E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron argjinaturat mbrojtëse të lumit Drino, në Gjirokastër, investim me vlerë 320 milionë lekë

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin argjinaturave mbrojtëse të lumit Drino, në Gjirokastër, investim ky me vlerë 320 milionë lekë.

Lumi Drino prej shume vitesh përbente problem për përmbytjet që shkaktonte në zonën fushore të Gjirokastrës, por me sistemimin e shtratit të këtij lumi nga ndërhyrjet që u realizuan në periudhën 2011-2012 është mundësuar pastrimi dhe sistemimi i plotë i shtratit të tij në një gjatësi rreth 4.5 kilometër dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mbrojtjen nga përmbytja të rreth 2000 hektarë tokë, si edhe objekteve ekonomike të rëndësishme për zonën.

Kryeministri Berisha, në përgjigje të intertesit të medias, u shpreh se ky investim bën një sistemim të shkëlqyer të shtratit të lumit Drino dhe e shndërron në një segment pothuaj të lundrueshëm. “Pas fillimit të punimeve në hidrocentralin e Suhës, i cili ka një digë të konsiderueshme dhe rezervuar të madh, uji në lumin Drino mund të rregullohet dhe ky segment mund të bëhet një nga pasqyrat ujore, një nga segmentet më të bukura. Gjirokastra bëhet me lumin e saj të lundrueshëm”, tha Kryeministri.

Kryeministri Berisha, në përgjigje të interesit të medias së pranishme në këtë inaugurim, u shpreh:

Pyetje: Zoti Berisha, si e cilësoni koalicionin opozitar?

Kryeministri Berisha: Koalicionin unë e kam cilësuar si aleanca e ngjalave apo aleanca Koka. Kjo nuk më shqetëson fare, sepse secili merr vendimet e tij, në interesin më të mirë. Por qesharake është ideja e Ramës, i cili fluturonte nga gëzimi se morëm një pjesë të qeverisë. Mori një pjesë të qeverisë, por nuk mori qeverinë. Dhe ideja e tij se duke shkuar në zgjedhje kanë shanse edhe qeveri e madhe edhe qeveri e vogël. Zero shanse kanë ata. Tani e ka kuptuar se në vend që të rriteshin, janë zvogëluar sa asnjëherë, janë në rekordin më të ulët historik. Pardje filloi – të shtyjmë datën e zgjedhjeve. As edhe një sekondë - ishte përgjigja. -Po nuk hyj. Mos të hyjë. Po kapitullon para se të shkojë në zgjedhje. Dje i bënë presion të jashtëzakonshëm Jani Janit dhe i thanë – ngri në verë. A ngrin burri në verë?

Dje deklaronte brenda selisë mavi se komisionerët nuk i kthej, sepse nuk do të njoh zgjedhjet, po nuk fitova. Përgjigja ime – kurrë mos i njih! Mua nuk më shqetëson se qëndron ai në krye të partisë mavi apo të partisë tjetër. Ato janë jashtë axhendës time. Axhenda ime janë qytetarët, janë këta burra dhe gra që kërkojnë rrugë, kërkojnë ujë, kërkojnë qendra shëndetësore, kërkojnë shkolla, kërkojnë energji elektrike, kërkojnë punë për vete dhe për fëmijët e tyre. Kjo është axhenda ime. Axhenda ime nuk mund të jenë kurrë marrëzitë e pafund të Edi Ramës. Ato le t’i mbajë për vete.

Ai ka një psikologji bllokimi. Bllokoi tre ligjet, tani thotë po bllokoj KQZ-në. Por ja që ligjvënësi kur ka bërë KQZ-në e ka parashikuar që Rama mund të bllokojë dhe nuk bllokon asgjë.

Pyetje: Zoti Kryeministër, ndërkombëtarët kanë folur për faktin se situata...

Kryeministri Berisha: Shqiptarët, ndërkombëtarët dhe e mbarë bota kanë një kërkesë: Kushtetuta të respektohet. Se mendon Rama se mori tre ministri dhe u bë qeveri, ajo është punë e tij. Kushtetuta përcakton se kush është qeveri dhe kush është opozitë. Ne këto gjykime le t’ia lëmë sovranit me 23 qershor. Por faktikisht, ai (Rama) filloi kapitullimin pa pritur as fillimin zyrtar të fushatës elektorale.

Zoti Berisha, vlerësimi juaj për për këtë investim?

Kryeministri Berisha: Ky është një investim i shkëlqyer, me vlerë 320 milionë lekë, për ta disiplinuar lumin Drino që përmbyste periodikisht rreth 2 mijë hektarë tokë dhe përmbyste edhe nënstacionin elektrik të Gjirokastrës, duke e lënë gjithë qytetin dhe zonën në errësirë. Ky investim bën një sistemim të shkëlqyer dhe e shndërron këtë segment në një segment pothuaj të lundrueshëm. Pas fillimit të punimeve në hidrocentralin e Suhës, i cili ka një digë të konsiderueshme dhe rezervuar të madh, uji në lumin Drino mund të rregullohet dhe ky segment mund të bëhet një nga pasqyrat ujore dhe një nga segmentet më të bukura. Gjirokastra bëhet me lumin e saj të lundrueshëm. Kjo është diçka shumë e bukur. Gjirokastritët e pëlqejnë shumë piknikun, e kanë në traditën e tyre dhe do të kenë mundësi që në këto zona të organizojnë shëtitjet apo piknikun më të mirë të javës.

Zoti Kryeministër, çfarë i premtoni më shumë fermerëve gjirokastritë?

Kryeministri Berisha: Fermerëve të Gjirokastër u premtoj, siç u premtova edhe dje në Kozarë, paratë në dorë për akcizën e naftës, paratë në dorë për TVSH-në e plehrave kimike dhe kimikateve. Ne kemi vendosur pardje, sepse nuk e kemi quajtur kurrë të padrejtë kërkesën e tyre për akcizën e naftës. Problemi ynë i vetëm është se kemi dashur që ajo të shkojë në dorë të fermerit dhe jo të qarkullojë me tollona poshtë e përpjetë. Skema po përgatitet dhe do t’u përgjigjemi atyre me para në dorë për akcizën e naftës që do të përdorin për punimin e tokës, me para në dorë për TVSH-në e plehrave dhe kimikateve të tjera që përdorin për trajtimin e të mbjellave të tyre.

Ky është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ky hap merret për faktin se ne e marrim bujqësinë në mënyrën më serioze. Ne besojmë se kapaciteti i bujqësisë është për t’u 10-fishuar. Unë po vij nga Picari. Kryeplaku i Golemit më tha që jemi fshat i vogël, por kemi 15 mijë dele. Ata potencialin e kanë edhe më të madh akoma, traditën e kanë të shkëlqyer. Pra aty ku janë 15 mijë mund të bëhen edhe 150 mijë, aty ku janë 12 mijë mund të bëhen edhe 120 mijë në qoftë se qeveria i mbështet. Qeveria do t’i mbështesë. Qeveria është shumë ambicioze për sa i përket prodhimit bujqësor, sepse beson se rruga e rritjes së mirëqenies së 46 përqind të popullsisë është rruga e balancimit të bilancit tregtar dhe shkurtimit të importeve, konsolidimit serioz të ekonomisë shqiptare, është rruga e furnizimit të qytetarëve me prodhime më të shijshme. Ju siguroj se nuk ka prodhime blegtorale më të shijshme sesa prodhimet e bagëtive që kullosin në malin e gjerë. Aty është e gjithë flora që Zoti i ka dhënë tokës dhe qumështi i ka të gjitha aromat.


19/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›