoti , tek vendi, tek liria e individit, e ka të bazuar në respektin  e ndërsjellë . Ndaj dhe ju ftoj ju të gjithë së bashku të shndërrojmë këtë fushatë në fushatën më të bukur që kemi zhvilluar ndonjëherë në historinë tonë, të festojmë arritjet tona por mbi të gjitha të punojmë së bashku për vizionin  e shkëlqyer të 4 viteve që vijnë.

Edhe njëherë gëzuar rrugën e re të merituar dhe fitore!

Përpara, përpara, përpara!


01/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›