E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e godinës së re të komunës Lumas, në Berat

Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në qarkun e Beratit, ishte i pranishëm sot në përurimin e godinës së re të komunës Lumas. Godina e re, një investim me vlerë 22 milionë lekë, është ndërtuar sipas parametrave bashkëkohorë, e pajisur me të gjitha zyrat e shërbimit për qytetarët. Ndërtimi i qendrës së re të komunës Lumas vjen si pasojë e kërkesave në rritje të cilësisë së qeverisjes dhe zhvillimit ekonomiko – social të komunës. Kjo komunë ka 7600 banorë.

Në këto vite në qarkun e Beratit janë ndërtuar dhe rikonstruktuar mbi 500 kilometër rrugë, 60 shkolla e kopshte, 31 ujësjellës e kanalizime, 46 qendra shëndetësore e ambulanca, si dhe janë subvencionuar 2600 hektarë me ullishta, pemëtore, vreshta, spërkatje e sera, prej të cilave kanë përfituar 6840 fermerë, 25 herë me shumë se gjatë qeverisjes socialiste. Në këto vite në Berat është investuar, gjithashtu, 25 milion euro në sistemin e energjisë elektrike, për përmirësimin e kapaciteteve të rrjetit. Po ashtu edhe numri i bizneseve është dyfishuar, nga 2820 biznese që kanë qenë në vitin 2005, në vitin 2012 arritën në 5350 biznese.

Kryeministri Berisha i përshëndeti banorët e kësaj komunë dhe i garantoi ata se katër vitet që vijnë do të asfaltohet çdo kilometër rrugë në komunën e Lumasit; do të trefishohen grantet për fermat dhe projektet e tyre; do të vazhdojë rritja e madhe e pensioneve; do të kenë zero taksa, do të ribursohen me para në dorë, për çdo shpenzim dhe çdo import që bëjnë për fermat e tyre, për naftën, plehrat kimike, fidanët dhe inpute të tjera që përdorin. “Unë, - tha Kryeministri, - vij tek ju se mundi dhe djersa juaj, projektet për fermat tuaja kanë vlerësimin më të madh nga kjo qeveri dhe qeveria e fitores së zgjedhjeve të qershorit 2013”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur banorë të komunës së Lumasit, gra dhe burra, vajza dhe djem fisnikë të kësaj komune,

Zoti kryetar i komunës,

Zotërinj deputetë,

Zoti ministër,

I nderuar grup folklorik i komunës së Lumasit,

I dashur Kozma Dushi, këngëtar i shquar i kombit shqiptar,

Ju shpreh përshëndetjet e mia më vëllazërore, mirënjohjen time më të thellë, por edhe ju jap fjalën e nderit se nuk do ta harroj kurrë në jetën time këtë pritje që ju më bëtë sot. Unë së bashku me kryetarin e komunës tuaj dhe me deputetin tuaj të ardhshëm do të bëjmë gjithçka për të ndërtuar në këtë komunë çdo kilometër rrugë, të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, qendra shëndetësore, të ndërtojmë sistemin më të mirë të vaditjes, të bëjmë gjithçka që ju me mundin dhe djersën tuaj të rrisni në mënyrë të pandërprerë mirëqenien tuaj, të familjeve tuaja, të komunitetit tuaj, të Beratit dhe të Shqipërisë.

Në këtë komunë ka përfunduar rruga Lumas – Shahipllare dhe do të nisë së shpejti rruga Vodëz – Koritëz – Krekëz, si dhe ndërtimi i shkollës fillore të fshatit Bardhaj. Gjithashtu, kanë përfunduar projektet dhe zotohem para jush për të garantuar financimin për rrugën Lumas – Mendrakë, me gjatësi 11 kilometër, dhe për rikonstruksionin e rezervuarit të Belesovës, për të vaditur 1250 hektarë tokë në këtë zonë.

