Kryeministri Berisha merr pjesë në kremtimin e 100 vjetorit të shkollës së parë shqipe në Ishëm

Kryeministri Berisha ishte sot i ftuar në shkollën e mesme të bashkuar “Rexhep Mezini” në Ishëm, për kremtimin e 100 vjetorit të saj. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se hapja e shkollës 100 vjet më parë është dëshmi e dashurisë dhe vendosmërisë për dije dhe përparim, ndërsa e konsideroi Ishmin, me pozicionin e tij gjeografik, “kështjellë natyrale e Durrësit dhe Shqipërisë në historinë tonë kombëtare”.
Më 5 prill 1913 u hap shkolla e parë shqipe në Ishëm. Në fillim, shkolla kishte 40 nxënës që vinin nga të gjithë fshatrat e komunës. Me djegien e Ishmit më 1914 u dogj edhe shkolla, por patriotët e rindërtuan shkollën dhe përsëri filloi mësimi. Në vitin 1918 mbaruan mësimet 15 nxënësit e parë. Sot, shkolla ka 360 nxënës, 3 kabinete informatike dhe laboratorë të ndryshëm për një proces bashkëkohor të mësimdhënies.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Në emër të qeverisë ju sjell juve, nxënëseve e nxënësve, mësueseve dhe mësuesve, banorëve të komunës Ishëm përshëndetjet më të përzemërta në 100 vjetorin e shkollës suaj të parë për Ishmin, për Durrësin, por për të gjithë arsimin shqiptar. Le të shprehim nderim tonë më të madh për Jakup Xherahin dhe të gjithë ata, të cilët kontribuuan në hapjen e shkollës së parë 100 vite më parë, nderim të madh për banorët e Ishmit, të cilët ndanë gjithçka nga mundësitë e tyre që vajzat e djemtë e tyre të shkollohen dhe e shndërruan shkollën e Ishmit në një far të vërtetë drite, për komunën e Ishmit dhe më gjerë.
Hapja e shkollës së parë shqipe këtu në Ishëm, 100 vjet më parë është dëshmi e dashurisë së madhe dhe e vendosmërisë së ishmakëve për sakrifica të mëdha, për dije dhe përparim. Ishmi ka qenë dhe mbetet një nga komunat më të rëndësishme në historinë e vendit. Me pozicionin e tij gjeografik, me shpirtin punëtor, bujar e trim të ishmakëve, Ishmi ka luajtur një rol të madh si kështjellë natyrale e Durrësit dhe Shqipërisë në tërë historinë tonë kombëtare.
Sot, ne kremtojmë 100 vjetorin e shkollës, në të cilën janë të vendosur laboratorët më moderne. Unë vizitova këtu laboratorin e biologjisë, informatikës, bibliotekën, muzeun, të gjitha dëshmi të modernitetit të kësaj shkolle. Vizitova edhe dhomën e internetit falas për komunitetin. Ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit. Garantoj mësueset e mësuesit se ne që rritëm rrogat e tyre nga 120-150 përqind në harkun kohor 2006-2012, në mandatin e ri do të rritet jo më pak se 700 dollarë, rroga e mësuesit në Shqipëri.
Zoti kryetar i komunës,
jam këtu gjithashtu për t’u zotuar se do të bëjmë gjithçka, për të bërë çdo investim që kjo komunë e mrekullueshme ka nevojë në fushën e arsimit dhe infrastrukturës. Ju përshëndes për thirrjen që ju u bëtë nxënësve, vajzave e djemve të Ishmit që të preferojnë e ndjekin arsimin profesional. E vërteta është se Ishmi ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe ju garantoj se mandati i ri do të jetë mandati i projekteve më të mëdha në historinë e Shqipërisë në fushën e turizmit. Mandat me të cilin ne synojmë të thithim miliarda dollarë nga Velipoja gjer në Ksamil dhe një nga zonat më të bukura është Ishmi me Kepin e Rodonit, Gjirin e Lalzit dhe zonën e tij bregdetare.
Edhe një herë gëzuar 100 vjetorin e shkollës! Ju ftoj të vazhdojmë së bashku përpjekjet tona për një arsim të zhvilluar, për të vendosur Ishmin, për të vendosur Shqipërinë në shinat e dijes.”
05/04/2013