Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për rrugën Zejmen-Tale

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për rrugën Zejmen-Tale, në rrethin e Lezhës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 70 milion lekë.
Kryeministri vlerësoi se kjo rrugë është shumë e rëndësishme pasi ajo jo vetëm lidh dy komunat e mëdha të këtij rrethi, por u lehtëson atyre daljen në bregdet.
“Ashtu siç kemi deklaruar dhe shpallur ne do të asfaltojmë me përparësi të madhe të gjitha rrugët e ultësirës bregdetare që çojnë drejt detit. Është në politikën tonë dhe në besimin tonë më të thellë se kombi duhet të kthejë sytë nga deti sepse deti është begati, është me shumë dhunti”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Me këtë politikë, vijoi më tej Kryeministri, ne kemi nisur të bëjmë një riorientim të ri të vështrimit të kombit, i cili ndonëse ka rreth 400 km brigje, në tërësinë e tyre ato janë shumë pak të populluara.
Kryeministri Berisha kërkoi nga firma ndërtuese që ta përfundojë rrugën brenda afatit, duke nënvizuar se në maj të vitit të ardhshëm do të bëhet inaugurimi i përfundimit të saj.
...