E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron fillimin e punimeve në rrugën Picar-Golem, në Gjirokastër, investim me vlerë 80 milionë lekë

Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në jug të vendit, u ndal në rrethin e Gjirokastrës ku inauguroi fillimin e punimeve në rrugën Picar-Golem, një investim me vlerë 80 milionë lekë. Rruga, me gjatësi 4 kilometër, do të ndërtohet sipas parametrave bashkëkohore dhe urbanizon plotësisht komunën e Picarit. Gjithashtu, rruga Picar-Golem me shtrirjen e mëtejshme do të lidhë këto zona me zona të tjera të Kurveleshit edhe me detin.

Gjate këtyre viteve  në qarkun e Gjirokastrës janë ndërtuar mbi 400 kilometra rrugë kombëtare dhe rurale, 97 sisteme ujësjellës – kanalizime, 74 shkolla  e kopshte për fëmije, 40 objekte të trashëgimisë kulturore, 27 qendra shëndetësore, si edhe spitalin rajonal. Në këtë qark janë subvencionuar 1000 fermerë e blegtorë.  Gjithashtu, në sistemin e energjisë elektrike janë investuar dhe janë ne proces 210 milion euro, nga të cilat 1 miliardë lekë  shkojnë për fuqizimin e rrjetit dhe rehabilitimin e nënstacioneve elektrike të qarkut.

Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë se “mbetemi të zotuar që kudo që banojnë shqiptarët t’u japim atyre infrastrukturën e njëjtë me lagjet e qyteteve, t’i ndërtojmë atyre rrugë shumë të mira, shkolla moderne, ujësjellës, kanalizime”.

“Alternativa jonë, - tha Kryeministri, - është alternativa e zhvillimit të shpejtë të vendit, e krijimit të vazhdueshëm të vendeve të punës”, ndërsa u shpreh se “alternativa tjetër është kryekëput alternativë mashtrimi dhe mohimi”.

Më poshtë vijon fjala e Kryeministrit Berisha, e mbajtur në këtë ceremoni:

“Së pari, përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë banorët e komunës Picar dhe  për të gjithë banorët e rrethit të Gjirokastrës. Shpreh kënaqësinë time që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të punimeve të një rruge që nxjerr nga izolimi një nga zonat e thella të Gjirokastrës, rrugën Picar-Golem, e cila me shtrirjen e mëtejshme do të lidhë këto zona me zona të tjera të Kurveleshit edhe me detin. Kjo rrugë urbanizon plotësisht komunën e Picarit.

Në këtë hark kohor 8 vjeçar ndërtimi i rrugëve ka qenë për ne përparësia e të gjitha përparësive. Ne kemi bërë gjithçka që të ndërtojmë në Shqipëri rrugë të përshtatshme dhe moderne.

Vëllezër dhe motra, 

Komisioni Evropian do të deklaronte 6 muaj më parë se Shqipëria këto vite ka ndërtuar rrugë më shumë se të gjitha vendet e rajonit, të marra së bashku. Natyrisht, ndërtimi i rrugëve u bë i mundur nga reformat e thella ekonomike që ne ndërmorëm; u bë i mundur nga lufta që ne i bëmë korrupsionit; u bë i mundur, sepse ne nga viti 2006 në vitin 2012 ia dolëm të mbledhim në arkën e shtetit, në arkën tuaj të dytë, 9.2 miliardë dollarë më shumë se qeveria e mëparshme, në të njëjtën periudhë vitesh.

Me projektin tonë të rrugëve moderne për Shqipërinë, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë, autostrada nga më modernet, deri te rrugë rurale dytësore dhe tretsore. Ne mbetemi të zotuar që kudo që banojnë shqiptarët t’u japim atyre infrastrukturën e njëjtë me lagjet e qyteteve, t’i ndërtojmë atyre rrugë shumë të mira, shkolla moderne, ujësjellës, kanalizime. Gjatë dimrit të kaluar dhe këtij dimri banorët e Golemit më dërgonin mesazhe ku më thoshin: kemi mbetur të izoluar, jemi pa rrugë. Kërkesat e tyre ishin shumë të drejta, por ja që rruga po shkon dhe ne po i plotësojmë ato kërkesa. Dhe kjo jo vetëm për Golemin, por për çdo fshat. Në të katër anët e këtij rrethi po ndërtohet. Po ndërtohet me intensitet autostrada Levan-Tepelenë, e cila do të bëjë që distanca e Gjirokastrës me Tiranën të jetë e shkurtër në mënyrë të paimagjinueshme. Në Përmet po ndërtohet rruga nga Këlcyra drejt Ballabanit. Ne do të ndërtojmë çdo rrugë. Ky është zotimi ynë. Ne do të bëjmë gjithçka që ju, fermerët e Picarit me punën, mundin dhe djersën tuaj të keni kushte sa më të mira për të rritur mirëqenien tuaj, të keni kushte sa më të mira për të nxjerrë sa më shpejtë në treg prodhimet tuaja të mrekullueshme, të keni kushte sa më të mira për shkollimin e fëmijëve tuaj.        

