Kryeministri Berisha inauguroi sot rrugën Shijak – Gjepalaj, investim me vlerë 150 milionë lekë

- “Për ne zhvillimi rural është dhe mbetet përparësia më madhore për një Shqipëri të zhvilluar”
- “Në katër vitet e ardhshme, Partia Demokratike dhe e djathta e bashkuar do të shndërrojnë Shqipërinë në vend të zhvilluar, do të shënojnë hapa vendimtare drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”
Kryeministri Berisha inauguroi sot rrugën Shijak – Gjepalaj, në qarkun e Durrësit, një investim me vlerë 150 milionë lekë. Rruga, me gjatësi 6.3 kilometër dhe gjerësi 5.5 metër, e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, u vjen në ndihmë 6 mijë banorëve të kësaj komune, të cilët merren me bujqësi, blegtori, pemëtari, vreshtari, etj., duke u lehtësuar atyre transportin e prodhimeve drejt tregut të Shijakut, Durrësit dhe më gjerë. Pjesë e këtij projekti ishte edhe ndërhyrja në qytetin e Shijakut, në rrugën Çamëria, lagja Dushk, e cila është trajtuar me parametrat e një rruge urbane bashkëkohore.
Nga subvencionet në bujqësi, në periudhën 2007-2012, në komunën Gjepalaj kanë përfituar gjithsej 219 fermerë, prej të cilëve 121fermere, me 83 hektarë tokë, në mbjellje ulliri; 21 fermerë, me 16 hektarë tokë, në mbjellje vreshtash; 23 fermerë, me 12 hektarë tokë, në mbjellje pemësh frutore; 30 fermerë, me 50 hektarë, në ujitjen me pika; 24 fermerë, me 900 krerë lopë, në ferma blegtorale.
Kryeministri Berisha përshëndeti banorët e kësaj zone, të mbledhur me këtë rast, si dhe u shpreh se “për ne zhvillimi rural është dhe mbetet përparësia më madhore për një Shqipëri të zhvilluar”. “Tetë vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar në zonat rurale të Shqipërisë mbi 8 mijë kilometra rrugë; kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1 mijë shkolla; kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra qendra shëndetësore, mbi 400 sisteme ujësjellësish dhe kanalizimesh. Katër vitet që vijnë, ne do të përfundojmë në të katër anët e vendit infrastrukturën më moderne për zonat rurale të vendit. Ne do të bëjmë gjithçka të shumëfishojmë punësimin dhe prodhimin në këto zona”, u shpreh Kryeministri.
Në komunën Gjepalaj janë bërë investime shumë serioze në infrastrukturë, së shpejti do të fillojë edhe rruga drejt Çizmelisë, drejt Shetelit dhe do të përfundojë edhe ura e Erzenit. “Zoti kryetar i Komunës, unë të jap fjalën se do të financojmë çdo projekt me të cilin ju doni të ndryshoni jetën e qytetarëve të mrekullueshëm të Gjepalajt, grave dhe burrave punëtorë të kësaj komune, të cilët me mençurinë, me punën, djersën e tyre po rrisin çdo ditë e më shumë prodhimin e fermave të tyre”, tha Kryeministri.
Më tej, Kryeministri Berisha u ndal në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, duke u shprehur se “Partia Demokratike dhe e djathta shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si shumicë dërmuese e shqiptarëve; si forcat politike që integruan Shqipërinë në NATO, që liberalizuan vizat; si forcat politike të cilat ngritën dhe po ngrenë infrastrukturën më moderne në Shqipëri, po transformojnë Shqipërinë rurale, dyfishuan rrogat dhe pensionet, ulën papunësinë”.
