Kryeministri Berisha viziton një biznes artizanal në Korçë të drejtuar dhe menaxhuar nga një grua
Kryeministri zgjodhi sot të ndalej në një biznes të vogël artizanal, të drejtuar nga një grua, në qytetin e Korçës, për të inkurajuar dhe përgëzuar guximin e grave shqiptare sipërmarrëse, drejtuese e menaxhere, të cilat me shumë kurajë e vendosmëri ia kanë dalë të jenë të suksesshme në sipërmarrjet e tyre.
“Unë shpreh respektin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni. Ju meritoni me të vërtetë të konsideroheni duararta sepse ju shkrini me talentin tuaj një gjeni krijuese shekullore të shqiptarëve.” iu drejtua kryeministri grave dhe vajzave të punësuara aty, teksa pa nga afër punimet artistike të bëra me dorë nga këto punonjëse. Në këtë biznes janë të punësuara 70 gra dhe vajza, shumica prej të cilave punojnë nga shtëpitë e tyre.
Kryeministri dëgjoi me interesim kërkesën për zgjerimin e tregut të shitjes së këtyre prodhimeve edhe në kryeqytet dhe premtoi se në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së Tiranës do të gjenden format më të përshtatshme të investimit për tregje artizanale apo lokale të ndryshme.
Kryeministri tha se turizmi e zhdërvjelltëson tregun artizanal, duke e shumëfishuar atë dhe duke i dhënë një dimension të ri. Në këtë kontekst, kryeministri propozoi që në qytet me frekuentimin më të lartë turistik, të ofrohen lokale gjatë sezonit turistik, në mënyrë që punimet të kenë përparësi në shitje.
Duke i falënderuar gratë dhe vajzat për mikëpritjen, si dhe për talentin e treguar në punimet e tyre artistike, kryeministri u shpreh:
“Unë shpreh respektin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni. Ju meritoni me të vërtetë të konsideroheni duararta sepse ju shkrini me talentin tuaj një gjeni krijuese shekullore të shqiptarëve. Puna artizanale që bëni ka gjithnjë vlerën e jashtëzakonshme të punës artistike dhe unë dua tu rrëfej një moment këtu. Unë kam kaluar kohëra në vende shumë të zhvilluara, si psh kam kaluar kohë në Francë dhe në vende të tjera, por dua tu garantoj se punë të tilla kudo kanë vlerësimin më të madh, kudo tregohen me krenari të veçantë, kudo preferohen si një gjë e veçantë dhe shumë e bukur. Në asgjë më bukur, një komb dhe një popull, sesa në punën e dorës, sesa në artizanat , nuk shpreh trashëgiminë e tij gjeniale, kulturore, artistike. Në çdo motiv të qëndismave tuaja, të qilimave, të sixhadeve shprehet ajo trashëgimi artistike që është përcjellë breza pas brezi dhe që pasurohet edhe më shumë.
Unë jam dakord me ju kur thatë se ky është një biznes i vogël, por me rëndësi të madhe. Unë jam kryeministër dhe jam këtu së bashku me ministrin e financave. Ne na intereson shumë ta nxisim dhe ta inkurajojmë këtë sektor. Ne duam të dimë se çfarë duhet të bëjmë më shumë për ju , në mënyrë të zhvillojmë këtë sektor, në mënyrë që të punësojmë më shumë, të krijojmë më shumë të ardhura. Qeveria është shumë e vendosur të përparësojë artizanatin në të gjitha degët e tij, ndaj dhe unë do të doja të dija nga ju se çfarë duhet të bëjmë ne më shumë që ky sektor i rëndësishëm me potencial të madh punësimi, por njëkohësisht një sektor që shpalos gjeninë krijuese të kombit ka gjithnjë rendësi shumë të madhe.
Kërkesës së tyre për hapjen e një tregu në kryeqytet, Kryeministri Berisha iu përgjigj:
Ju shtroni një çështje shumë të drejtë dhe për sa i përket tregut të Tiranës unë do ti kërkoj kryetarit të bashkisë së Tiranës, i cili ka bërë disa hapa në këtë drejtim, si psh lehtësimi fiskal për bizneset artizanale, por unë e gjej të drejtë kërkesën tuaj. Tirana është jo vetëm e atyre që banojnë aty. Në Tiranë janë aksionerë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Kështu që unë do i kërkoj atij që ofertat për prodhime artizanale ai tua bëjë edhe rretheve të tjera. Do i kërkoj atij që në të investojmë aty, qoftë edhe për një treg artizanal ose për lokale, sikundër do të bëjmë gjithçka që qytetet me frekuentim të madh turistik të ofrojnë lokale gjatë sezonit turistik, në mënyrë që punimet të kenë përparësi në shitje.
Gjithashtu, ne, të gjithë këto gra që ti i merr dhe i punëson ne duhet të marrim përsipër disa shpenzime, siç janë periudha që ato mësojnë, deri sa bëhen punëtore të kualifikuara. Pra ne do të vendosim një dialog së bashku për ta nxitur dhe lehtësuar shumë më tepër këtë sektor.
Një ligj e kemi përgatitur për artizanët dhe do të bëjmë gjithçka, do të përdorim çdo skemë me të cilat do të ndihmohet ky sektor. Një ndihmë shumë e madhe është turizmi sepse dyfishon tregon. Tregu shqiptar është njëra anë dhe shumimi i tij me turistë është një dimension tjetër i tregut. Unë ju përgëzoj për këtë iniciativë si dhe për guximin tuaj, sepse unë e di se çdo të thotë pasiguri tregu dhe të jesh sipërmarrëse, por ti je një grua guximtare dhe iniciativa e lirë kërkon guxim.
01/05/2013