Alternativa jonë është alternativa e zhvillimit të shpejtë të vendit, e krijimit të vazhdueshëm të vendeve të punës. Në katër vitet që shkuan, ne vetëm në bujqësi kemi krijuar me financimin e projekteve nga ne edhe me investimet private mbi 100 mijë vende pune. Ne jemi të vendosur që krahas ndërtimit të infrastrukturës moderne të 3-fishojmë fondet për fermerët shqiptarë.

Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është kryekëput alternativë mashtrimi dhe mohimi. Zoti Rama shpalli Shqipërinë e gënjeshtërt. Sipas tij e gënjeshtër është kjo rrugë, janë këto autostrada, janë ato tufa me dele, janë këta fermerë, janë këto shkolla të reja, është liberalizimi i vizave, është Shqipëria anëtare e NATO-s. Sipas tij polici është bandit, mësuesit janë injorantë, infermieret janë ashtu siç ai i lejon vetes t’i quajë, sepse kjo është Shqipëria e tij. Shqipëria e sotme është Shqipëria që ai urren.

Në Përmet u takova sot me një grup mësuesish dhe më erdhi ndërmend fjala e tij që mësuesit e sotëm janë injorantë dhe dinë shumë më pak se mësuesit e 100 vjetëve më parë. Ai e ka këtë psikologji nga bunkeri i bllokut ku është rritur, e ka nga psikoza prej së cilës vuan, e ka nga urrejtja për këtë sistem, por vetëm një fjalë të tillë një njeri normal nuk mund ta thotë kurrë. Se jo mësuesit, por edhe nxënësit e tyre që lundrojnë në internet, në Facebook, janë sot 10-herë të ditur seç ishim ne 20 apo 30 vjet më parë. Pse ky mohim dhe alternativë? Kjo, sepse kur ti verbon karrigia sytë, nuk di çfarë fletë, nuk di çfarë thua, flet përçartë.

Vëllezër dhe motra,

Para 2-3 javësh bëri një aleancë me ndërmjetësinë e kryekontrabandistit të vendit. Pasi ia mbyllëm kanalet e kontrabandës dhe e patën arrestuar atë 6-7 vjet më parë, Nard Koka u fut në aleancë. Në rregull, nuk ka asgjë. Normale, forcat politike bëjnë zgjidhjen e tyre. Po tani u thoshte të tjerëve se duhet të marrim edhe Ilirianin se jemi në qeveri. Po nuk mund të jesh edhe qeveri edhe opozitë. Ose je qeveri ose je opozitë. Kjo është logjika. Se kush është qeveri dhe kush është opozitë, atë e ka përcaktuar Kushtetuta. Disa ditë më parë i deklarova se ngjalat e Nard Kokës do të ngelin në fyt, i ngeli e para. Prisni se ju jap fjalën e nderit që një e nga një gjithsecila. Edhe kësaj herë do ta ketë shumë të rëndë problemin, se halat e ngjalave nuk dalin kurrë nga fyti.

Tani kapitulluan. Burrat janë për fushëbetejë, nuk janë për të kapitulluar. Beteja elektorale duhet të shkojë deri në fund. Nuk ua mban, tërhoqën komisionerët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kurrë mos i ktheni, po të doni. Zgjedhjet shqiptarët do t’i bëjnë të lira dhe të ndershme. Je i pashpresë, zoti Rama. U bashkuan, e panë që u zvogëluan dhe tani shohin karrigen e amshuar me dylbi. U largohet çdo ditë e më shumë. Absolutisht, po! Dje u ka deklaruar të tjerëve se në rast se nuk fitoj zgjedhjet nuk do të njohë rezultatin. Cilin po tremb me atë? Kurrë mos e njih rezultatin. Po ta them nga këtu, nga komuna e Picarit:  kurrë mos e njih rezultatin, se nuk çudit asnjeri. Ti je një njeri që përdor çdo pushtet që të kanë besuar qytetarët për të bllokuar këtë vend. Ti ke renditur një seri bllokimesh dhe je unik në Ballkan edhe në Evropë.

Vëllezër,

Dy vjet më parë një vizitor shumë i shquar i shkoi në zyrë dhe ai filloi ti flasë përçartë. Vizitori deshi të marrë fjalën, por ai nuk e linte. Vazhdoi atë kakofoninë e tij dhe më në fund i kthehet vizitori dhe i thotë: e di si është puna, ti je një politikan shumë i zoti, por je vetëm për opozitë. Je i prerë për opozitë.

I tërhoqi komisionerët dhe po bëhej gati, a mund ta imagjinoni ju, të kërkonte shtytjen e zgjedhjeve. I çova fjalë: asnjë sekondë! Po të duash që tani deklaro se nuk do të marrë pjesë, se në mënyrë absolute qoftë edhe një sekondë nuk shtyhen zgjedhjet. Ai është një njeri që do të prishë çdo proces normal të këtij vendi. Por edhe ky vend, kam bindjen më të madhe siç besoj tek Zoti,  siç besoj tek Shqipëria, do t’i japë atij atë që meriton më 23 qershor.

Zoti kryetar i komunës,             

Unë jam këtu për t’u zotuar para teje dhe para këtyre burrave se qeveria do të financojë çdo projekt që ti do të hartosh për të ndryshuar për mirë jetën e këtyre banorëve.  

Gëzuar rrugën dhe shumë urime!”


19/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›