E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti Ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë zotin Dimitris P.Droutsas

Zoti Droutsas e siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e plotë të qeverisë greke dhe të vendit të tij, ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për hapat e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministri Droutsas, e uroi Kryeministrin Berisha për vendimin historik të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, për shqyrtimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, si edhe për ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave.

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë zotin Dimitris P.Droutsas. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu ministrit Droutsas mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që Greqia i dha Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, për anëtarësimin e vendit në NATO, në samitin e prillit 2009, në Strasburg-Kehl dhe për mbështetjen e fuqishme që Greqia po i jep Shqipërisë për hapat e mëtejshme drejt integrimit evropian, ç’ka u dëshmua qartë me vendimin e ministrave të jashtëm të BE-së për shqyrtimin e kërkesës të Shqipërisë për statusin kandidat dhe për ecjen përpara me shpejtësi drejt procesit të liberalizimit të vizave.
Ministri Droutsas e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të ngrohta të Kryeministri grek Papandreu, si dhe mesazhin e tij se pret me padurim për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë mes të dy qeverive dhe vendeve. Ministri Droutsas, e uroi Kryeministrin Berisha për vendimin historik të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, për shqyrtimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, si edhe për ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave.
Zoti Droutsas e siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e plotë të qeverisë greke dhe të vendit të tij, ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për hapat e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, por edhe të mbarë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. “Greqia mbetet një ndër përkrahëset më të fuqishme të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane”, - vijoi më tej zoti Droutsas. Në këtë kontekst ministri Droutsas i bëri me dije Kryeministrit Berisha për vizionin tashmë të shpalosur nga Kryeministri Papandreu dhe qeveria e tij, për një nxitje të re të objektivave të axhendës së Selanikut duke kërkuar që Bashkimi Evropian të përcaktojë një limit kohor sa më të shpejtë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, në përputhje me axhendën e Selanikut, duke sugjeruar vitin 2014, si afatin maksimal për përmbylljen e këtij procesi.
Duke folur për këtë çështje, si dhe duke e cilësuar procesin e integrimit në BE, si një garë fisnike për arritjen e standarteve më të larta të demokracisë dhe prosperitetit, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për këtë nisëm të Kryeministrit Papandreu, e cila synon që në përputhje me axhendën e Selanikut, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor të përfundojë në kohën më të shpejtë të mundshme. Kryeminstri Berisha ripohoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të adresuar me seriozitetin më të madh pyetësorin që po përgatit Komisioni Evropian dhe për të marrë çdo reformë për të përshpejtuar hapat e mëtejshëm për këtë projekt madhor kombëtar.
Në të njëjtën kohë Kryeministri Berisha, i shprehu ministrit Droutsas  vendosmërinë dhe angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë e re të kryeminstrit Papandreu, për të konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore mes të dy vendeve dhe për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh, të ngushtë dhe të sukseshëm në të gjitha fushat, si dhe atë në kuadër të bashkëpunimit rajonal.
Në takim bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet politike mes dy vendeve dhe qeverive, si të shkëlqyera e miqësore në të gjitha fushat dhe ripohuan angazhimin e të dy qeverive për t’i forcuar dhe zgjeruar edhe më tej në të ardhmen, në interesin më të mirë të dy popujve fqinjë dhe miq. Greqia mbetet ndër partnerët ekonomikë më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe një numër i madh investimesh të kompanive prestigjioze greke, janë provuar e po realizojnë përditë histori të vërteta suksesi investimesh direkte të biznesit të huaj, si për ta ashtu edhe për Shqipërinë.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për marrëveshjet e rëndësishme të nënshkruara mes dy vendeve, të cilat kanë krijuar një kuadër ligjor të shkëlqyer bashkëpunimi, i cili u vlerësua nga të dy bashkëbiseduesit si rigoroz dhe shumë i rëndësishëm, që pritet të sjellë një kontribut të çmuar në dobi të interesit më të mirë të dy vendeve dhe popujve.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet në rajonin e  Europës Juglindore, në veçanti mbi çështjen e Kosovës.20/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›