E Diel, 1 Nëntor 2026

Koha ndërmjet Otrantos dhe Butrintit

1. Otranto është shteg i ngushtë që qarkullon ujërat e dy deteve, Adriatikut dhe Jonit. Dhe lag dy brigjet jugore më të afërta, të Shqipërisë dhe Italisë. Asgjë të shënuar nuk pati në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar aty, përveç Sazanit, të kthyer në një bunker shkëmbor hekurbetoni, me të cilët - Kanalin dhe Ishullin - regjimi komunist mburrej se zotëronte kyçin e një luftë detare të mundshme. Butrinti, përveç qytet i lashtë me nam, ka dhe liqenin e bukur që lidhet me detin Jon, nëpërmjet kanalit të Vivarit. Nikita Hrushov, më 1959, kur ishte në Shqipëri, pati kërkuar ta kthente në bazë nëndetësesh sovjetike. Mirëpo, prishja mes dy shteteve nuk vonoi dhe, Butrinti ujor nuk shërbeu as për luftë e as për turizëm, përveç për rritjen e midhjeve. Por, koha e tashme, ndërmjet Kanalit të Otrantos dhe Liqenit të Butrintit, u mbush me politikë. Qysh para tre vjetësh, Otranto duhet të pushonte si vendkalim i përkryer për trafikun kriminal, njerëzor e droge, dhe si varrezë tragjike ujore. Qeveria Berisha, e sapo ardhur në pushtet, nuk deklaroi hapur, por së brendshmi e dinte që, nuk zotëronte mjetet e duhura për të ndërprerë rrugën detare të krimit. Troç, shteti ishte i dobët përpara furisë së flotiljes Nga Qemal Sakajeva së skafeve të shpejtë dhe shpirtit vrasës e të etur për supërfitime të zotëruesve të tyre. Me shumë vështirësi, me debate të ashpëra e kritika të forta, mezi u miratua i ashtuquajturi Moratorium i mjeteve të vogla lundruese. Siç, tanimë, dihet, trafiku kriminal detar u ndalua, ngordhi e u harrua. Ai, ka tre vjet që është “përkthyer afrikanisht”. Mediat e huaja nuk thonë më Otranto, por Lampeduza. Italia bërtet: Nuk po i ndalojmë dot afrikanët! 2. Në pikun e këtij përfundimi të lavdërueshëm, shqiptuar nga Italia dhe ndërkombëtarët, në saj të Moratoriumit si zgjidhje dhe përpjekjeve të shtetit si vullnet, më 19 tetor 2008, në mbrëmje, në Liqenin e Butrintit ndodhi fundosja tragjike e një motovarke të vogël, të tejmbushur me njerëz, nga të cilët humbën jetën 5 vetë, në përpjekje për të shkuar ilegalisht në Greqi. Çdo vdekje është jetë e pakthyeshme, humbje e pazëvendësueshme dhe trysni e madhe psikologjike për shoqërinë e lodhur. Nuk ka rëndësi ku ndodh e për çfarë shkaku vjen vdekja, në rrugë nga makinat, gjatë pushimeve në plazhe, në një grindje a sherr, vëllavrasje për pronën, vetvrasje dëshpëruese, brenda familjes nga xhelozitë apo vdekje e përbashkët pas një mbrëmje gëzimi. Por, si mbështetësit e Moratoriumit dhe kundërshtarët e tij, flisnin në emër të njeriut. Kundërshtarët e cilësuan Moratoriumin një shkelje të të drejtave. Mbështetësit këmbëngulën se Moratoriumi do të mbronte jetët. Të dy argumentet që solli opozita qendronin, se shteti ishte i dobët dhe se shkeleshin të drejtat e njeriut. Por, pas tre vitesh nga miratimi i Moratoriumit, është vërtetuar se qeveria pati të drejtë me ndërmarrjen e asaj zgjidhjeje të përkohshme të domosdoshme. Ngjarja tragjike e Butrintit (edhe pse nuk nuk është në det), ishte e vetmja që nga hyrja në fuqi e Moratoriumit, dhe shëmbëllen me rezultatet në fund të librit, si vërtetim nëse gjatë rrugës është gabuar ose jo, në zgjidhjen e ekuancionit