“Në katër vitet e ardhshme, - tha Kryeministri, - Partia Demokratike dhe e djathta e bashkuar do të shndërrojnë Shqipërinë në vend të zhvilluar, do të shënojnë hapa vendimtare drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I dashur kryetar i komunës Gjepalaj,
Zotërinj deputetë,
Qeveritarë vendorë,
Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të komunës Gjepalaj,
Së pari, shpreh kënaqësinë time të madhe, ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge, e cila lehtëson në shkallë maksimale lidhjen tuaj me Shijakun, me Durrësin, me Tiranën, rrugë kjo që bën të mundur tregtimin me shpejtësi të produkteve tuaja, rrugë kjo që bën të mundur ngritjen e bizneseve, punësimin e banorëve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Për ne, zhvillimi rural është dhe mbetet përparësia më madhore për një Shqipëri të zhvilluar. Ndaj dhe jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të ofruar në fshatrat shqiptare rrugët, shkollat, energjinë, ujin, kanalizimet njësoj si në lagjet e qytetit. Ne mbetemi të vendosur për të ndërtuar së bashku sistemin vaditës më modern që ekziston sot. Ne mbetemi të vendosur për të financuar me grante zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
Vëllezër dhe motra,
Tetë vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar në zonat rurale të Shqipërisë mbi 8 mijë kilometra rrugë; kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1 mijë shkolla; kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra qendra shëndetësore, mbi 400 sisteme ujësjellësish dhe kanalizimesh. Katër vitet që vijnë, ne do të përfundojmë në të katër anët e vendit infrastrukturën më moderne për zonat rurale të vendit. Ne do të bëjmë gjithçka të shumëfishojmë punësimin dhe prodhimin në këto zona.
Në komunën Gjepalaj ka një zhvillim shumë pozitiv, janë bërë investime shumë serioze në infrastrukturë. Rruga që ne inauguruam sot është një investim me vlerë 150 milionë lekë. Së shpejti do të fillojë rruga drejt Çizmelisë, Shetelit dhe unë të jap fjalën, zoti kryetar i Komunës, do të përfundojë ura e Erzenit. Zoti kryetar, unë të jap fjalën se do të financojmë çdo projekt me të cilin ju doni të ndryshoni jetën e qytetarëve të mrekullueshëm të Gjepalajt, grave dhe burrave punëtorë të kësaj komune, të cilët me mençurinë, me punën, djersën e tyre po rrisin çdo ditë e më shumë prodhimin e fermave të tyre. Mjafton t’i hedhim një sy strukturës së mbjelljeve, janë 180 hektarë drithëra, janë rreth 400 hektarë zarzavate, janë rreth 350 hektarë ullinj. Le të punojmë ne së bashku për të 2-fishuar sipërfaqet e zarzavateve dhe të serave. Le të punojmë ne së bashku për të 2-fishuar sipërfaqen e ullinjve, për të 2-fishuar numrin e lopëve të racës dhe gjedhëve të racës.
Ju garantoj se ashtu siç bëmë gjithçka për të garantuar energjinë elektrike, e cila mungon vetëm për shkak të defekteve, por kurrë për shkak të mungesës së saj, do të bëjmë gjithçka të përmirësojmë parametrat e furnizimit me energji, njëlloj si në qytete. Në këto vite ne mbi dyfishuam pensionet në fshat. Ju garantoj se rritja e vazhdueshme e tyre është qëllimi i politikës sonë.
Edhe një herë, ju uroj gëzuar përurimin e kësaj rruge të mrekullueshme. Ju garantoj se së bashku do të asfaltojmë çdo rrugë të komunës; së bashku do të ndërtojmë dhe rindërtojmë në këtë komunë infrastrukturën më moderne, të njëjtë me të Shijakut, me të Durrësit, me të Tiranës. Fshati shqiptar do të ketë infrastrukturën më moderne që një fshat mund të ketë.
Vëllezër e motra,
Po shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit. Partia Demokratike dhe e djathta shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si shumicë dërmuese e shqiptarëve; shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si forcat politike që integruan Shqipërinë në NATO, që liberalizuan vizat; shkojnë si forcat politike të cilat ngritën dhe po ngrenë infrastrukturën më moderne në Shqipëri, po transformojnë Shqipërinë rurale, dyfishuan rrogat dhe pensionet, ulën papunësinë.
Në katër vitet e ardhshme, Partia Demokratike dhe e djathta e bashkuar do të shndërrojnë Shqipërinë në vend të zhvilluar, do të shënojnë hapa vendimtare drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ne jemi ndryshimi- Përpara, përpara, përpara!”
05/04/2013