Vëllezër dhe motra,

Unë vij sot për t’ju garantuar se në katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë në komunën e Lumasit. Unë vij këtu për të garantuar fermerët e Lumasit se katër vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për fermat dhe projektet e tyre. Unë vij këtu tek ju për t’ju dhënë fjalën e nderit se katër vitet që vijnë do të vazhdojmë rritjen e madhe të pensioneve në komunën tuaj dhe në mbarë Shqipërinë. Unë vij këtu për t’ju garantuar se katër vitet që vijnë ju do të keni zero taksa, do të ribursoheni me para në dorë për çdo shpenzim dhe çdo import që ju bëni për fermat tuaja, për naftën, plehrat kimike, fidanët dhe inpute të tjera që përdorni.

Të dashur fermerë,

Në katër vitet që vijnë ne do të rimbursojmë Taksën e Vlerës së Shtuar (TVSH) për çdo gjë që ju përdorni për ullishtat, vreshtat, serat, gjedhët, të imtat, bletët dhe çdo gjë tjetër të ekonomive tuaja. Unë vij sot tek ju se mundi dhe djersa juaj, projektet për fermat tuaja kanë vlerësimin më të madh nga kjo qeveri dhe qeveria e fitores së zgjedhjeve të qershorit 2013. Unë vij këtu për t’ju dhënë fjalën se fermat tuaja dhe puna juaj është në krye të axhendës sonë, për t’ju mbështetur fuqimisht, për punësimin dhe për begatimin tuaj. Unë vij këtu dhe ndjehem krenar me ju. Duke ardhur kësaj lugine, unë pashë se si ju keni qëndisur këto kodra me qindra e mijëra rrënjë ulliri. Unë ju bëj thirrje ju, grave dhe burrave punëtorë të Lumasit: aty ku ka një shkurre, mbillni një ulli, mbillni një vresht, sepse ne do t’ju mbështesim me të gjithë fuqinë tonë. Unë vij këtu për t’ju dhënë fjalën se katër vitet që vijnë mbështetja jonë për ju do të shumëfishohet edhe nëpërmjet mbështetjen së Komisionit Evropian.

Vëllezër dhe motra,

Me përpjekje të ndershme, të mëdha, të përbashkëta ne ia dolëm të meritojmë heqjen e vizave. Ju sot lëvizni të lirë në mbarë Evropën. Me përpjekje të mëdha ne ia dolëm që tetorin e vitit të kaluar Komisioni Evropian të rekomandojë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votohen 3 ligje. Ai që mori peng statusin e vendit kandidat për Lumasin, për Beratin, për Shqipërinë privoi fermerët shqiptarë nga një shumëfishim i mbështetjes së tyre financiare; privoi Shqipërinë nga qindra milionë euro investime në rrugë, në ura, në kanalizime, në ujësjellës dhe nga krijimi i dhjetëra mijëra vendeve të punës. Ai bëri një gabim historik.

23 qershori po vjen, së bashku me ne do të votojnë të gjithë qytetarët e Lumasit, banorët e mrekullueshëm të kësaj komune, qytetarët e Beratit dhe të mbarë Shqipërisë që duan ta shohin vendin e tyre vend kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian; që duan që Shqipëria të hapë negociatat; që duan që fermerët shqiptarë të përfitojnë ndihma shumë të mëdha për fermat e tyre; që duan që të rinjtë shqiptarë të shkollohen në shkollat më të mira të vendeve anëtare të BE-së; që duan që Shqipëria të ketë përveç NATO-s edhe pasaportën e merituar të vendit me integrim të sigurt në Evropë.

Me 23 qershor të gjithë ne do të votojmë për Lumasin me rrugë, me ura, me ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore moderne; do të votojmë për Lumasin, banorët e të cilit kanë mbjellë në këto vit 320 mijë rrënjë ulliri; do të votojmë për Lumasin, një kopsht të vërtetë të mrekullueshëm të Beratit dhe mbarë Shqipërisë; do të votojmë për rritjen e pensioneve, për rritjen e mirëqenies, për rritjen e madhe të punësimit të të rinjve, burrave dhe grave; do të votojmë për integrimin e Lumasit, Beratit, Shqipërisë në Bashkimin Evropian; do të votojmë për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë Evropiane.

Përpara, përpara, përpara!

Rrofshi ju, rroftë Lumasi, Berati, Shqipëria!

Fitore!”


30/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›