të vështirë. Jo vetëm historitë e ditura e të paditura, më të hershme të varrezës ujore të Otrantos, detyruan Moratoriumin, por edhe vdekjet kotnasikoti, si ato në liqenin e Farkës afër Tiranës, natën e pas një gëzimi, dhe vdekjet në Liqenin e Butrintit, në përpjekje për një jetë më të mirë, vërtetojnë tragjikisht se Moratoriumi ishte zgjidhje e domosdoshme, deri sa shteti të forcohet për të kontrolluar kufirin detar. Kur ngjarje të rënda ndodhin në liqene të vegjël, për në Otranto as nuk ka nevojë të hamendësohet, sepse ne dimë për mjaft mbytje nga më të dhëmbshmet atje. 3. Nga ky ndalim ja çfarë vërejmë: Janë shpëtuar jetë të pafajshme njerëzore, me të cilat do të pasuroheshin organizatorët e krimit. Kjo nuk është pak. Butrinti ua ndërmendi të gjithëve këtë, siç dhe tragjedia atje ishte, edhe një provë që, shteti ende nuk është në gjendje, ta ndalojë emigrimin, si me zhvillim të madh ekonomik ashtu dhe me kontroll të fortë të shtegkalimeve. Eshtë përmirësuar imazhi për shqiptarët dhe Shqipërinë, si për nga reformat e kryera dhe nga ndërprerja e trafikimit detar. Pa goditjen e krimit, ndalimin e trafikut njerëzor e të drogës, kontrollit më të mirë të kufijve dhe reformave të njëmendta, nuk do të kishte pasur nënshkrim të Marrëveshjes së Stabilizin- Asociimit. Pa këtë ndërprerje, nuk do të kishte pranim të Shqipërisë në NATO. Arsyetimi i zërave opozitarë, se marrja e ftesë për në NATO, pati thjeshtë faktorin gjeostrategjik, nuk është i saktë. Kjo vërtetohet edhe nga publikimi i sonodazheve të ndryshme, që përcaktojnë shkallën e përparimit të Shqipërisë. Pa ndërprejen e trafikut me skafe, nuk do të mund të shqiptohej, nga qeveria shqiptare, e kërkesës këmbëngulëse, për heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Europian, dhe nuk do të kishte, gjithashtu, deklarime të rëndësishme europiane, se kjo duhet të ndodhë në mesin e vitit të ardhshëm. Asnjë reformë, edhe ato më të rëndësishme, nuk do të mund të kishin hapur dyert për paraqitjen e kërkesës së pritshme, si kandidat për në Bashkimin Europian, pa mbylljen e dyerve të trafikimit, e që u bë e mundur nga vendosmëria e qeverisë dhe Moratoriumi. Edhe mbytja e varkës në ujërat e brendshme të vendit, në përpjekje për kalim të paligjshëm jashtë, është një kujtesë se, zgjidhja e problemit, saç është zhvillim po aq edhe masa të forta. Koha trevjeçare, ndërmjet Kanalit të Otrantos, me tragjedi të ndërprera, dhe Liqenit të Butrintit, me një tragjedi të beftë, u mbush përsëri me politikë, duke u rikthyer mendimi opozitar në fillim: te mosmiratimi i Moratoriumit, te dobësia e shtetit dhe tragjedia e ndodhur. Pozita dhe opozita gjinden përballë: Pozita, me Moratoriumin kundër skafeve në det, sjell të vërtetën e fitores mbi trafikun. Opozita, me mbytjen e varkës në Butrint, mbush kohën me politikë, duke thënë se Moratoriumi dështoi në Liqenin e Butrintit. E vërteta mbetet kjo: Opozita, atëherë sapo ishte larguar nga pushteti, ndërsa këtë herë sapo ka nisur fushata zgjedhore e pashpallur, në përpjekje për të ardhur në pushtet. Por, politika me tragjedi njerëzore të befta nuk mund të bashkojë opozitën e përçarë, e cila përjetohet prej saj si tragjedi e vërtetë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›